”Ulja e taksave nga Trump? Është reformë e kapitalizmit

“Corriere della Sera”

“Më shumë se një reformë fiskale është një reformë e kapitalizmit. Në bazën e saj është një projekt gjeopolitik i rilançimit të Amerikës bazuar mbi investimet: shtytje për kompanitë dhe fund të rënies. Kush thotë se, Shtetet e Bashkuara po kthehen në strategjinë e Arthur Laffer, frymëzuesit ekonomik të Ronald Reagan, e ka gabim: reforma e Donald Trump ndjek një logjikë të kundërt ndaj asaj të Ronald Reagan në vitet Tetëdhjetë”.
Giulio Tremonti përgatitet për sfidën elektorale, bashkë me Vittorio Sgarbi, në drejtimin e një lëvizjeje të re me frymëzim estetiko-politik, e quajtur Rinascimento, por në të gjallojnë gjithmonë genet e ministrit që për shumë vite ka projektuar politikat ekonomike dhe tributare të qeverive Berlusconi. Frymëzohet që të shpjegojë sesi, sipas tij, Trump do t’i përdorë taksat për të ndryshuar jo vetëm ekonominë, por edhe rolin ndërkombëtar e Shteteve të Bashkuara. Dhe në fund, kalon pikërisht aty: “Nuk më takon mua të bëj krahasime, por filozofia e kësaj reforme amerikane është shumë e ngjashme me atë të ligjit Tremonti të vitit 1994. Atëherë miratuam një detaksim të fitimeve të përdorur për të blerë mallra instrumentalë. Qe eksperimenti i parë i përdorimit të tatimeve për të stimuluar në vend se për të taksuar. Të stimulojë investimet në këtë rast. Trump bën të njëjtën gjë: për rilançimin synohet tek prodhimi, jo tek konsumet”.

Pse Trump shkon në drejtim të kundërt krahasuar me Reagan?
“Reformën e parë fiskale Amerika e ka pasur me Franklin Delano Roosevelt që në vitet ‘40 të shekullit të kaluar transformoi taksën mbi të ardhurat në një tatim personal progresiv masiv për të financuar luftën dhe, më pas, të ashtuquajturin Big Government. 40 vite më pas, Ronald Reagan ndryshon kurs: ul në mënyrë drastike taksat personale në mënyrë që të rrisë konsumet dhe, për pasojë, PBB-në. Dëshiron të japë një shtytje të menjëhershme, është era e hedonizmit reaganian”.

Edhe Trump thotë se reforma e tij do ta rigjallërojë ekonominë. Ashtu si Reagan, edhe ai rrezikon që të shkaktojë një rritje të fortë të borxhit publik federal.
“Reforma e viteve ’80 bëri të rritej ekonomia. Nuk është e qartë nëse ka qenë përgjegjëse edhe për rritjen e borxhit: ato qenë vite shpenzimesh të fuqishme riarmatimi ushtarak, qenë akoma kohërat e Luftës së Ftohtë. Sigurisht që Reagan nuk preokupohej më shumë sesa Trump për respektimin e kufizimeve të bilancit. E kujton shprehjen e tij të famshme lidhur me deficitin që është mjaft i madh sa mund të kujdeset për veten? Por le të kthehemi në ditët tona. Do të duhet kohë për të matur efektin e reformës së re të bilancit federal dhe impaktin ekonomik ndaj familjeve. Veç të tjerash, tekstet e miratuara nga Dhoma dhe Senati janë të ndryshëm. Do të shohim se çfarë do të ndodhë në seli pajtimi dhe me votën finale. Por është e qartë deri më tani se ajo e Trump është një reformë shumë ndryshe: nuk është e përqendruar mbi të ardhurat individuale, por mbi kompanitë, nuk kërkon as popullaritetin, as impaktin e menjëhershëm me një ulje të fortë të tatimeve ndaj personave fizikë, shikon larg. Synon që të ndryshojë strukturën industriale në periudhën afatgjatë. Besoj se edhe kësaj radhe, ashtu si në epokën Reagan, Amerika do të bëjë shkollë: Europa të marrë shënim”.

Benefitet për kompanitë janë praktikisht të mëdha. Por janë të shumtë ata që mendojnë se këtu Trump ka normalizuar një situatë anormale: Shtetet e Bashkuara, që kishin një tatim mbi bizneset shumë të lartë, 35%, dhe pretendimi për të taksuar aktivitetet e zhvilluara nga bizneset amerikane edhe jashtë vendit, tani ulen në 20%, si vendet e tjera perëndimore, dhe parapëlqejnë një sistem taksimi territorial: më e ngjashme me atë të pjesës tjetër të botës.
“Ka edhe më. Ndërkaq kjo është reforma e parë në epokën e globalizimit. Ajo e Reagan e menduar për kontribuesit individual në një botë në të cilën ekzistonin akoma kufijtë kombëtarë. Kurse reforma aktuale është e menduar për botën e globalizuar, për të sjellë në shtëpi kompanitë amerikane që kanë shkuar jashtë vendit. Trump fut një tarifë më të ulët se ato europiane dhe një mekanizëm administrativ shumë më të thjeshtë. Kjo do t’u japë një avantazh të madh Shteteve të Bashkuara: bizneset e tyre do të kenë të gjithë interesin që të kthehen e t’i përqendrojnë aktivitetet e tyre të taksueshme në vend. Për Europën do të ketë telashe edhe pse, me masën e vetme që dëgjoj të kritikohet ashpërt, kjo reformë krijon një destimulues për të bërë blerje jashtë vendit. Bizneset amerikane do të duhet të paguajnë një tatim prej 20% – akcizë apo inbound tax – mbi atë që blejnë në vendet e tjera. Është proteksionizëm, një rikthim i ekzagjeruar në merkantilizëm: një rrezik i madh për Europën, e cila duhet të kërkojë sesi të reagojë, çfarë të bëjë”.

Një Donald Trump, që pasi ka kërcënuar prej vitesh një mbyllje të Amerikës së përgjakur nga free trade, zgjedh izolacionizmin fiskal? Një tjetër faktor shqitës të raportit të Shteteve të Bashkuara me aleatët e tyre.
“Lidhur me këtë duhet reflektuar. Shkurajimi i blerje jashtë nënkupton që të flitet për merkantilizëm: nuk është mirë. Ama kjo është një reformë me efekte shumë më të gjera: përpara një udhëkryqi midis rënies dhe zhvillimit, zgjedh zhvillimin”.

Ama e bën në mënyrë të çekuilibruar dhe, ndoshta në momentin e gabuar: vlerëson të pasurit më shumë sesa të varfërit në një vend tashmë të shënuar nga shpërdorime ekstreme në shpërndarjen e të ardhurave. Pastaj, ekonomistët vërejnë se detaksimet për të mbështetur ekonominë bëhen për të përmbysur një cikël negativ, ndërsa ekonomia amerikane rritet me ritëm të mirë: rreziku është që ta nxehë.
“Lëri rehat ekonomistët. Kjo, siç e kam thënë, është një manovër konjukturale. Nuk është një reformë që kërkon rezultatin ekonomik dhe as konsensusin e mënjehershëm elektoral. Kush do të paguajë më pak taksa, gjithsesi, nuk do të fitojë shumë. Është një reformë sistemi që ndryshon rregullat e kapitalizmit amerikan. Mund të mos pëlqejë, por është me këtë që do të duhet të përballemi. Për sa i përket barazisë, do mund t’ju përgjigjesha me apologjinë e bukës: përpara se ta konsumosh, duhet ta prodhosh. Nëse bukëpjekësi arrin që të prodhojë më shumë, nga kjo do të përfitonin të gjithë”.

Përveçse në Amerikë në fakt rrogat ngecin në vend dhe shtresa e mesme zhduket. Rriten vetëm fitimet.
“Atëhere në një fazë të dytë, benefitet fiskale do të jepen duke u kërkuar në shkëmbim bizneseve që të paguajnë rrogat e duhura. Por problemi i barazisë, megjithëse i rëndësishëm, nuk mund të lërë në hije rënien e projektit gjeopolitik që është në bazën e bastit të Donald Trump: të ndalojë rënien e Amerikës, duke u dhënë një shkundje bizneseve të saj. Parashikoj fenomene imitimi në Europë: në vend që të konkurrojnë fiskalisht midis tyre, Gjermania dhe Franca do të duhet të preokupohem për konkurrencën tributare të Shteteve të Bashkuara”.

 

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakIcardi: Ky është objektivi i Interit
Artikulli tjetërKorsika, ndërmjet Italisë dhe Francës