Veliaj përmbyt Tiranën, shpërthejnë fekalet në rrugë

U desh vetëm një orë shi që e gjithë Tirana të përmbytet. Jo vetëm rrugë dhe banesa, por edhe lagje të tëra janë përmbytur si pasojë e bllokimit të kanalizimeve dhe mosfunksionimit të kolektorëve. Të gjitha rrugët ishin pushtuar nga uji, ndërsa qytetarët dhe automjetet e patën të vështirë të lëviznin si në periferi, ashtu dhe në qendër të kryeqytetit. Vërshimi i ujit ka dëmtuar banesa dhe biznese.
Situata më e rëndë paraqitet në “Don Bosko”, Laprakë dhe Kombinat. Bëhet e ditur se në Kombinat, Laprakë dhe zonën e “Don Boskos” uji ka përmbytur rrugë, shtëpi dhe biznese të kateve të para. Ndërsa tek zona e “Pallatit me Shigjeta” uji ka dalë në rrugë tek rrethrrotullimi i ri. Qarkullimi kryhet me vështirësi, pasi uji është rreth 50 cm në rrugë dhe automjetet lëvizin ngadalë. Prezenca e ujit përbën rrezik pasi makinat mund të fiken në rrugë.
Veliaj jo vetëm që nuk ka marrë asnjë masë për pastrimin e kanaleve, por përkundrazi si pasojë e bllokimit të kanaleve kanë shpërthyer fekalet nëpër rrugët e Tiranës si pasojë e përmbytjeve. Dje në mesditë rreth orës 11:00, ujërat e zeza kanë mbuluar edhe trotuaret, sidomos në rrugën “Siri Kodra” dhe tek “Komuna e Parisit”.
Problem i madh është shfaqur në rrugën “Komuna e Parisit”, pasi bllokimi i kolektorëve ka shkaktuar përmbytjen e rrugës dhe trotuarëve nga ujërat e zeza për dhjetëra metra, duke e bërë të pakalueshme. Të shumtë ishin qytetarët që në rrjete sociale denoncuan situatën problematike në kryeqytet. “Situata është mjaft e rëndë tek ‘Komuna e Parisit’. Si pasojë e bllokimit të kolektorëve, kanë vërshuar nëpër rrugë edhe fekalet. Rrugët janë të bllokuara dhe të pakalueshme për qytetarët. Vërshimi i ujërave të zeza ka krijuar një atmosferë mbytëse”, u shpreh një banor i kësaj zone. Ai tha se Bashkia nuk ka marrë asnjë masë.
Nuk kanë shpëtuar pa u përmbytur bodrumet e pallateve buzë Lanës, në Njësinë Nr. 5 të adaptuara si banesa e biznese. Si pasojë e rritjes së nivelit të lumit Lana mbetjet në kanalet e ujërave të zeza janë kthyer pas në shtëpitë e këtyre qytetarëve. Bllokim e përmbytje ka patur edhe në lindje të kryeqytetit në Shkozë. Rreshjet kanë sjellë nga Dajti baltë dhe gurë, të cilat kanë dëmtuar shtëpi e biznese edhe në lagjen e ish-Uzinës Autotraktori.
Durrësi noton në ujë
Durrësi është zgjuar nën ujë mëngjesin e djeshëm si pasojë e përmbytjeve të shkaktuara gjatë natës. Uji vërshoi në rrugë e lagje dhe i përmbyti ato. Automjete e këmbësorë u bllokuan në rrugë. Reshjet e vazhdueshme të shiut kanë sjellë vështirësi të mëdha në qarkullimin e njerëzve dhe të makinave në aktivitetin e përditshëm. Deri në 40 cm ujë është vënë re në disa rrugë kryesore të qytetit, ndërsa në periferi situata mund të jetë edhe më e rëndë si rezultat i reshjeve dhe mungesës së energjisë elektrike.
E gjithë rruga e shëtitores “Taulantia” është nën ujë, në hyrje të portit, pranë kishës ortodokse, ishte pothuajse e pakalueshme. Bulevardi “Skënderbej” deri tek stacioni i trenit nën ujë, rrugët e lagjes 16, pranë zjarrfikëseve dhe rrugët e tjera deri në rrugën “A. Goga”, me prezencë të lartë uji. Këmbësorët e kanë patur krejtësisht të pamundur kalimin në rrugë, ndërsa shumë makina janë bllokuar në rrugë, u janë fikur motorët ose kanë rënë në pusetat e hapura. Përmbytjet vijnë si pasojë e rrjetit të amortizuar të kanalizimeve dhe bllokimit të tyre.
Edhe në periferi si Shkozeti, Plazhi dhe Ish-Këneta, vazhdimisht të prekura nga përmbytjet pati probleme serioze. Bllokimi i pusetave, kolektorëve, rrjeti i amortizuar janë shkaqet kryesore të përkeqësimit të situatës.
Për shkak të reshjeve të rrëmbyeshme, pothuajse të gjitha rrugët në këto qytete kanë qenë të mbuluara nga uji. Nga ana e pushtetit vendor po punohet për mbajtjen e situatës nën kontroll. Probleme ka pasur edhe për lëvizjen e automjeteve pasi përveç trafikut, lartësia e ujit ka bërë që të fiken motorët.

Përmbyten banesa dhe biznese në Vlorë e Fier

Vlora u zhyt nën ujë mëngjesin e djeshëm. Uji vërshoi prej orëve të para të mëngjesit në rrugët e qytetit, duke dëmtuar edhe disa biznese. Ndërkohë shumë familje në lagjen “10 korriku”, pranë kishës ortodokse apo tek ish-kazermat, thonë se ende nuk janë dëmshpërblyer nga përmbytjet e muajit tetor.
Reshjet e dendura të shiut shkaktuan probleme të mëdha në bulevardin kryesor Vlorë-Skelë, në rrugën pranë Portit të Vlorës, në lagjen “Pavarësia” dhe atë “28 Nëntori”. Të gjitha rrugët lidhëse me zonën e Transballkanikes u bllokuan dhe qarkullimi u bë i pamundur. Bllokimi i kanalizimeve ka bërë që uji të vërshojë në të gjitha rrugët e qytetit, duke shkaktuar dëme të mëdha në banesa e biznese.
Uji ka shkuar në disa centimetra në zonën e Skelës, duke sjellë vështirësi për qytetarët, por edhe automjetet. Dhjetëra automjete janë bllokuar nga rënia dhe depozitimi i inerteve. Probleme paraqiten gjithashtu nga Kampi i Punëtorëve deri tek Uji i Ftohtë. Po kështu, për shkak të prezencës së madhe të ujit në rrugë dhe grumbullimit të inerteve ka probleme në zonat e Ujit të Ftohtë, në Radhimë dhe Selenicë. Kritike situata u bë në rrugën Vlorë-Radhimë. Shkarjet e tokës në Orikum e mbajtën atë disa orë të bllokuar.
Një furgon me pasagjerë ka ngecur për rreth 30 minuta në ujërat e rrëmbyer të një përroi në Peshkëpi, por fatmirësisht drejtuesi i mjetit e ka nxjerrë furgonin nga uji pas disa manovrave. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se pasagjerët e furgonit u përfshinë nga paniku dhe kërkonin ndihmë, por askush nuk mund të afrohej.
Në Fier stuhia nisi në orët e para, por bllokimet e rrugëve ishin për pak kohë. Era e fortë dhe rrufetë kanë kaluar vetëm me dëme materiale në shtëpi dhe biznese. Reshjet kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme të kulturave bujqësore në Fier. Rreth 100 ha tokë janë përmbytur në Portez, Mbrostar, Levan dhe Seman.

Bllokohet rruga në aksin Fushë Arrëz-Qafë Benë

Në pjesën më të madhe të akseve nacionale nuk ka probleme me qarkullimin. Autoriteti Rrugor bën me dije akset problematike në disa zona të vendit për shkak të reshjeve të rëna.
Në rajonin verior, Shkodër: në aksin Fushë Arrëz-Qafë Benë ka ndodhur një shembje masive e një shkëmbi, që ka bllokuar rrugën. Firma kontraktore po punon për hapjen e rrugës, por shembja vazhdon të agravohet.
Në rajonin qendror, Tiranë: Janë eliminuar problemet në Labinot dhe tek Shkëmbi i Kavajës dhe Mali i Robit. Uji është larguar nga rruga me anë të pompave.
Në rajonin jugor, Gjirokastër: Janë eliminuar problemet në Radhimë e Dhërmi dhe tani qarkullimi është normal në të gjitha akset.

Artikulli paraprakPas Roshit, hetimet në Spanjë për Edvinin
Artikulli tjetërPD: Të inkriminuarit do të përballen me ligjin deri në fund