Turqia po përballon një situatë të jashtëzakonshme

Bujar NISHANI

E falënderova Presidentin Erdogan gjithashtu edhe për ftesën për të marrë pjesë në ceremoninë e djeshme të inaugurimit të Tunelit Euroazia, duke më dhënë mundësinë të jem i pranishëm në inaugurimin e kësaj vepre historike me rëndësi jo vetëm për qytetin e Stambollit.
Pata nderin dhe kënaqësinë të bisedoja gjatë me Presidentin Erdogan, por edhe me autoritete të tjera të larta të Republikës së Turqisë, mbi marrëdhëniet tona dypalëshe, por dhe për zhvillimet shqetësuese të kohëve të fundit në kuadrin e sigurisë dhe paqes, në vendet dhe rajonet tona.
Sigurisht që ngjarjet e ditëve të fundit ishin në fokus të bisedave dhe shqetësimeve të përbashkëta.
Shpreha edhe një herë ngushëllimet më të ndjera e të sinqerta për viktimat e sulmeve terroriste që kanë goditur së fundmi Stambollin dhe qytete të tjera të Turqisë, si dhe solidaritetin e palëkundur të Shqipërisë krah Turqisë në luftën kundër terrorizmit dhe sponsorizuesve të tyre.
Atentati ndaj ambasadorit rus në Ankara ishte një krim burracak që Shqipëria e dënon me forcë dhe i shpreh ngushëllimet familjarëve të diplomatit dhe autoriteteve ruse.
Po ashtu dënova edhe një herë aktet dhe tentativat e 15 korrikut të këtij viti për rrëzimin me dhunë të qeverisë turke të zgjedhur demokratikisht, si dhe shpreha solidaritetin me Presidentin Erdogan, qeverinë dhe rendin kushtetues në Turqi, për kapërcimin e plotë të pasojave të grushtit të dështuar të shtetit.
Gjithashtu, pata rastin të përshëndes rolin dhe solidaritetin e jashtëzakonshëm të Turqisë në kuadrin e përballimit të krizës së refugjatëve sirianë, si dhe vullnetin e shprehur nga autoritetet turke për të pranuar refugjatë të tjerë sirianë të evakuuar nga Siria në nevojë për ndihma humanitare dhe trajtime mjekësore.
Turqia po përballon një situatë të jashtëzakonshme, e cila meriton mbështetjen e gjithanshme. Në takimin e sotëm (djeshëm), një vëmendje të veçantë ia kushtuam  marrëdhënieve dypalëshe, ku pata rastin të shpreh kënaqësinë për marrëdhëniet e shkëlqyera historike e tradicionalisht miqësore e vëllazërore mes dy vendeve e dy popujve.
Në muajin maj të vitit të kaluar pata nderin të mirëpres në Tiranë, në një vizitë shtetërore Presidentin Erdogan. Ndërsa sot (dje) vijuam bashkëbisedimin me interesin maksimal dhe vullnetin e përbashkët për t’i nxitur edhe më tej marrëdhëniet e partneritetit strategjik dhe zgjeruar bashkëpunimin ekonomik e tregtar mes dy vendeve tona.
Shpreha mirënjohjen për mbështetjen personale që Presidenti Erdogan dhe qeveria turke i kanë dhënë Shqipërisë përmes asistencës teknike në fushën e infrastrukturës, shëndetësisë e bujqësisë, por edhe për arsimimin dhe trajnimin ndër vite, të qindra studentëve dhe oficerëve shqiptarë, në licetë dhe universitetet civile dhe ushtarake në Turqi.
Gjithashtu, falënderova autoritetet turke për ndihmën e dhënë në modernizimin e policisë dhe ushtrisë shqiptare, si dhe asistencën e dhënë përmes Agjencisë TIKA në Shqipëri.
Theksova se hapësirat e bashkëpunimit janë ende të paeksploruar mirë dhe institucionet e të dy vendeve mund të bëjnë më shumë për krijimin e kushteve të përshtatshme për praninë e investimeve turke në Shqipëri. Investimet turke, veçanërisht në fushat e energjetikës, logjistikës, infrastrukturës dhe fusha të tjera, janë shumë të mirëpritura në Shqipëri.
Po ashtu vlerësuam marrëdhëniet e ngushta në fushën e mbrojtjes, si një nga fushat parësore, ku theksova mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë si aleat në NATO dhe partner strategjik në përgatitjen dhe modernizimin e forcave të armatosura dhe të atyre speciale në Shqipëri.
Vlerësuam se bashkëpunimi mbetet model edhe në kuadrin e misionit ISAF në Afganistan dhe në kuadrin e patrullimit të përbashkët në Detin Egje. Sigurisht në këto të shtimit të veprimtarisë dhe kërcënimeve terroriste, diskutuam edhe për bashkëpunimin mes strukturave të inteligjencës dhe sigurisë së dy vendeve dhe shprehëm mbështetjen për intensifikimin e bashkëpunimit mes institucioneve të inteligjencës dhe ato ligjzbatuese, në goditjen e elementëve terroristë. Vlerësuam bashkëpunimin e shkëlqyer në shkëmbimin e informacionit, identifikimin dhe ndalimin e të ashtuquajturve “luftëtarë të huaj”. Falë edhe këtij bashkëpunimi, sot nuk flitet më për kontingjente nga Shqipëria.
Në kontekstin e bashkëpunimit rajonal, vlerësova rolin shumë të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm të Turqisë në favor të paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe shpreha mirënjohjen për mbështetjen shumë domethënëse dhe të vazhdueshme për Kosovën, konsolidimin e shtetit të ri, si dhe njohjen e pavarësisë së saj nga shtete të reja.
Temat dhe fushat e bashkëpunimit janë të shumta dhe vullneti i përbashkët për t’i forcuar ato po ashtu. Ndaj dhe pas takimit të sotëm (djeshëm) me Presidentin Erdogan dhe autoritetet e tjera të larta turke, jam i bindur se marrëdhëniet mes institucioneve të dy vendeve tona do të intensifikohen edhe më shumë, në përputhje me nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve miqësore e vëllazërore mes dy popujve dhe në nivel politik mes dy vendeve.

Artikulli paraprakDorëhiqet Menduh Thaçi
Artikulli tjetërVettingu dënohet me kontroll qeveritar