Trump po unifikon republikanët

Hugh Hewitt

Donald Trump si kandidat nuk arriti të kishte shumë mbështetje nga sistemi republikan i politikës së jashtme, ndërsa presidenti i zgjedhur, Donald Trump, është duke e ndryshuar situatën. Ai i ka surprizuar të gjithë përsëri duke mbledhur një ekip me peshë të rëndë të sigurisë kombëtare të diversifikuar dhe befasues.
Sistemi republikan i politikës së jashtme nuk është monolit dhe që pas fundit të Luftës së Dytë Botërore ka qenë i përçarë në dy kampe. Ka pasur gjithmonë shkëmbime zjarri ndërmjet kampeve të ndryshme. Ish-sekretari i Shtetit, George P. Shultz është ndoshta figura më unifikuese. Shultz ishte i pandashëm nga zëvendëspresidenti Richard B. Cheney dhe ish-sekretari i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld dhe të gjithë bashkë mbështesnin presidentin George W. Bush.
Më pas erdhi 11 shtatori, lufta me shumë fronte, sfilitja e Shteteve të Bashkuara dhe përçarja e plotë e konsensusit politik të republikanëve. Derisa erdhi koha e fushatës presidenciale të vitit 2016, kishte një duzinë kampesh të ndryshme brenda partisë, po aq shumë kandidatë për ta drejtuar atë dhe turma pafund këshilltarësh të sigurisë kombëtare dhe specialistësh të fushatës që komentonin nga të gjitha anët.
Shumë pak prej tyre kanë qenë publikisht të lidhur me kandidatin përfundimtar të partisë. Kandidati Trump i ka shmangur gjithmonë thirrjet për të bërë publikë emrat e këshilltarëve të tij të sigurisë kombëtare. Vetëm në fund të fushatës dolën në sipërfaqe disa emra, por edhe atëherë, rolet e tyre nuk i përcaktuan mirë. Donald Trump mbajti ekipin e tij të këshilltarëve dhe arriti të fitojë mandatin.
Por çfarë ndodhi që pas ditës së zgjedhjeve në sistemin republikan të sigurisë kombëtare, një pjesë e mirë të cilëve kishin dalë me parullat “kurrë Trumpin”, në mënyrë publike ose jo? Së pari, presidenti i zgjedhur mblodhi ekipin e tij. Gjeneralët James N. Mattis dhe John Kelly dhe gjenerali Keith Kellogg kanë kaluar respektivisht 44, 46 dhe 36 vite me uniformën veshur dhe kanë të dhëna të gjata të shërbimit të shkëlqyer në hallka të ndërlikuara të komandës, si dhe në fushën e betejës. Gjenerali Michael T. Flynn, i cili drejton Këshillin Kombëtar të Sigurisë së presidentit, nuk është një figurë më pak e respektuar se gjenerali Stanley McChrystal, ish-komandati amerikan në Afganistan.
Kathleen Mcfarland ka kaluar shtatë vite në Shtëpinë e Bardhë për administratën e Nixonit në fillim të karrierës së saj si pjesë e stafit të nivelit të ulët në Dhomën e Situatave, duke u ngritur në detyrë në stafin e Këshillit të Sigurimit Kombëtar të Henrz Kissinger dhe si një figurë e shquar në debate të ndryshme të rendit ndërkombëtar. Monica Crowley, e njohur si kontribuese e “Fox News” do të bëhet zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Ajo e nisi karrierën e saj si ndihmëse e Richard Nixonit kur doli në pension.
Drejtuesi i ardhshëm i CIA-s, Mike Pompeo dhe sekretari i ardhshëm i ushtrisë, Vincent Viola janë të dy figura të shkëlqyera të sigurisë dhe Pompeo është diplomuar i pari në vitin 1986. Rex Tillerson, kandidati për të drejtuar Departamentin e Shtetit, është emri i ri i politikës së jashtme, por është një figurë me dekada të tërë eksperiencë në negociata nga më të ndryshmet me krerët e shtetit. Tillerson është rekomandur për këtë pozicion jo vetëm nga Cheney, por edhe nga ish-kundërshtarët e tij, ish-sekretarët Condoleezza Rice dhe James Baker, si dhe nga ish-sekretari i Mbrojtjes, Robert Gates, si model i shërbimit publik bipartizan.
Në listën e ekipit të Trumpit janë edhe emra të tjerë origjinalë si John Bolton, Elliott Abrams, Richard Haass si president i Këshillit të Marrëdhënieve të Jashtme dhe ish-senatori Jim Talent si ekspert i prokurimeve. Figura të tjera të njohura si Richard Grenell janë duke u përmendur për poste të larta diplomatike dhe gara për pozicionet e asistentsekretarëve në Departamentin e Shtetit dhe të Mbrojtjes është tepër e fortë.
Konkluzioni: Trump është, çuditërisht, duke unifikuar sistemin e politikës së jashtme të republikanëve. Këtë bën fitorja. Për këtë të japin shtysa edhe situatat e vështira kudo nëpër botë që kërkojnë lidership. Trashëgimia e politikës së jashtme të cunguar të presidentit aktual Barack Obama identifikohet me shprehjen e famshme: “Duke drejtuar nga pas”. Më saktë pas vijës së kuqe të vendosur në Krime, Aleppo dhe në Detin e Kinës së Jugut. Duken qartë edhe sfidat e mëdha me të cilat do të duhet të përballet presidenti i ri dhe patriotët që ai ka zgjedhur në ekipin e tij, janë të gatshëm për të shërbyer.
Situata duket premtuese. Pjesa më e madhe e ekipit të ardhshëm të Trumpit kanë tre ose katër herë më shumë eksperiencë në sigurinë kombëtare pa e marrë akoma detyrën, krahasuar me zëvendëskëshilltarin e sigurisë kombëtare të Obamës, Ben Rhodes që po e lë. Ndërmjet tyre, strategu kryesor mund të rezultojë të jetë “luftëtari” në krye të Pentagonit.
Pak njerëz në Shtetet e Bashkuara kanë kaluar aq shumë kohë duke studiuar historinë dhe gjeostrategjinë sa Mattis dhe ata që mund të kenë studiuar, padyshim nuk kanë eksperiencën e tij në fushën e betejës. Me një përzgjedhje të vetme, Trump “fitoi” periudhën e tranzicionit të qeverisë. Njëlloj si Mattis, Kelly sjell një dozë të madhe eksperience në Departamentin e Sigurisë së atdheut. Mbi këta dy luftëtarë me përvojë rëndon pesha e sigurisë së Amerikës. Janë rikthyer të rritur në pushtet dhe kanë rënë dakord të mbështesin presidentin e ri.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakAksi Rusi–Kinë thyhet në Azinë Qendrore
Artikulli tjetërMedia gjermane: Shqipëria drejt Kinës?