Dorëhiqet Menduh Thaçi

Lideri i partisë PDSH në Maqedoni, Menduh Thaçi ka dërguar dje tek organet partiake dorëheqjen e tij nga posti i kryetarit të partisë. Kjo, si pasojë e humbjes së madhe që PDSH pati në zgjedhjet e parakohshme parlamentare duke rënë kështu nga 7 mandate në dy mandate të fituara në zgjedhjet e 11 dhjetorit, raportojnë mediat lokale. Në këto zgjedhje partitë shqiptare morën më pak vende në Parlament, se ato paraardhëse, si pasojë e përçarjes.
Kështu, Partia Demokratike Shqiptare ka vendosur që të shkojë në kongres të jashtëzakonshëm për datën e të cilit akoma nuk ka vendosur partia se kur do të mbahet.
“Të dashur miq, sapo dorëzova dorëheqjen e parevokueshme nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike Shqiptare, Këshillit Drejtues të PDSH-së. Partinë Demokratike Shqiptare do ta drejtojë në mënyrë kolektive Këshilli Drejtues deri në Kongresin e jashtëzakonshëm, data e mbajtjes e të cilit do të caktohet nga Kuvendi Qendror i Partisë. Koordinator i aktiviteteve u emërua sekretari i Përgjithshëm, z.Azem Sadiku, ndërsa unë mbetem ushtar i bindur i Partisë Demokratike Shqiptare”, ka shkruar Menduh Thaçi në Facebook.

Artikulli paraprak738 milionë lekë për biletat e avionit të Mimit
Artikulli tjetërTurqia po përballon një situatë të jashtëzakonshme