Vettingu dënohet me kontroll qeveritar

Gjykata Kushtetuese rrëzoi dje kërkesën e Partisë Demokratike për të pezulluar Ligjin “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, njohur ndryshe si ligji i Vettingut. Sipas burimeve 6 gjyqtarë kanë votuar kundër kërkesës së opozitës, ndërsa dy pro.
PD deklaroi se respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa paralajmëroi se vendimi do ta vendosë Vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve në një kontroll politik, i cili do të ndikojë në thellimin e korrupsionit dhe kapjen e drejtësisë nga politika. “Në kushtet aktuale, kur kryeministër është Edi Rama, i cili është i lidhur me krimin dhe është zhytur në korrupsion, kontrolli kryeministror i Vettingut do ta thellojë korrupsionin dhe kapjen e drejtësisë nga politika”, thuhet në deklaratën e PD.
Ligji është një nga shtatë ligjet që plotësojnë paketën e reformës në drejtësi të filluar me ndryshimet kushtetuese të korrikut 2016. Ligj u miratua nga Kuvendi në muajin gusht vetëm me votat e shumicës, ndërsa opozita braktisi votimin.
Në tetor, Partia Demokratike ankimoi në Gjykatën Kushtetuese ligjin.
Ekspertët e opozitës pretendonin se ligji i miratuar bie ndesh me Kushtetutën sepse lejon ndërhyrjen e institucioneve në varësi të qeverisë në procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve e prokurorëve, ndërkohë që përcaktimet kushtetuese kërkojnë që procesi i vlerësimit të kryhet nga institucionet e pavarura të krijuara për këtë qëllim.
Gjykata Kushtetuese i kërkoi Komisionit të Venecias një opinion miqësor lidhur me ligjin. Pak ditë më parë, Komisioni i Venecias bëri të ditur qëndrim e saj. Komisioni nuk vlerëson kushtetueshmërinë e ligjit, çka është kompetencë e Gjykatës Kushtetuese, por përputhshmërinë e përgjithshme të tij me standardet europiane.
Në lidhje me çështjen nëse lejon apo jo ligji ndërhyrjen e institucioneve në varësi të qeverisë në procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve e prokurorëve, Komisioni shprehet se roli i dy organeve- Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) dhe Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) — “duhet të kufizohet deri në atë pikë sa nuk cenon funksionimin e institucioneve të Vettingut, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe Kolegjit të Apelimit (KA)”.

PD: Lidhjet e Ramës me krimin thellojnë korrupsionin

Partia Demokratike ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi kërkesën e demokratëve për ta shpallur ligjin e Vettingut antikushtetues. “Partia Demokratike respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me ligjin e Vettingut dhe ripohon vendosmërinë e saj për spastrimin e sistemit të drejtësisë nga të korruptuarit dhe shërbëtorët politikë. Partia Demokratike mbetet njësoj e shqetësuar se ligji aktual do ta vendosë Vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve nën kontrollin e Kryeministrit. Kontrolli qeveritar i Vettingut është njësoj i rrezikshëm pavarësisht se kush është kryeministër. Por në kushtet aktuale, kur kryeministër është Edi Rama, i cili është i lidhur me krimin dhe është zhytur në korrupsion, kontrolli kryeministror i Vettingut do ta thellojë korrupsionin dhe kapjen e drejtësisë nga politika”, thuhet në deklaratën e PD.

Artikulli paraprakTurqia po përballon një situatë të jashtëzakonshme
Artikulli tjetërVëllai i Kryeministrit tek laboratori i kokainës