Ujqërit e Natës së Putinit do të nisin turin ballkanik të motoçiklistëve

Klubi më i madh i motoçiklistëve të Rusisë, Ujqërit e Natës, i njohur për lidhjet e tij të ngushta me Presidentin Vladimir Putin, do të nisë të enjten turneun e tij me motorë “Bota sllave 2016”, që do të kalojë nëpër shumë vende të Ballkanit gjatë rrugës për në destinacionin e qytetit sllovak Nitra.
Udhëtimi, që synon “Forcimin e dialogut mes popujve sllavë” do të nisë nga Rusia dhe do të ndahet në pesë kolona të veçanta, e cilat do të udhëtojnë drejt 12 vendeve të Europës Lindore.
Mes tyre pesë janë shtete të Ballkanit – Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Bullgaria.
Evgeni Strogov, kreu i Federatës së Turizmit Motoristik të Rusisë, shpjegoi më 16 qershor se nisma është planifikuar prej më shumë se gjashtë muajsh dhe do të “forcojë lidhjet rajonale dhe ndërkombëtare të Rusisë”.
“Ne jemi të angazhuar të lidhim vendet ortodokse dhe botën sllave… në Ballkan kemi Serbinë, Bullgarinë, Malin e Zi dhe kjo është arsyeja pse mund të them se ndihem si në shtëpi atje”, tha ai për Radion Kombëtare Bullgare më 20 qershor.
Udhëhequr nga Aleksandri “Kirurgu” Zaldostanov, Ujqit e Natës u krijua si një klub i muzikës rok dhe fansave të motorit në vitet 1980.
Në ditët e sotme, ata kanë një marrëdhënie të fortë me udhëheqësin rus Putin, i cili i quan “miq” dhe shpesh shfaqet në mitingjet e tyre nacionaliste, hipur në një Harley Davidson.
“Ujqërit” madje financohen nga Kremlini dhe janë gjithashtu të përfshirë me Kishën Ortodokse Ruse.
Grupi fitoi famë pas pjesëmarrjes në aneksimin e rajonit të Krimesë nga ana e Rusisë, duke patrulluar në rrugët e qytetit të Krimesë e Sevastopolit. Disa anëtarë të bandës janë bashkuar edhe me grupet militante pro-ruse në lindje të Ukrainës.
Lajmi i ardhjes së planifikuar të ujqërve në Bullgari më 30 qershor u prit me reagime të ndryshme, edhe pse kjo nuk do të jetë vizita e parë në vend.
Ata kanë një degë bullgare në qytetin jugperëndimor të Kyustendil, ku motoçiklistët shpesh organizojnë evente nën ombrellën e autoriteteve komunale.
Lajmërimi për “Marshimin sllav 2016″, megjithatë, tërhoqi kritika në media dhe në rrjetet sociale, ku disa shprehën frikë nga një provokim i Kremlinit.
“Qëllimi është demonstrimi i vetëbesimit të Rusisë si mbrojtëse e botës ortodokse sllave dhe valëvitja e flamurit rus mbi këtë botë, që sipas propagandës së Kremlinit gjithmonë duhet të jetë e dominuar nga Moska” shkroi në Facebook më 19 qershor Alexander Yordanov, ish-kryetar i Parlamentit bullgar dhe ambasadori në Poloni dhe Rusi.
Ai pohoi se “Ujqërit e Natës… nuk vijnë në Bullgari për mirë”, duke shtuar: “Provokimi është një fakt”.
Disa zëra favorizojnë ndalimin e turneut, duke ndjekur shembullin e Polonisë në maj të këtij viti, por nuk ka pasur reagime të tilla shtetërore që ta bëjnë këtë të mundur. Strogov gjithashtu hodhi poshtë një mundësi të tillë, duke thënë se motoçiklistët kanë të drejtë të vijnë.
Kjo nuk do të jetë vizita e parë e “ujqërve” në Malin e Zi gjithashtu. Ata e vizituan gjithashtu vendin në maj për një pelegrinazh në manastirin e Ostrogut, që konsiderohet si pika më e rëndësishme ortodokse në vend.
“Ujqërit ishin në shoqërinë e regjisorit të famshëm serb-boshnjak, Emir Kusturica, dhe u pritën me duartrokitje nga mijëra besimtarë, të cilët tradicionalisht dynden në vendin e pelegrinazhit pranë qytetit të Nikshiqit.
Në tetor 2014, motoçiklistët vizituan Malin e Zi në një pelegrinazh me motorë të quajtur “Ballkani Rus”, që u promovua në faqen zyrtare të ambasadës ruse në Podgoricë.
Ata kanë degën e tyre në Mal të Zi, ku bëjnë pjesë anëtarë nga disa qytete të vendit, që veprojnë nën moton “Lutju Perëndisë dhe rri me Rusinë”.
Serbia gjithashtu ka pjesën e vet të “ujqërve”.
Gjatë vizitës së Putinit në Serbi në vitin 2011, gjatë një ndeshjeje futbolli mes Zenitit të Rusisë dhe Yllit të Kuq serb, lideri i ujqërve serbë, Goran Jovanoviç Fonza, u ul pranë Presidentit rus.
Ujqërit e Natës janë të njohur në Serbi për mbështetjen e tyre të fuqishme për serbët e Kosovës, për organizimin e veprimeve të ndryshme humanitare dhe për lidhjet e tyre të forta me “vëllezërit ortodoksë”.

Artikulli paraprakFinalistja e parë e Kupës së Amerikës
Artikulli tjetërParlamenti maqedonas refuzon shkarkimin e Presidentit