PD: Të inkriminuarit do të përballen me ligjin deri në fund

Partia Demokratike e cilësoi dje arrestimin e Elvis Rroshit si nisjen e zbatimit të ligjit të dekriminalizimit, ndërsa paralajmëroi se të gjithë të inkriminuarit do të përballen me ligjin deri në fund. Reagimi i PD erdhi mbrëmjen e djeshme menjëherë pas lajmit të arrestimit të Rroshit. “I diskredituari Elvis Rroshi, modeli i Edi Ramës për pushtetin lokal, edhe pse pati dhe e ka edhe sot mbrojtjen e pakursyer të shefit të rilindjes, ra më në fund, sepse dekriminalizimi po funksionon.
E megjithatë, ai gjen sërish kurajon të kërcënojë dhe thotë se nuk e lëshon Bashkinë e Kavajës, sikur ta ketë pronën e tij, sikur ta ketë hambarin personal.
Sigurisht, çdokush e di se ato janë fjalët, janë qëndrimet, janë kërcënimet e Edi Ramës, që shprehen përmes zëdhënësit të tij për dekriminalizimin, Elvis Rroshi.
Por i dënuari në disa vende të Europës, për drogë e përdhunim, përdoruesi i 5 emrave, falsifikuesi i formularit të dekriminalizimit dhe shefi i tij, Edi Rama, shpejt do ta kuptojnë se po vjen fundi i krimit në politikë. Dhe do të përballen me ligjin deri në fund.
Rroshi është turpi i Edi Ramës, i Kavajës, i Shqipërisë. Me kandidimin dhe rikandidimin e tij, Rama poshtëroi qytetarët e vendit. Por më në fund, e drejta triumfoi. Dekriminalizimi u vu në jetë dhe dekriminalizimi është në shërbim të vendit, të çdokujt, të majtë e të djathtë e të paparti, që kërkon të ketë në bashki, në zyrat publike, në krye të vendit, përfaqësues me dinjitet e integritet dhe jo trafikantë, vrasës, tutorë, përdhunues, të cilët populli nuk i do dhe nuk i deshi për asnjë moment, por që Edi Rama ua imponoi me forcë”, thuhet në reagimin e PD.

Artikulli paraprakVeliaj përmbyt Tiranën, shpërthejnë fekalet në rrugë
Artikulli tjetërAfera 100 milionë lekë, në pranga kryetatimori