Turqia kërkon rishikimin e vendimit amerikan për vizat

Turqia u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të rishikojnë ndalimin e përkohshëm të aplikimeve për vizat jo për imigracion – një lëvizje që u reflektua edhe nga Turqia një ditë më parë.
Në një deklaratë dje të ambasadës amerikane në Ankara thuhet se, “ngjarjet e fundit e kanë detyruar qeverinë amerikane që të rishqyrtojë angazhimin e qeverisë turke lidhur me sigurinë e objekteve të misionit dhe personelit amerikan”. Në deklaratë nuk thuhej ndonjë arsye për rivlerësimin e angazhimit të Turqisë apo sa gjatë do të vazhdonte pezullimi.
Në deklaratë po ashtu thuhet se, “për të minimizuar numrin e vizitorëve në ambasadë dhe konsullata ndërsa vazhdon ky vlerësim, efektivisht menjëherë pezullohen të gjitha shërbimet për viza jo emigrimi në të gjitha objektet diplomatike amerikane në Turqi”.
Disa orë më vonë Turqia u kundërpërgjigj duke njoftuar pezullimin e shërbimeve të saj të vizave për Shtetet e Bashkuara duke përdorur të njëjtën gjuhë.
Ministria e Jashtme e Turqisë thirri zëvendësambasadorin amerikan të hënën për t’i bërë thirrje Uashingtonit të ndryshojë vendimin e tij për aplikimet për viza jo emigracioni duke thënë se po shkakton tensione të panevojshme dhe kjo ka bërë që të bjerë vlera e aksioneve dhe e monedhës turke.
Javën e kaluar, Turqia arrestoi Metin Topuz, një punonjës të konsullatës amerikane dhe shtetas turk, duke e akuzuar atë për komunikim të rregullt me anëtarë të dyshuar drejtues të atij që Turqia e ka cilësuar si një rrjet terrorist që e fajëson për grushtin e dështuar të shtetit kundër presidentit Recep Tayyip Erdogan vitin e kaluar.

Artikulli paraprakCDU dhe CSU bien dakord për çështjen e refugjatëve
Artikulli tjetër77.4 milionë në muaj na kushtojnë pagat e ministrave dhe zëvendësve të tyre