Aksi Rusi–Kinë thyhet në Azinë Qendrore

“Limes”

Marrëveshja midis Kinës dhe Rusisë për furnizimet me gaz duket se përfaqëson një hap të mëtejshëm në ripërcaktimin e skenarit gjeopolitik në rajon qendro–aziatik. Mirëkuptimi midis konsumatorit më të madh të energjisë në botë dhe eksportuesit më të madh të gazit natyror duhet futur në perspektivën e bashkëpunimeve më të gjera, kryesisht të përqendruara në forcimin e sigurisë rajonale dhe në parandalimin e kërcënimeve ndaj stabilitetit të lidhura me largimin e forcave të NATO-s nga Afganistani. Ky bashkëpunim energjetik shikohet me mosbesim dhe preokupim nga Republikat ish-sovjetike të Azisë Qendrore, në mënyrë të veçantë nga Kazakistani e Turkmenistani si furnizues të rëndësishëm hidrokarburesh për Republikën Popullore të Kinës. Forcimi i aksit strategjik kino–rus rrezikon që ta prekë seriozisht politikën energjetike multivektoriale të tyre, duke ua ridimensionuar rolin në partneritetin energjetik me Kinën dhe duke ju afruar rrezikun e rënies nën sferën e influencës së Moskës, e cila mund të rifitojë rolin e saj tradicional si rrugë eksportimi të hidrokarbureve qendro-aziatike.
Rëndësia gjeopolitike e mirëkuptimit lidhur me furnizimet e gazit nxirret nga pjesëmarrja e dy presidentëve, Vladimir Putin e Xi Jinping, në ceremoninë për nënshkrimin e marrëveshjes: në Shanghai, të dy kompanitë energjetike shtetërore Gazprom e China National Petroleum Corporation (CNPC) kanë nënshkruar një marrëveshje 30-vjeçare që e impenjon Rusinë të furnizojë palën tjetër me 38 miliardë metra kub (mmc) gaz në vit duke filluar nga 2018. Ravijëzohet kështu realizimi i një gazsjellësi në gjendje të lidhë vendburimet Kovykta e Cajanda në Siberinë Lindore me qendrat kryesore bregdetare në Paqësor, ku përqendrohet kërkesa e lartë energjetike kineze. Gazpromi impenjohet që të investojë në projekt 55 miliardë dollarë – për aktivitete eksplorimi dhe realizim infrastrukturash – ndërsa nga ana kineze parashikohet një investim prej rreth 20 miliardë dollarë, të finalizuara në ndërtimin e pjesës kineze të tubacionit.
Sipas Alexey Miller, administratorit delegat të Gazpromit, vlera e përgjithshme e marrëveshjes vërtitet në rreth 400 miliardë dollarë, arsye për të cilën çmimi i shitjes së gazit kinezëve do të jetë rreth 350 dollarë për çdo 1000 metra kub gaz. Pikërisht përcaktimi i çmimit të shitjes ka qenë nyja e mosmarrëveshjes në negociata, të cilat janë zgjatur për vite të tëra. Vetëm midis marsit dhe shtatorit 2013 Gazpromi dhe CNPC-ja kanë realizuar një përshpejtim pozitiv në traktativat e tyre, të përfunduara në marrëveshjen e majit, që në thelb inauguron rrugën e re energjetike lindore, e nënshtruar realizimit të gazsjellësit Power of Siberia. I konceptuar si një sistem i integruar shpërndarës i gazit, projekti është i destinuar që të përmbledhë prodhimet e qendrave Irkutsk e Jakutsk drejt portit lindor të Vladivostokut në Oqeanin Paqësor (nëpërmjet Khabarovskit), për të arritur pastaj në Kinë duke kaluar kufirin verilindor.
Në perspektivë, këto vëllime gazi natyror të ardhur nga Siberia Lindore do t’i shtohen rritjes së prodhimit të vendburimeve në ishullin Sakhalin, në mënyrë që të ushqejnë me gaz rus jo vetëm tregjet kineze, por edhe ato, njëlloj fitimprurëse, të Paqësorit, si Koreja e Jugut dhe Japonia. Brenda 2018 duhet të jetë kompletuar në Vladivostok terminali i dytë rus për eksportimin e gazit natyror të lëngët (aktualisht i vetmi në funksionim është ai në ishullin Sakhalin), i ushqyer falë komercializimit të gazit të nxjerrë në fazën e tretë të projektit Sakhalin dhe nga gazi që vjen nga Yakutsk dhe Irkutsk.
Marrëveshja lidhur me furnizimet e gazit përbën një gur në strategjinë më të gjerë të bashkëpunimit energjetik kino–rus, që ka të bëjë edhe me eksportimet e naftës ruse nëpërmjet naftësjellësit Siberi Lindore–Oqean Paqësor (ESPO): nga 2011, Kina importon 300000 fuçi nafte ruse në ditë (bbl/d). Me kompletimin e projektit brenda 2018, ESPO-ja do ta rrisë kapacitetin e saj derisa të arrijë 1.8 milionë bbl/d, duke i mundësuar Rusisë të trefishojë eksportimet e naftës të saj drejt Kinës – duke e destinuar pjesën e mbetur për tregjet fitimprurëse të Koresë së Jugut e Japonisë – dhe duke u bërë një prej furnizuesve më të mëdhenj të arit të zi.
Bashkëpunimi midis Moskës dhe Pekinit paraqet avantazhe strategjike të konsiderueshme për të dy, duke kontribuar në forcimin e gjendjes së sigurisë energjetike të tyre dhe duke u konsoliduar përkohësisht aksin gjeopolitik të përbashkët.
Në vijim të marrëveshjes së majit, Kina do të mund të përfitojë një korridor furnizimi shtesë për të plotësuar kërkesën e saj në rritje për gaz natyror: në vitet e ardhshme, nevoja për të reduktuar masën e qymyrit në brendësi të kërkesës energjetike kombëtare – aktualisht e barabartë me 2/3 e saj – do të implikojë rekursin në rritje ndaj burimeve të pastra si gazi natyror, kërkesa për të cilit do të duhet të trefishohet duke kaluar nga 161 mmc e 2013 në 480 mmc e 2040. Parashikimet e paqarta lidhur me shfrytëzimin e vendburimeve të gazit jokonvencional (nga shistet apo nga qymyri) do ta bëjnë të nevojshëm një rritje të importimeve të gazit natyror. Një tjetër avantazh për Pekinin përfaqësohet nga afërsia gjeografike e furnizuesit të ri, përderisa gazsjellësi në fjalë (në mënyrë të ngjashme me gazsjellësin kino–birman) nuk do të duhet të tranzitojë nëpërmjet shtetesh të treta.
I rezultojnë të reduktuara kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare të lidhura me një ndërprerje potenciale të furnizimeve, në ndryshim nga importimet energjetike që tranzitojnë chokepoint të Malakës dhe Hormuzit ose nëpërmjet Republikave ish-sovjetike të Azisë Qendrore. Si gazsjellësi Azi Qendrore–Kinë (i ushqyer kryesisht me gaz turkmen), ashtu edhe naftësjellësi kino–kazakas i arrijnë tregjet kineze duke tranzituar nëpërmjet rajonit autonom të Ksiniangut (kufiri perëndimor kinez), ku rivendikimet e ujgurëve ushqejnë një vatër latente paqëndrueshmërie potencialisht të destinuar që të prekin sigurinë e furnizimeve në drejtim të Kinës. Veç kësaj, çmimi i përcaktuar (350 dollarë për çdo 1000 metra kub gaz) është më i ulët se çmimi i paguar nga kompanitë energjetike kineze për importimet e gazit natyror të lëngët, faktor që mund ta shtyjë Pekinin për ta forcuar më tej bashkëpunimin energjetik me Rusinë.
Për Moskën, kjo marrëveshje merr një rëndësi strategjike të madhe, sidomos në vijim të krizës me Ukrainën: ngurtësimi i Bashkimit Europian dhe pezullimi i furnizimeve për Kievin i bëjnë të domosdoshme gjetjen e rrugëve alternative të eksportit për prodhimin rus. Hapja e të ashtuquajturit vektor lindor i përgjigjet kësaj nevoje dhe i mundëson Moskës që t’i diversifikojë rrugët e eksportimit energjetik dhe të reduktojë varësinë e lartë nga tregjet evropiane. Sot për sot, vektori perëndimor i eksportimit (që përfshin tregjet BE, Turqi, tregjet e tjera evropiane dhe vende passovjetike) përfaqëson mbi 90 për qind të eksportimeve ruse me gaz natyror. Veç kësaj, mbështetja ekonomike dhe teknologjike kineze do të mundësojë që të reduktohen kostot për shfrytëzimin dhe komercializimin e rezervave të mëdha të gazit (3000 miliardë metra kub) të pranishme në vendburimet e Irkutsk dhe të Yakutsk.
Në këtë partneritet të ri jo vetëm energjetik, Moska dhe Pekini do të duhet të përballojnë kërcënime ndaj sigurisë (të lidhura me terrorizmin fondamentalist, trafiqet transkombëtare të drogës e armëve, me pasojat e menaxhimit autoritar të pushtetit në satrapit qendro–aziatike) të afta që të shkaktojnë një gjendje jostabiliteti të përhapur dhe të vënë në rrezik interesat e tyre ekonomike, energjetike dhe gjeopolitike. Sidomos për Moskën, një ujdi e ngushtë me Pekinin rezulton e nevojshme në kërkim të një partneri gjeopolitik me peshë në rajon, me të cilin të ndajë përgjegjësi, në dritën e fërkimeve me NATO-n dhe Perëndimin si pasojë e krizës ukrainase.
Megjithatë, qeveritë qendro-aziatike shprehin një mosbesim të thellë ndaj rolit të ardhshëm të Organizatës së Traktatit të Josigurisë Kolektive (CSTO) dhe të Organizatës së Bashkëpunimit të Shanghait (SCO) si garantë të sigurisë rajonale, për shkak të mosveprimit substancial të tyre gjatë vatrave të fundit të jostabilitetit. Agresiviteti i Moskës gjatë krizës ukrainase padyshim që i ka forcuar dyshimet e republikave qendro-aziatike të frikësuara nga neoimperializmi putinian. Impakti i bashkëpunimi energjetik kino–rus është i destinuar që të rezonojë mbi republikat e Azisë Qendrore që aktualisht përfitojnë nga roli i partnerit strategjik për Kinës, si Kazakistani, me cilësinë e furnizuesit kryesor me naftë, dhe Turkmenistani, furnizues kryesor me gaz natyror.
Kjo marrëveshje e dobëson strategjinë multivektoriale të tyre në politikën e jashtme, e finalizuar që të shfrytëzojë rivalitetin midis Pekinit dhe Moskës për të siguruar avantazhe ekonomiko–energjetike dhe të bilancojë influencën e dy aktorëve rajonalë. Republikat qendro–aziatike e kanë bërë bashkëpunimin energjetik me Kinën si çelësin e kthesës që u ka mundësuar atyre të reduktojnë varësinë nga rrugët e eksportimit të menaxhuara nga Kremlini, duke diversifikuar tregjet e shitjes dhe duke rritur peshën gjeopolitike të tyre në skakierën rajonale. Kurse në kontekstin e ri roli i Rusisë si furnizues me gaz dhe naftë për ekonominë kineze mund të implikojë një margjinalizim progresiv të Kazakistanit e Turkmenistanit si partnerë të privilegjuar të Kinës.
Një skenar i ngjashëm duket funksional për strategjinë ruse, me qëllim rifitimin e influencës në hapësirën passovjetike duke u ripropozuar si blerës kryesor i prodhimit të hidrokarbureve qendro-aziatike për t’u transportuar drejt tregjeve të brendshme dhe drejt atyre evropiane. Bashkëpunimi energjetik midis Kinës dhe Kazakistanit është shprehje e një partneriteti strategjik të konsoliduar, nënshkruar më 2005, i karakterizuar nga marrëdhënie politiko–diplomatike të qëndrueshme dhe marrëdhënie ekonomiko–tregtare intensive (më 2013 vlera e tregtisë bilaterale ka tejkaluar 22.5 miliardë dollarët). Realizimi i naftësjellësit që lidh Atyrau (Kazakistani Perëndimor) me Alashankou (në rajonin autonom të Ksiniangut) përfaqëson rezultatin më të prekshëm të dialogut midis Astanas dhe Pekinit në aspektin strategjik. Bëhet fjalë për një korridor strategjik që lidh vendburimet e pasura në Kaspik me kufirin kino–kazakas: aktualisht ky naftësjellës ka një kapacitet prej 250 mila bbl/d, edhe pse brenda vitit parashikohet një rritje në deri 400000.
Për qeverinë e Astanas ai përfaqëson një vektor të rëndësishëm diversifikimi të eksporteve për faktin se është tubacioni i vetëm i naftës që nuk kalon në territorin rus, në ndryshim nga korridori Atyrau–Samara dhe të CPC-së, ndërsa eksportet kazakase nëpërmjet naftësjellësit Baku–Tbilisi–Ceyhan (BTC) arrijnë portin azerbajxhanas të Bakusë nëpërmjet petrolierave që nisen nga porti Aktau. Nëpërmjet CNPC-së, qeveria kineze është demonstruar veçanërisht aktive në sektorin energjetik kazakas: duke investuar kapitale të mëdha për eksplorimin dhe shfrytëzimin e vendburimeve të shumta, duke dhënë know how e teknologjinë moderne dhe duke blerë kuota aksionere kompanish të rëndësishme energjetike kombëtare. Midis fundit të viteve nëntëdhjetë dhe fillimit të viteve dymijë, CNPC-ja ka blerë 85 për qind të kuotës së AktobeMunaiGas (kompania e katërt e naftës kazakase). Një gur i rëndësishëm për strategjitë kineze, për sa kompania ka licenca prodhimi në basenet perëndimore Zhanazhol e Kenkiyak dhe kontrata për eksplorimin e vendburimeve të reja premtuese. Vetëm në këtë operacion, CNPC-ja ka investuar mbi 1 miliard dollarë për realizimin e infrastrukturave të prodhimit e të transportit. Vetë CNPC-ja ka 67 për qind të kompanisë shtetërore të naftës PetroKazakhstan (33 për qindëshi tjetër është i kompanisë më të madhe të naftës kazakase, KazMunaiGaz).
Bashkëpunimi kino–kazakas nuk ka të bëjë vetëm me bashkëpunimin në sektorin e naftës, por shtrihet edhe në gazin natyror dhe në energjinë bërthamore. Aktualisht, gazsjellësi Azi Qendrore–Kinë tranziton në territorin kazakas, por me realizimin e Beyneu–Bozoi–Shymkent dhe zhvillimin e vendburimit të gazit natyror të Urikhtau në seksionin verilindor të Detit Kaspik (i promovuar nga një joint venture midis CNPC-së dhe KazMunaiGaz-i), Astana mund të luajë rolin e dyfishtë të vendit transit dhe eksportues drejt tregjeve kineze. Me rëndësi të veçantë është edhe bashkëpunimi në kuadrin bërthamor: nga 2009 Kazakistani është prodhuesi më i madh botëror i uraniumit (mbulon 1/3 e kërkesës totale) dhe furnizuesi kryesor i Kinës, me të cilën është impenjuar për 55000 tonë. Në pritje të nisjes konkrete të gazsjellësit kino–rus, Turkmenistani luan rolin e partnerit strategjik për Kinën në cilësinë e furnizuesit kryesor me gaz natyror: aktualisht, Pekini mbulon rreth 50 për qind të importeve të tij me gaz të ardhur nga Turkmenistani, i nxjerrë nga vendburimi Bagtyyarlyk në rajonin lindor të Lebap.
Më 2009, nisja e gazsjellësit Azi Qendrore–Kinë (CACGP) ka përfaqësuar një risi epokale në skenarin energjetik rajonal, duke ndërprerë monopolin e Gazpromit mbi eksportet e gazit nga Turkmenistani: këto të fundit kanë rënë nga 50 mmc e 2009 në 9.9 mmc e 2013 drejt Rusisë, ndërsa vendi ka orientuar një pjesë të madhe të prodhimit të tij drejt Kinës, duke ruajtur edhe rrugën e eksportit jugperëndimor drejt Iranit (4.7 mmc më 2013). Veç të tjerash, CACGP-ja përfshin edhe Kazakistanin e Yzbekistanin, jo vetëm si vende transiti drejt Kinës, por edhe si furnizues potencialë, duke krijuar alternativa konkrete për diversifikimin e eksporteve energjetike të republikave qendro-aziatike dhe duke reduktuar influencën ruse.
Mbi bazën e marrëveshjes së sanksionuar më 2013 midis Türkmengaz-it dhe CNPC-së, Kina impenjohet që të blejë 25 mmc gaz më shumë në vit brenda 2020. Brenda një date të tillë, Pekini do të importojë nga vendi qendro-aziatik 65 mmc gaz, edhe nëpërmjet realizimit të një degëzimi të ri në brendësi të gazsjellësit Azi Qendrore–Kinë, Linjës D, e cila do të realizohet brenda 2016 nëpërmjet Yzbekistanit, Taxhikistanit e Kirgizistanit (linja e re i shtohet atyre tashmë ekzistuese A e B dhe asaj C aktive brenda 2014). Pekini është impenjuar fuqishëm në zhvillimin e sektorit energjetik turkmen nëpërmjet investimesh dhe nëpërmjet dhënies së huave e lehtësimeve financiare. Në mënyrë të veçantë, Kina ka investuar 4 miliardë dollarë për zhvillimin e vendburimit Bagtyyarlyk, duke dhënë veç të tjerash një hua 8 miliardë dollarëshe për fazën e parë të zhvillimit të vendburimit Galkynysh (rilindje), i konsideruar i dyti më i madh i botës pas atij të North Dome në Katar. Në konfirmim të pozicionit mbizotërues të Kinës mbi sektorin energjetik turkmen, zbulohet sesi CNPC-ja është kompania e vetme e huaj që ka një marrëveshje bashkëprodhimi (Production Sharing Contract) lidhur me vendburimet e pasura e të sqaruara onshore, ndërsa kompanitë e tjera të huaja gëzojnë kontrata mbi vendburime offshore (jo plotësisht të eksploruara) në Kaspik apo kontrata shërbimi.
Në shtatorin e 2013, Presidenti kinez, Xi Jinping ka shkuar për vizitë në Turkmenistan për të asistuar në ceremoninë inauguruese të kompletimit të fazës së parë të zhvillimit të Galkynysh: kompanitë CNPC, Petrofac (Emiratet e Bashkuara Arabe), LG International Corp dhe Hyundai Engineering (Koreja e Jugut) kanë realizuar 3 impiante për punimin dhe trajtimin e gazit me një kapacitet prej 30 mmc, vëllime që brenda 2014 do të eksportohen drejt tregjeve kineze. Pekini është impenjuar veç të tjerash që të financojë fazën e dytë të Galkynysh me marrëveshjen e bashkëpunimit të nënshkruar midis Türkmengaz-it dhe Bankës kineze të Zhvillimit, që parashikon një hua madhësia e së cilës nuk është zbuluar, por që u shtohet 8 miliardë dollarëve të dhëna për fazën e parë. Për sa fitimprurëse, duhet nënvizuar sesi partneritet energjetik implikon një varësi substanciale turkmene: nga 40 mmc gaz të eksportuara më 2013, 75 për qind (24,4 mmc) transportohet nëpërmjet Kinës.
Realizimi i një strategjie multivektoriale efikase dhe të plotë diversifikimi të eksporteve nga ana turkmene është i lidhur me implementimin konkret të projekteve të tjera në kantier. Disa prej këtyre do të mundësonin që të futej në tregje rritja e paralajmëruar e prodhimit gazifer kombëtar: gazsjellësi TAPI (akronim i referuar vendeve të interesuara në projekt, Turkmenistan-Afganistan-Pakistan dhe Indi), me një kapacitet potencial prej 33 mmc gaz në vit, dhe korridori transkaspikas, domethënë pjesëmarrja turkmene në Korridorin Energjetik Jugor të promovuar nga BE-ja. Lidhur me këtë rrugë eksporti perëndimore, vendi qendroaziatik synon që të realizojë brenda 2015 një gazsjellës nga vendburimet e Turkmenistanit Lindor deri në brigjet e Kaspikut, me një kapacitet potencial prej 40 mmc.
Suksesi i bashkëpunimit energjetik kino–rus nuk implikon domosdoshmërisht një çimpenjim kinez nga rajoni. Përkundrazi, Pekini është i impenjuar prej vitesh dhe me sukses në një strategji efikase diversifikimi të rrugëve të furnizimit, arsye për të cilën është në interesin e tij ta ruajë partneritetin energjetik me Turkmenistanin e Kazakistanin. Në këtë optikë, Moska është një partner energjetik më shumë, por jo ekskluziv, që me resurset e saj do të kontribuojë për të përmbushur kërkesën kineze për gaz dhe naftë. Pavarësisht nga kapaciteti i naftësjellësit kino–kazakas (250000 bbl/d në 6.2 milionë bbl/d të importuar nga Kina), ky korridor merr një rëndësi strategjike për Kinën për faktin se, së bashku me ESPO-n dhe në pritje të realizimit të naftësjellësit kino–birman, përfaqëson një prej dy tubacioneve tokësore të furnizimit me naftë ekzistuese.
Një diskutim i ngjashëm mund të bëhet për Turkmenistanin: CACGP-ja dhe gazsjellësi kino–birman janë korridoret e vetme tokësore të furnizimit me gaz natyror; pjesa tjetër plotësohet me gaz natyror të lëngët të transportuar nga anijet gazmbajtëse. Duke pasur parasysh se Turkmenistani është vendi i 4-ët në botë për rezervat e gazit natyror dhe duke parë projeksionet lidhur me rritjen e ardhshme të kërkesës kineze për gaz, ky partneritet energjetik duket i destinuar që të konsolidohet në vitet e ardhshme. Gjithashtu, duhet kujtuar se nëse marrëveshja kino–ruse parashikon furnizime për 38 mmc gaz, gazsjellësi kino–turkmen duhet të arrijë 65 mmc brenda 2020, pa llogaritur huatë dhe investimet kineze për zhvillimin e vendburimit Galkynysh. Kështu që vështirë se Pekini mund ta privojë veten nga vëllime të tilla gazi, veç në mos Rusia vendos që të dy apo trefishojë eksportet e saj drejt Kinës, zgjedhje që do të përjashtonte furnizimet shtesë për Japoninë e Korenë e Jugut nëpërmjet gazsjellësit Energia të Siberisë.
Sasia e investimeve dhe e huave kineze për zhvillimin e sektorit energjetik qendro–aziatik duket se e përjashtojnë një tërheqje të Pekinit që, përkundrazi, duket se synon që të riforcojë bashkëpunimin energjetik në hapësirën ish-sovjetike. Lëvizjet e fundit duket se e konfirmojnë një lexim të tillë. Në shtator të 2013, Xi Jinping ka nënshkruar marrëveshjen (vlera 45 miliardë dollarë) me KazMunaiGas-in që i mundëson CNPC-së të sigurojë 8.33 të kuotave në brendësi të konsorciumit për shfrytëzimin e vendburimit të madh kazakas të naftës Kashagan (rezerva të vlerësuara në 70 miliardë fuçi). Sipas parashikimeve më optimiste, brenda 2015 Kashagani do të duhet të prodhojë 370000 bbl/d për të arritur më pas 1.5 milionët. Pavarësisht se mbesin paqartësi në raport me hyrjen e plotë në funksion të vendburimit dhe se nga çfarë rrugësh do të eksportohet nafta e nxjerrë, Kina dhe Kazakistani kanë në plan të krijojnë një naftësjellës të ri paralel me atë kino–kazakas për të eksportuar prodhimin offshore të Kaspikut, përfshi Kashaganin. Njëkohësisht me marrëveshjen midis Rusisë dhe Kinës, gjatë vizitës së Presidentit kazakas Nazarbaev në Kinë majin e kaluar, partneriteti energjetik midis dy vendeve është forcuar nëpërmjet dhënies nga ana e Pekinit të dy huave që të përdoren në sektorin energjetik kazakas: 1 miliard dollarë për modernizimin e rafinerisë së Shymkent-it, për ta rritur prodhimin në 6 milionë tonë në vit dhe 700 milionë dollarë për të kompletuar segmentin e gazsjellësit Beyneu–Bozoi–Shymkent.
Aksi gjeopolitik kino–rus që po konfigurohet gjatë kohëve të fundit mund të interpretohet si rezultati i një konvergjence të përkohshme të interesave, duke pasur parasysh se objektivat strategjikë të tyre në rajonin qendro-aziatik janë të destinuara që të shkojnë drejt përplasjes, duke rigjallëruar rivalitetin gjeopolitik midis dy superfuqive rajonale.
Në radhë të parë, projekti i Moskës për të krijuar Unionin Euraziatik dhe një hapësirë ekonomike të përbashkët passovjetike synon që të frenojë ekspansionizmin ekonomik të Pekinit, që konsolidon pozicionet e tij si partner tregtar i privilegjuar i republikave qendro–aziatike. Në të njëjtën kohë, një projekt i tillë është i destinuar që të përplaset me analogun kinez të Silk Road Economic Belt, i finalizuar në krijimin e një aksi ekonomiko–tregtar që rindjek gjurmën e Rrugës së Mëndafshit. Në aspektin energjetik fuqizimi i mëtejshëm i gazsjellësit CAGCP presupozon përfshirjen e të 5 vendeve ish-sovjetike të Azisë Qendrore, jo vetëm si eksportues, por edhe si territore transiti, me të cilat Pekini ka nënshkruar tashmë marrëveshje partneriteti strategjik, implementimi i të cilave është i destinuar që të kufizojë influencën e Moskës në rajon. Nga ana e tij, Kremlini do t’i kundërvihet ridimensionimit të tij në një hapësirë gjeopolitike që tradicionalisht e quan si “fqinji i jashtëm” i tij.

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakLufta kibernetike e Rusisë
Artikulli tjetërTrump po unifikon republikanët