Mziu pret ambasadorin e Zvicrës, Christoph Graf: Garantoj mbështetje për Kamzën

Ambasadori Graf: Po përgatisim një program për 10 vite, që edhe Kamza të jetë përfituese. Garantoj se do të jemi të gatshëm për t’ju mbështetur dhe për të gjetur zgjidhje për të gjitha problematikat

Kryetari i Bashkisë Kamëz, z. Xhelal Mziu, pati një takim me ambasadorin zviceran në Shqipëri, z. Christoph Graf, takim i cili u zhvillua në mjediset e Ambasadës Zvicerane në Tiranë. Ambasadori Zviceran, pasi shprehu kënaqësinë për këtë takim, duke theksuar mbështetjen për pushtetin vendor, ndër të tjera, e përgëzoi kryebashkiakun Mziu për rolin që luan në Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë. “Jam i kënaqur që keni ardhur këtu. Ne ofrojmë mbështetje për pushtetin vendor. Ju përgëzoj për rolin konstruktiv në Shoqatën e Bashkive”, u z. Graf.
Ndërkaq, kryetari i Bashkisë Kamëz, z. Xhelal Mziu, u shpreh se ndihej i privilegjuar që ndodhej në këtë takim, duke e njohur pastaj ambasadorin zviceran me zhvillimet e qytetit të Kamzës. “Ndihem shumë i privilegjuar që ndodhem këtu. Po shfrytëzoj rastin për të bërë një rezyme të vogël për qytetin e Kamzës. Të jesh kryetar Bashkie në Kamëz ka vështirësitë e veta. Dy gjëra janë sfidë për mua: 1-Infrastruktura (kalimi i saj nga rurale në urbane); 2-Menaxhimi dhe shërbimi ndaj qytetarëve. Situata më përpara ka qenë shumë e keqe, ndërsa tashmë ka ndryshuar, për shkak të punës që ka bërë Bashkia, si dhe falë bashkëpunimit me donatorë të huaj të ndryshëm. Gjej rastin t’ju falënderoj ju si ambasador, por edhe Zvicrën, pasi është financuese e projektit të ujësjellësit. Kamza ka shfrytëzuar partneritetin me të huajt për shumë projekte, jo vetëm në ujësjellës. Kemi pasur shumë partnerë, të cilët kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për nevojat e Kamzës”, u shpreh z. Mziu, i cili vijoi më tej: “Pavarësisht se Kamza dhe Paskuqani kanë dy plane sipas ligjit urbanistike, ato nuk janë aktive, për shkak të mosunifikimit. Nuk jemi pjesë e projektit të 26 bashkive, duke krijuar kështu edhe konflikte me qytetarët. Kërkoj mbështetjen tuaj, jo vetëm si ambasador, por edhe si vend mik, në zgjidhjen e këtij ngërçi për të eliminuar këto konflikte me qytetarët, por edhe për të pasur një barazi me njësitë e tjera vendore. Kërkoj influencën tuaj si ambasador për të shmangur këto diferencime krahasuar me njësitë e tjera vendore. Vlen të theksoj se kemi dërguar shumë projekte në qeveri për shumë fusha jetike për banorët, por kemi marrë 0 financime”, u shpreh z. Mziu, duke e informuar më tej ambasadorin Graf se për ndër të këtij vendi mik, siç është Zvicra, në Kamëz ka dy rrugë me emra nga ky shtet, rruga “Gjenevë” dhe rruga “Zyrih”.
Ambasadori Graf, pas këtij prezantimi, u shpreh: “Ju falënderoj për prezantimin, sfidat dhe problemet e Kamzës! Unë po e kuptoj qartë nga informacionet që ju më dhatë për diskriminimin e Kamzës dhe këto informacione në nivele politike sa të më jepet mundësi do t’i bëj të ditur, do t’i vë në dispozicion. Po përgatisim një program për 10 vite, që edhe Kamza të jetë përfituese. Garantoj se do të jemi të gatshëm për t’ju mbështetur dhe për të gjetur zgjidhje për të gjitha problematikat që ju ngritët. Ju garantoj se do t’ju ndihmoj për të bashkëpunuar”, kanë qenë fjalët e ambasadorit zviceran në Shqipëri, z. Cristoph Graf.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërTrump si Ronald Regan?