Trump në Las Vegas: Jemi 100 për qind me ju!

Presidenti Donald Trump të mërkurën shkoi për një vizitë në Las Vegas, ndërkohë që hetuesit e atjeshëm vazhdojnë përpjekjet për të kuptuar motivin se përse një person i armatosur hapi zjarr mbi turmën që po ndiqte një festival muzikor. Stephen Paddock shtiu nga kati i 32 i një hoteli, duke vrarë të paktën 58 vetë dhe pastaj veten.
Trump, së bashku me Zonjën e Parë Melania Trump, fillimisht vizituan viktimat e sulmit dhe familjet e tyre, në njërin nga spitalet e Las Vegasit.
Ai tha se kishte parë një profesionizëm të rrallë në radhët e mjekëve dhe infermierëve të spitalit, që po u shërbejnë të plagosurve. “Profesionalizëm i jashtëzakonshëm”, tha ai për mjekët që po kujdesen për shërimin e viktimave. “Ju faleminderit shumë”.
Presidenti Trump përgëzoi policinë dhe njerëzit që u përpoqën të ndihmonin viktimat. “Ne jemi 100 për qind me ju”, tha Presidenti. Ai tha se, personi që kreu sulmin ishte “një njeri i sëmurë, me të meta mendore, por hetimet vazhdojnë dhe do të mësojmë më tepër për këtë ngjarje”, tha ai.
Presidenti më pas u takua me oficerët e policisë dhe disa civilë që ndihmuan në shpëtimin e jetës së njerëzve, për t’i përshëndetur dhe falenderuar ata për profesionalizmin dhe dedikimin e treguar në kryerjen e detyrës.
Autoritetet shpresojnë se e dashura e personit në fjalë do të mund të ndihmojë në hetimin e tyre. Marilou Danley ishte në Filipine në kohën e sulmit dhe u kthye në Shtetet e Bashkuara të martën vonë.
Ajo u prit në Aeroportin Ndërkombëtar të Los Anxhelosit nga agjentët e FBI-së. Sherifi i zonës së Las Vegasit, Joseph Lombardo, tha se Marilou Danley duket se është person me interes për hetimet.
Sheriffi nuk komentoi mbi njoftimet se Paddock kishte dërguar në mënyrë elektronike në Filipine rreth 100 mijë dollarë pak para masakrës, por është e paqartë se për kë ishin dërguar paratë.
Hetuesit nuk kanë arritur të kuptojnë se përse Paddock, person në gjendje të mirë financiare dhe pa të dhëna kriminale apo lidhje politike ose fetare, qëlloi mbi turmën, duke shkaktuar masakrën.
Sherifi dha disa hollësi rreth asaj që hetuesit kanë mundur të gjejnë deri tani.

Artikulli paraprakCIA: Kim Jong Un nuk është i çmendur
Artikulli tjetërCIA: Kim Jong do pushtetin, jo luftën