Venger presion Granit Xhakës

Arsen Venger është i shqetësuar për temperamentin impulsiv të Granit Xhakës përpara derbit të Londrës Veriore ndaj Totenhemit të dielën. Mesfushori zviceran u ndëshkua me karton të kuq muajin e shkuar gjatë fitores 3-2 ndaj Suonsit dhe e ka treguar shpesh ashpërsinë e tij, që kur është transferuar në Angli. Prandaj, trajneri e paralajmëron atë që të ruajë nervat në derbin e ashpër me Spërsat, pasi Xhaka do të luajë për herë të parë ndaj rivalëve më të mëdhenj të “Topçinjve”.
“Po, jam pak i shqetësuar, sepse disiplina është e rëndësishme. Duam të jemi efikasë në të gjitha situatat, me të cilat do të përballemi. Në derbi është shumë e rëndësishme ruajtja e disiplinës. Ai është një djalë i përmbajtur dhe i qetë, por ndonjëherë ka reagime pak impulsive. Duhet të punojë në këtë aspekt dhe të kontrollojë reagimet e tij gjatë ndeshjes”, tha trajneri francez.
Ai konfirmoi gjithashtu se Tio Uollkot, Santi Kazorla dhe Naço Monreal mbeten në dyshim për të dielën, lojtarë që i kanë humbur dy ndeshjet e fundit: “Uollkot është më pranë rikthimit dhe do të bëjmë një test përfundimtar. Naço do të ketë teste edhe të premten dhe më pas do të vendosim. Kazorla nuk është stërvitur ende. Ai është në dyshim”.
Por Venger është optimist se me apo pa trion, skuadra e tij ka forcën për ta mundur Totenhemin dhe vazhduar me ritmin pozitiv të këtij sezoni: “Besoj se kemi një avantazh nëse jemi të gjithë në formën më të mirë. Kam një skuadër me 25 lojtarë, të cilët janë të gjithë të klasit botëror. Një ndeshje e këtyre përmasave nuk luhet me 11 lojtarë, por me 25. Ju e patë: Olivie Zhiru hyri nga stoli me Sandërlendin dhe bëri diferencën. Do të jetë vendimtar kontributi i të gjithëve”.

Artikulli paraprakBolivi, lojtarët kërkojnë dorëheqjen e presidentit
Artikulli tjetërNdalet Bajerni!