Trump-Europës: Blini gazin tonë jo të Rusisë

Presidenti amerikan, Donald Trump, do t’i inkurajojë liderët e vendeve të pjesës lindore të Evropës, që janë të shqetësuar për varshmërinë e tyre në energjinë ruse, që ta shfrytëzojnë rastin dhe të furnizohen me gaz natyror nga Shtetet e Bashkuara.
Këto komente pritet të bëhen gjatë vizitës së tij në Poloni pasnesër, kanë thënë zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë.
Gjatë viteve të fundit, Moska e ka ndërprerë furnizimin me gaz gjatë mospajtimeve për çmim me vendet fqinje në muajt e dimrit.
Aktualisht, Shtetet e Bashkuara kanë filluar të transportojnë gaz në gjendje të lëngët për të parën herë në Poloni dhe zoti Trump do t’u thotë aleatëve në Poloni se ai dëshiron ta lehtësojë sa më tepër procedurën që kompanitë amerikane të dërgojnë gaz në pjesën lindore dhe qendrore të Evropës, kanë thënë zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë.
Derisa do të qëndrojë në Poloni, ai do të marrë pjesë në samitin “Tri Dete”, pasi disa pjesëmarrës në këtë tubim kufizohen me Adriatikun, Baltikun dhe Detin e Zi.
Në mesin e synimeve të projektit “Tri Dete” është zgjerimi i infrastrukturës rajonale të energjisë, përfshirë terminalet e importit të gazit në gjendje të lëngët dhe gazsjellësit. Anëtarë të kësaj nisme janë Polonia, Austria, Hungaria dhe fqinjët e Rusisë, Letonia dhe Estonia.
Shtetet e Bashkuara janë në pozicion që ta fillojnë në mënyrë agresive marketingun e eksportimit të gazit në Evropë, për shkak të të ashtuquajturit “revolucion fracking”, me të cilin mundësohet furnizimi me gaz cilësor dhe të lirë.
Procesi “fracking” është shpim thellë në tokë para se një përzierje ujore me presion të lartë të futet në gurë për të liruar gazin e brendshëm.
Pas dekadave të konsumimit të gati të të gjitha sasive të energjisë së prodhuar, Shtetet e Bashkuara tash pritet të bëhen eksportuesi i tretë më i madh i gazit në botë deri në vitin 2020.
Javën e kaluar presidenti amerikan, Donald Trump, e ka shpallur një “periudhë të artë” në prodhimin e energjisë në Shtetet e Bashkuara, që do t’i mundësojë vendit të zhvillojë politikë të “dominimit energjetik” nëpërmjet eksporteve në Evropë dhe Azi.
Por, ambiciet e tij në tregun evropian shkojnë ndesh me Rusinë, e cila mbështetet fuqishëm në eksportet e gazit dhe naftës për ta rritur ekonominë dhe krijuar të ardhura për qeverinë.
Analistët thonë se Moska do të jetë shumë e shqetësuar për çfarëdo lëvizjeje të Shteteve të Bashkuara për ta ulur eksportin e saj në tregjet në pjesën lindore të Evropës, ku ka dominuar për dekada të tëra.
“Derisa Trump ka folur se synon t’i zbusë marrëdhëniet me Rusinë, disa ligjvënës republikanë në Kongres, do të dëshironin ta shihnin atë duke marrë një linjë të fortë kundër Rusisë në sektorin e energjisë, për shkak të agresionit të Rusisë në Ukrainë dhe ndërhyrjes në zgjedhjet presidenciale amerikane”.
“Kjo i shkatërron strategjitë e presidentit rus, Vladimir Putin dhe personave të tjerë të fuqishëm, të cilët po përpiqen ta përdorin ndërprerësin si një element të sulmit strategjik”, tha senatori republikan, Cory Gardner, anëtar i Komitetit për Marrëdhënie të Jashtme të Senatit të Shteteve të Bashkuara.
“Në shumë mënyra, eksportet e gazit nga ana e Shteteve të Bashkuara, është politika amerikane më kërcënuese për Rusinë”, i tha agjencisë “Reuters”, Michal Baranowski, drejtor në Fondin Marshall gjerman.
Muajin e kaluar është dërguar sasia e parë e gazit amerikan në Poloni.
Por, disa analistë shprehin dyshime për ambiciet amerikane për t’i furnizuar tregjet evropiane, për shkak se është vështirë të krijohet profit nga eksporti i gazit në gjendje të lëngët.
“Evropa do të jetë arenë e madhe e garës ndërmjet gazit rus dhe gazit të lëngët natyror”, i tha agjencisë “Reuters,” Daniel Yergin, historian i njohur i naftës.
Lëvizja e Shteteve të Bashkuara për ta zgjeruar tregun e gazit në Evropë, po ashtu, mund të kundërshtohen në Gjermani dhe në vendet e tjera evropiane, që janë të përfshira në ndërtimin e gypsjellësit të ri për sjelljen e gazit në Gjermani nëpërmjet Detit Baltik.
Ministri i Jashtëm gjerman muajin e kaluar e ka shtruar pyetjen nëse ambiciet e Shteteve të Bashkuara për eksport të gazit janë prapa lëvizjes së Senatit amerikan, për të përfshirë dispozitë në legjislacionin për sanksionet ruse, që do t’i penalizonte firmat evropiane të përfshira në gypsjellësin e njohur si “Rrjedha Veriore 2”.
Departamenti amerikan i Shtetit e mban qëndrimin se “Rrjedha Veriore 2” është e padëshiruar, pasi e bën Evropën më tepër të varur nga Rusia.

Artikulli paraprakProvokim i ri bërthamor i Koresë së Veriut
Artikulli tjetërPse e vonoi Rama blerjen e energjisë?