Ullinjtë shekullorë të rrezikuar prej ndërtimeve dhe erozionit

Studiuesit thonë se në Shqipëri ka 136 mijë rrënjë ulliri që mund të datohen deri në 3 mijë vjeçarë, duke qenë një “muze i gjallë”, ndërsa bëjnë apel për t’i mbrojtur pemët, pasi mjaft prej tyre rrezikohen prej ndërtimeve të reja dhe mungesës së kujdesit e erozionit
Këto pemë ulliri janë këtu ndoshta që para kohës kur Çezari ndoqi Pompein në këto anë, gjatë luftës civile romake në vitet 49-45 para erës sonë, por tani pas 3 mijë vjetësh ato rrezikohen prej erozionit, ndërtimeve të reja apo tentativës së fshatarëve për t’i transportuar.
“Dikush e përdor për truall dhe e shkul një ulli shekullor pa e pyetur fare, dikush tjetër e bën refugjat dhjetë ullinj i merr këtu dhe i çon në qytet, nuk ndodh kjo në ndonjë vend tjetër… duhen ligje të forta që kjo pemë ulliri të mbrohet me ligj”, thotë Prof. Enver Isufi, drejtor i Institutit të Bujqësisë Biologjike në Universitetin e Kamzës.
Isufi thotë se ullinjtë e vjetër të lënë pas dore rrezikohen edhe prej erozionit dhe thotë se fshatarët që i zotërojnë plantacionet me këto ullinj, duhen ndihmuar të ndërtojnë vetulloret (një mur i vogël gurësh rreth rrënjëve të ullinjve) që do frenonte fenomenin.
Një studim i katër pedagogëve të Universitetit Bujqësor të Kamzës, i vitit 2014, thotë se në Shqipëri gjenden 1.7 milionë pemë ulliri të vjetra (mbi 500-vjeçare) dhe llogaritet se 136 mijë janë me vjetërsi nga 1 deri në 3 mijë vjet.
Pjesa më e madhe e ullinjve të vjetër ndodhen rreth e rrotull rrënojave të kalave të vjetra, prej Shkodrës në Sarandë, por të përqendruar në plantacione i gjen në fshatrat e zonës së Krujës, Tiranës, Peqinit dhe ato të Vlorës.
Por Prof. Enver Isufi, drejtor i Institutit të Bujqësisë Biologjike thotë për BIRN, se ende te ne nuk njihet me saktësi mosha e vërtetë e pemëve të ullirit, cila kërkon analizë specifike. Ai shpjegon se mosha e ullinjve nuk matet me perimetrin e trungut si te shumë pemë të tjera dhe se për këtë duhet një analizë karboni. Megjithatë, ai dhe studiues të tjerë janë të bindur se pemë me perimetër deri 30 metra mund të jenë edhe 3 mijë vjeçare.
“Ky është një muze i gjallë, dhe tregon edhe kulturën tonë që i kemi ruajtur, edukatën tonë ekologjike, pra shumë gjëra mund të komentohen rreth ullirit shekullor. Se nuk ndodh kjo për një mollë, për një pjeshkë, për një hardhi, kjo ndodh vetëm te ulliri. Nuk gjen ndërtesë këtu në Tiranë me vjetërsinë e ullinjve”, thotë ai.
Pemët e hershme janë pjesë e legjendave popullore. “Ne e kemi me të dëgjuar, gjysh pas gjyshi, brez pas brezi, se pema më e shenjtë është ulliri dhe deri sa kanë mbajtur mend ata dhe sa mbajmë mend ne, as rrufeja nuk bie në pemën e shenjtë të ullirit”, thotë Rexhep Troci, banor i fshatit Surrel.
Po ashtu ato janë të çmuara edhe për shkak të vlerave ekonomike. Ullinjtë e vjetër pranë Tiranës vazhdojnë të prodhojnë dhe vaji i përftuar prej tyre është vlerësuar me çmime ndërkombëtare. Troci thotë se pemët e ullirit të vjetër që ai zotëron prodhojnë deri tre herë më shumë se ato të varieteteve të reja, ndërsa shton se po ashtu edhe frutet e tyre janë më të mira për nga cilësia. Ai thotë se përveç ruajtjes së ullinjve të vjetër, do duhej që të punohej edhe për të mbajtur gjallë varietetin që përshtatet më shumë me klimën dhe me natyrën e tokës.

Artikulli paraprakShqipëria humb shtatë vende në klimën e biznesit
Artikulli tjetërR.I.P “moratoriumin” e pyjeve, në Parqet Kombëtare vazhdon sëpata