Griezmann besnik me Atleticon

Antoine Griezmann te Atletico e Madridit deri në vitin 2022. Sulmuesi francez ka arritur marrëveshjen me drejtuesit e Los Colchoneros për zgjatjen e marrëveshjes edhe me një tjetër vit, me Griezmann që ka hedhur firmën mbi kontratën e re që do ta mbajë të lidhur me klubin bardhekuq deri më 30 qershor të 2022. Lajmi u bë publik nga vetë klubi i Atleticos së faqen zyrtare. Tashmë janë pothuajse zero shanset që 26-vjeçari të largohet nga kryeqyteti spanjoll në merkaton e kësaj vere, kjo edhe për faktin se Atleticos i është pezulluar merkatoja në hyrje nga FIFA për këtë sesion dhe nuk mund të blejë dot asnjë lojtar, kështu që qëndrimi i Griezmann ishte kthyer në prioritet për Los Colchoneros. “Jam shumë i lumtur, si gjithmonë do të jap maksimumin për këtë fanellë”, deklaroi Griezmann pas rinovimit. Zgjatja e kontratës me një tjetër vit ngjason më shumë si një shpërblim i Atleticos për francezin që i shprehu besnikërinë skuadrës së Diego Simeones. Edhe në marrëveshjen e re Griezmann do të ketë një klauzolë largimi që kap shifrën e 100 milionë eurove. Për Manchester United, klubin më të interesuar për sulmuesin francez, firma me Antoine Griezmann në merkaton e saj do të mbetet thjesht një ëndërr.
Sulmuesi francez, Antoine Griezmann, është shprehur tejet i lumtur pas rinovimit të kontratës, teksa ka kërkuar falje për deklaratat e tij lidhur me Manchester Unitedin. “Gjëja e parë që dua të bëj është t’iu kërkoj falje njerëzve që i kanë keqkuptuar deklaratat e mia. Mbase mund të shprehem gabimisht apo disa njerëz duan t’i përdorin ato për lajme edhe pse nuk kanë ekzistuar”, tha Griezmann.
“Që kur kam ardhur këtu kam dhënë gjithçka nga vetja për kolegët, klubin, stafin e trajnerëve dhe jam shumë i lumtur që do të jetoj për një sezon më shumë me të gjithë ju”, u shpreh më tej francezi. “Tani kam disa ditë pushim që t’i mbledh forcat për sezonin e ardhshëm dhe të rikthehem te kolegët e mi, stafi i trajnerëve dhe të përgatitemi për sezonin e ri”, shtoi Griezmann.
Griezmann ka shënuar 83 gola në 160 paraqitje për Atletico Madridin që nga viti 2014, i cili u transferua nga Real Sociedadi.

Artikulli paraprakVarfëria, bien shitjet e tregtisë me pakicë
Artikulli tjetërInsigne dëshiron të fitojë një trofe të rëndësishëm