Ndalet Bajerni!

Bajern Mynih ka bërë një hap të gabuar në javën e 10-të të Bundesligës dhe tani mund të arrihet nga RB Lajpcigu në kreun e kampionatit. Skuadra e Karlo Ançelotit është ndalur në shtëpi në barazimin 1-1 ndaj Hofenhaimit, në një ndeshje ku loja e bavarezëve ka lënë shumë për të dëshiruar. Ata u zgjuan vetëm në minutat e fundit të ndeshjes, kur goditën dy herë shtyllën.
Një sinjal të rëndësishëm ka dhënë Borusia Dortmund me fitoren 5-2 ndaj Hamburg, ku personazhi kryesor i ndeshjes ishte Aubamejang. Sulmuesi, i lënë jashtë ndeshjes së Ligës së Kampioneve se kishte thyer urdhrat e klubit, duke marrë pjesë në një festë në Milano, shënoi 4 gola, 3 nga të cilët në pjesën e parë të takimit, duke i mundësuar skuadrës së Tuhel që të kthehet përsëri në zonën e Kupave të Europës.
Ndërkaq, shumë zhgënjyese ka qenë prova e Fraiburgut që është mundur në shtëpi me shifrat 3-0 nga Volfsburgu. Amir Abrashi e nisi ndeshjen si titullar, por u ndëshkua me karton të verdhë në pjesën e parë dhe u zëvendësua pak minuta pas fillimit të të dytës.
Gaboni Aubameyang shënon poker golash ndaj Hamburg. Dortmund luajti sot në transfertë kundër Hamburg, duke siguruar një fitore me goladë. “Verdhezinjtë” shënuan 5 gola dhe 4 prej tyre nën siglën e lojtarit nga Gaboni Aubameyang.
Sulmuesi që u ble nga Milan për vetëm 2 milionë euro arriti që të mposhte i vetëm skuadrën kundërshtare. Serinë e golave e hapi në minutën e dytë dhe e mbylli në të 48-ën. Një rekord më vete, pasi brenda harkut të 46-të minutave, Aubameyang shënoi një “poker” golash. Shifrat në 2-5 i vulosi lojtari Dembele, që kishte pak minuta që kishte hyrë në fushë.
Dortmundi me këtë fitore ngjitet përkohësisht në vendin e 5-të, ku ka grumbulluar 18 pikë. Ndërsa skuadra rivale për titull, Bayerni i Mynihut, është ndalur në fushën e vet 1-1 kundër Hofenhaim.
Ndërkohë, Herta e Berlinit fitoi ndaj Borussia Moenchengladbahut të premten në darkë. Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë, Salomon Kalou, rezultoi vendimtar për tri pikët e Hertës.

Artikulli paraprakVenger presion Granit Xhakës
Artikulli tjetërZbulohen pronarët e rinj të Milanit