Shqipëria humb shtatë vende në klimën e biznesit

Shqipëria ka humbur 7 vende në raportin e Bankës Botërore “Doing Business 2018”, duke u renditur e 65-ta, ndërsa një vit më parë ishte në vendin e 58 mes 190 ekonomive të marra në vlerësim. Kjo tregon se të bërit biznes në vendin tonë ose është vështirësuar, ose vendet e tjera janë përmirësuar me ritme më të shpejta, duke na lënë pas. Në raport me veten, bilanci është pozitiv me një përmirësim prej 0.96% krahasuar me të njëjtin raport të një viti më parë.
Shqipëria ka shënuar përmirësim në dy aspekte. Sigurimi i financimit, pra është përmirësuar aksesi në financim përmes disa nismave ligjore që lidhen me amendimet në Kodin Civil, si dhe disa aspekte të falimentit. Aspekti i dytë me përmirësimin është pjesa e rregullimit të tregut të punës, ku Shqipëria ka amenduar ligjin për orarin e punës që lejohet në një javë, si dhe faktin që burrat dhe gratë të trajtohej njëlloj në rastet e shpërblimeve.
Marrja e energjisë elektrike vazhdon të jetë sfidë për biznesin në vend, duke e renditur Shqipërinë në vendin e 157 nga 190 ekonomi, por treguesi i pikëve është përmirësuar me 0.01% krahasuar me atë ku ishim një vit më parë.
Në vendin e dytë renditet pagesa e taksave, ku Shqipëria ka regjistruar vendin e 125 me një përkeqësim prej 0.54% në raport me një vit më parë.
Lejet e ndërtimit edhe pse duket se kanë shënuar përmirësim kohëve të fundit nuk kanë mundur të sigurojnë një renditje më të mirë sesa vendi i 106, por në raport me veten jemi përmirësuar në mënyrë modeste me 0.03%.
Më pas vjen regjistrimi i pronave, ku Shqipëria renditet në vendin e 103.
Më mirë nga të gjithë procedurat e marra në vlerësim është ajo e mbrojtjes së investitorëve në minorancë, ku jemi të 20-ët dhe më pas tregtia, pra ulja e barrierave tregtare ku Shqipëria renditet në vendin e 24. Fillimi i një biznesi na rendit të 45-ët, kurse aksesi në financim të 42-ët.

Paralajmërim për largimin e mëtejshëm të investitorëve

Banka Botërore lajmëron një ulje të konsiderueshme të Investimeve të Huaja në vendin tonë në vitet në vijim. Në një projeksion të fundit për Shqipërisë, Investimet e Huaja Direkte do të përfshihen në një trajektore rënëse që këtë vit dhe për të vijuar kështu të paktën deri në vitin 2019. Banka thotë se IHD këtë vit do të arrijnë në 8.3% të PBB nga 8.7% që ishin vitin e kaluar. Por vitin e ardhshëm, ato nuk pritet të jenë më shumë se 7% e PBB dhe më 2019 do të jenë 5.6% e PBB-së.
Në vlerë absolute investimet e huaja pritet të bien me 22%. Banka thotë se vitet e fundit, Investimet e Huaja Direkte kanë qenë motori kryesor i rritjes ekonomike në Shqipëri ndaj dhe rënia e tyre do të gjenerojë një hendek. Ekonomia e Shqipërisë u rrit 3,4% më 2016 dhe kjo rritje u nxit më së shumti nga investimet private në dy projektet kryesore, gazsjellësi TAP dhe HEC-et në lumin Devoll.
Banka thotë se remitancat dhe investimet e huaja financojnë pjesën dërrmuese të importeve. Sipas BB, tani, më shumë se kurrë thekson urgjencën e reformave strukturore për të përforcuar ribalancimin e saponisur nga burimet e brendshme të rritjes ekonomike, në ato të jashtme me mbështetje më të madhe tek investimet.
Përfitimet e rritjes ekonomike me krijimin e vendeve të reja të punës duhet të konsolidohen dhe zgjerohen, në mënyrë që të thyhet zinxhiri i emigracionit, reformave të cekëta, si dhe rritjes së ngadaltë ekonomike. BB rekomandon eliminimin e faktorëve dekurajues dhe barrierave për punësimin formal, për të mundësuar ritme më të shpejta të rritjes ekonomike, krijimin e vendeve të reja të punës dhe reduktimin e varfërisë. Përmirësimi i klimës së biznesit dhe qeverisjes për të mundësuar kompanitë që të krijojnë më shumë vende pune, të zgjerohen dhe të rrisin produktivitetin është një rekomandim tjetër. Rritja e barazisë, cilësisë dhe efikasitetit të shërbimeve publike dhe sistemeve të mbrojtjes sociale, duke reduktuar në të njëjtën kohë rolin e qeverisë rekomandohen për t’u bërë.

Raporti, rritet barra e taksave, bizneset paguajnë 37.3% të fitimit

Pagesa e taksave është një nga treguesit që ka shënuar përkeqësim në raportin Doing Bussines 2018 krahasuar me një vit më parë. Ajo që vihet re është një rritje e përqindjes së fitimit që shkon për taksa dhe kontribute në arkën e shtetit si dhe rritje e numrit të procedurave.
Në raportin e këtij viti, 37.3% e këtij fitimi shkon për taksa dhe kontribute kurse një vit më parë i njëjti raport llogariste 36.5% të këtij fitimi si taksa dhe kontribute.
Numri i pagesave, që është një nënkomponent, llogaritet të jetë 35 në vit, ndërkohë që orët e shpenzuara për këto procedura llogariten në 261 në vit. Një vit më parë, numri i pagesave ishte në 34 kurse orët mbeten të njëjta.
Një nga problematikat që nxjerr në pah Doing Business 2018 është rimbursimi i TVSH-së.
“Në Shqipëri për shembull, duhen 37 javë për të marrë një rimbursim TVSH-je. Kërkesa për rimbursim pasohet nga një kontroll i autoriteteve tatimore. Duhen të paktën katër javë që kontrolli i autoritetit tatimor të fillojë. Taksapaguesit shpenzojnë 8.6 javë me kontrollin tatimor dhe presin edhe katër janë të tjera deri në vlerësimin final. Taksapaguesit mund të marrin këtë rimbursim vetëm pasi është mbyllur kontrolli. Gjithashtu, ata duhet të presin pesë javë për pagesën e rimbursimit të TVSH-së”, thuhet në raport. Ai nënvizon se procedura vijon edhe me një seri javësh të tjera pritje dhe kushtesh që duhen plotësuar.

Kriza politike ndikim tek investitorët e huaj

Në Shqipëri evidentohet fakti se, mes biznesit të madh dhe pjesës tjetër të sipërmarrjes në vend ka një hendek të madh. Banka Botërore sapo ka publikuar edhe raportin global të konkurrueshmërisë së investimeve 2017-2018, ku fokusi vihet pikërisht te ekonomitë në zhvillim, mes të cilave edhe Shqipëria. Raporti i Bankës Botërore vjen pjesërisht në formën e një ankete dhe evidenton elementët kyç që çojnë në tërheqjen e investimeve të huaja direkte në tregjet në zhvillim.
Banka Botërore arrin në përfundimin se, për investitorët e huaj, kriteret kyç që ata vlerësojnë janë: stabiliteti politik, kushtet makroekonomike, klima e biznesit dhe rregullatorët. Të gjitha këto elemente janë jo pak të lakuar edhe në vendin tonë, sidomos klima politike dhe rregullatorët. Me rregullatorë, Banka Botërore i referohet jo vetëm autoriteteve mbikëqyrëse, por edhe legjislacionit në tërësi që përfshin edhe ndryshimet e shpeshta fiskale. Ndryshimet e shpeshta në skemën dhe normat e taksimit janë një ndër elementët që vlerësohet më së shumti nga investitorët e huaj.
“Raporti global i konkurrueshmërisë së investimeve shkon përtej vlerësimit të trendeve, por eksploron në thellësi investimet e huaja direkte dhe motorët e tyre. Për më tepër, ofron rekomandime praktike dhe të arsyeshme për vendet në zhvillim që të sigurojnë eficencën maksimale nga investitorët e huaj”, deklaroi një prej hartuesve të këtij raporti. Praktikisht, Banka Botërore evidenton se, dy faktorët kyç që ndikojnë në vendimet e investitorëve janë: stabiliteti politik dhe ambienti ligjor së bashku me rregullatorët. Raporti flet edhe për mënyrën sesi impaktohet biznesi vendas nga investimet e huaja.

Investitorët e huaj të pasigurtë në Shqipëri

Shqipëria duhet të ofrojë më shumë siguri për investitorët, t’i japë fund burokracive dhe për më tepër ka nevojë për promovim. Janë këto sugjerimet e Presidentit të Dhomës amerikane të Tregtisë, Mark Crawford. Në një intervistë për “TV Scan”, Crawford theksoi se barra fiskale është e rëndësishme për ta bërë vendin atraktiv krahasuar me rajonin, por jo problemi kryesor sa i përket investitorëve të huaj. Këta të fundit po largohen për shkak të konflikteve të vazhdueshme tregtare, përfshirë edhe presionet që vijnë sidomos nga problemi i ndarjes së pronave. Crawford evidenton se sipërmarrësit amerikanë kanë tërhequr investimet në energjetikë, ndërkohë një sektor premtues dhe me interes rezulton ai financiar. Teksa ndalet në perceptimin që investitorët e huaj kanë për Shqipërinë, Presidenti i Dhomës amerikane të Tregtisë, thotë se është mjaft e rëndësishme që Shqipëria të promovojë sektorët ku ka potencial për të investuar. Dhoma amerikane e Tregtisë i ka paraqitur Ministrisë së Financave, një listë propozimesh prej 25 pikash lidhur me paketën fiskale të vitit 2018, duke vënë theksin tek tatimi mbi dividendin dhe ulja e kufirit të regjistrimit të TVSH apo aftësitë menaxhuese të administratës tatimore lidhur me to. Ndërkohë, që disa ditë më parë Dhoma amerikane e Tregtisë ngriti shqetësimin se investitorët e huaj ankohen se inspektorët që u paraqitet në kontrolle janë të pakualifikuar, madje dhe qëndrojnë në zyra në një afat të gjatë, duke penguar aktivitetin. Vetëm disa ditë pas nisjes së fazës së tretë të aksionit antiinformalitet përfaqësuesit e investitorëve të huaj shprehin ankesa mbi kontrollet nga inspektorët tatimorë. Ky problem është prezent nga bizneset amerikane që operojnë në Shqipëri gjatë një takimi të zhvilluar me Drejtorinë e Tatimeve. Alketa Uruçi, anëtare e Bordit të Dhomës Amerikane të Tregtisë u shpreh se ndodh shpesh që, inspektorët që vijnë për kontrolle nuk kanë kualifikimin e duhur. “Fatkeqësisht deri tani edhe nga Drejtoria Rajonale e Tatimpaguesve të Mëdhenj që sigurisht ka inspektorët më të trajnuar dhe më cilësorë profesionalisht shohim inspektorë që vijnë në kontroll dhe rrinë 2 muaj, 3 muaj duan të shohin çdo gjë, por nuk dinë çfarë të kontrollojnë”, u shpreh ajo. Dhoma Amerikane kërkoi ndër të tjera që lufta ndaj informalitetit të jetë e vazhdueshme dhe jo me faza. “Do të doja që të shihja një luftë kundër informalitetit konstante, jo me aksione, jo me kontrolle të dhunshme”, tha më tej.

Artikulli paraprakRepublika Kryeministrore me ligje personale
Artikulli tjetërUllinjtë shekullorë të rrezikuar prej ndërtimeve dhe erozionit