Trump si Ronald Regan?

“Defense Analysis”

Siç parashikohej, Donald Trump i prish digat dhe në javën e parë si banor i Shtëpisë së Bardhë konfirmon të gjitha objektivat e manifestuara në programin që e ka çuar të fitojë zgjedhjet presidenciale. Në politikën e jashtmë thekson aksin e rinovuar me Londrën në takimin me Theresa May, kryeministren britanike e lavdëruar për daljen nga Bashkimi Europian që Trump e quan publikisht një instrument të kontrolluar nga Gjermania dhe kundërshtar të Shteteve të Bashkuara. Nuk është rastësi që zonja May ka qenë kreu i parë shtetëror që ka takuar Trump pas hyrjes në Shtëpinë e Bardhë, si për të konfirmuar një çmarkim të mëtejshëm britanik nga Bashkimi Europian, liderët e të cilit vazhdojnë që të shprehin dyzime, në mos përbuzje (është rasti i Jean Claude Juncker dhe Francois Hollande) ndaj presidentit të ri amerikan. Rikonfirmimi i mirëkuptimit anglo – amerikan, që duket se do të rinovojë salltanetet e arritura në vitet Tetëdhjetë nga çifti Ronald Reagan – Margareth Thatcher, ka mundësi që do të ketë midis objektivave të tij frenimin e Kinës dhe kundërshtimin e Bashkimit Europian “gjermanocentrik”.
Objektiva që, megjithëse me “stil” dhe fjalor të ndryshëm, qenë ndjekur edhe nga Barack Obama, që jo rastësisht u hidhërua nga rezultati i referendumit britanik, duke vlerësuar se me daljen e Londrës do t’i merrte e pashqetësuar në dorë frenat e Europës falë një aksi me Francën, e cila, po të flasim ushtarakisht, është ende fuqia më e madhe e Kontinentit të Vjetër. Megjithëse pa përdorur retorikën e “ngjitjes shpejt” dhe një çikë prej kaubojsi të Trump, në shumë raste Obama e kishte kritikuar politikën ekonomike të bazuar mbi rreptësinë financiare që Berlini u ka imponuar partnerëve. Politikë funksionale për të zgjeruar doninimin gjerman mbi ekonomitë e vendeve të tjera të Bashkimit Europian, por që sipas Obamës pengonte gjallërimin ekonomik botëror pas krizës së shpërthyer në 2008.
Kërkesa për gjeneralin James Mattis, Sekretar i Mbrojtjes, që të hartonte një plan për ta rritur luftën ndaj Shtetit Islamik konfirmon vullnetin e Trump për ta fituar konfliktin e gjatë me xhihadizmin, i nisur zyrtarisht me 11 shtator 2001, por realisht në zhvillim qysh 10 vite më parë. Një luftë kundër ekstremizmit islamik që Trump mendon se mund të fitohet në fushat e betejës falë një mirëkuptimi me Rusinë të bazuar pikërisht mbi nevojën e luftimit të armikut të përbashkët. Një opsion që, në rast se konkretizohet, do t’i mundësojë aksit Moskë – Uashington që ta përballojë me kthjelltësi më të madhe luftën kundër xhihadit nga Siria në Afganistan, nga Iraku në Libi.
Masat në frontin e brendshëm të marra nga Trump shkojnë në të njëjtin drejtim. Ndalimi për hyrjen e shtetasve islamikë të ardhur nga vende me prani xhihadiste më të thellë dhe kapilare, përfshi Irakun dhe Sirinë, lë të kuptojet se tashmë është maturuar vetëdija e rrezikut që ndodhen në një emigracion islamik me potencialitete eksplozive në termat e terrorizmit dhe rekrutimit. Njoftimi i privilegjimit të mirëpritjes së refugjatëve kristianë shkon në këtë drejtim dhe dëshmon akoma më shumë diferencat me Europën, tashmë nën mëshirën e kërcënimit të brendshëm të markës islamike, por e paaftë që të marrë vendime politike efikase dhe me pasoja.
Rritja e luftës kundër emigracionit klandestin, e simbolizuar me rrugën e kompletimit të murit gjatë kufirit me Meksikën mund të duket si një simbol i dukshëm i racizmit të Trump vetëm atij që shtiret se nuk e di që ky mur u ngrit për pjesën tashmë të kompletuar nga shumë demokrati Bill Clinton, ndërsa nën administratën Obama Shtetet e Bashkuara kanë refuzuar mijëra kubanezë që tentonin të arrinin Floridan me varka e gomone dhe kanë përzënë pothuajse 3 milionë emigrantë klandestinë, në pjesën më të madhe meksikanë dhe qendroamerikanë.
Fakti që Trump dëshiron të vazhdojë në këtë rrugë, duke bllokuar hyrjet e ardhshme ilegale dhe duke përzënë të paktën të njëjtin numër klandestinësh të Obamës, ama të zgjedhur kryesisht midis atyre që kanë kryer shkelje dhe krime, mund të habisë vetëm një Europë që tashmë ka hequr dorë të ushtrojë çdo lloj sovraniteti, përfshi atë mbi kufijtë e saj. “Një vend pa kufij nuk është vend”, ka thënë presidenti amerikan. Një shprehje që do të tingëllonte banale në çdo epokë historike, por që është bërë revolucionare (apo reaksionare, sipas këndvështrimit) në Perëndimin e sotëm, sidomos në Europë. Një shprehje që u ofron një mbështetje, nga kjo anë e Atlantikut, lëvizjeve patriotike që u kundërvihen zbarkimeve të pambarimta të miliona aziatikëve dhe afrikanëve, pothuajse të gjithë të fesë islamike. Por më mirë të mos krijohen iluzione dhe të mos llogaritet shumë Trump si idhtar i partive të ashtuquajtura “sovraniste” apo populiste europiane. Ama kujdes në konsiderimin e Trump, si paraardhësit e tij, si “mik” apo “armik”. Presidenti i Shteteve të Bashkuara do të mbrojë gjithmonë interesat amerikane, qoftë kur e thotë hapur (America First!), qoftë kur e shpreh me koncepte të tilla si “multilateralizëm” apo “soft power” të shpallura në kohën e tij nga Obama.
Nuk mund të jetë rastësi që Trump po lidh sërish aleancën me Londrën, një “marrëdhënie speciale” me rrënjë shumë të largëta, e cila ishte zbehur shumë pas largimit të George W. Bush, por njëkohësisht synon edhe një mirëkuptim të gjerë strategjik me Moskën. Të bën pothuajse të qeshësh fakti kur mendon se të njëjtit aleatë të 70 viteve më parë janë sërish gati të mobilizohen kundër hegjemonisë gjermane në Europën kontinentale, një skemë historike që të sjell ndërmend fjalët e Uinston Çërçillit, i cili pas fitores së 1945 parafiguroi një përplasje të re në Europë “pas 50 vjetësh”, kur Gjermania do ta ringrejë kokën. Mund të mos jetë koinçidencë që Trump ka dashur që bustin e Çërçillit, të hequr nga Obama, ta rikthejë në vendin e tij në Sallën Ovale e Shtëpisë së Bardhë. Mundësia për të rihyrë në rrethin e fuqive të mëdha falë “paktit të çeliktë” me Trump nuk i ka shpëtuar qeverisë së Madhërisë së Saj, e gatshme që të bëjë një prapaktheu të bujshëm lidhur me Sirinë, duke pranuar tani që Bashar al Assaf të qëndrojë në postin e tij siç pretendon Moska. Përveç Gjermanisë, në shënjestrën e Trump është edhe Kina, kundër së cilës presidenti duket se do të përdorë dy instrumenta: fuqizimin ushtarak dhe sidomos detar në Paqësor dhe luftën tregtare me kufizimin e aksesit të mallrave kineze në tregun amerikan. Një vendim i gjykuar nga shumë si i guximshëm, por që po e vlerëson Trump edhe me një bum të paprecedent të Uoll Stritit.
Objektivi strategjik duket ai i futjes së Pekinit në një garë të mëtejshme armatimi që përkon me rënien apo të paktën me ndalimin e rritjes së ekonomisë së tij, gjë që mund të shkaktojë revolta dhe trazira të brendshme të mëdha në një vend ku mbi 1 miliard njerëz jetojnë në kushte të vështira, nën thundrën e një regjimi sa opresiv, aq edhe të korruptuar, dhe ushqejnë një mosbesim në rritje ndaj institucioneve lokale dhe qendrore. Trump duket se ka në mendje diçka të ngjashme me strategjinë e përdorur nga Ronald Regani kundër Bashkimit Sovjetik. Në fund të fundit, edhe ish aktori i Hollivudit që ndryshoi botën dhe hartën e saj në inaugurimin e tij u prit me marshime proteste, me fyerje dhe me përbuzjen e qarqeve intelektuale, radikal – shik dhe të majta. Në thelb, “kontinuitet” mund të nënkuptojë për Trump edhe që të konkludojë me regjimin kinez dhe koreanoverior veprën e shkatërrimit të komunizmit të nisur nga Regani me Bashkimin Sovjetik.

(nga Defense Analysis)

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakMziu pret ambasadorin e Zvicrës, Christoph Graf: Garantoj mbështetje për Kamzën
Artikulli tjetërOpozita në Kosovë kërkon zgjedhje të reja