Pse e vonoi Rama blerjen e energjisë?

Çfarë po tentohet të fshihet pas krizës së energjisë dhe kakofonisë mediatike të stisur, për të akuzuar ministrat teknikë të propozuaar nga Partia Demokratike? Më shumë se gjejtja e problemit dhe propagandës së shfrenuar për të treguar se ardhja e tyre ishte një pengesë për punën e qeverisë, ka një të vërtetë tjetër mbrapa. Qeveria dhe mashat e saj, nuk kanë dashur ta blejnë energjinë që atëherë kur është evidentuar problemi, pra në prill të këtij viti, por të gjitha procedurat kanë nisur në qershor, kur ishte zbrazuar shumica e kaskadës së Fierzës. Nga ana tjetër, zyra e zëvëndëskryeministres Mandija sqaron se mbledhja e qeverisë për këtë çështje nuk është zhvilluar kurrë.

Vonesa të qëllimshme

Ashtu si në rastin e Haki Mustafës, dhe në këtë rast ka diçka që nuk shkon. VKM e propozuar nga Ministria e Energjetikës së Gjiknurit, ka shkuar më datë 6 qershor në qeveri, dhe e pa shoqëruar pa relacionin përkatës. Në fakt, ligji e lejon që me shumicë votash të anëtarëve të kabinetit blerja e energjisë të kalojë, por në çdo rast duhet relacioni shpjegues. Dhe Edi Rama i kishte të gjitha numrat e nevojshëm. Kjo, sepse nga 21 anëtarë që ka kabineti qeveritar, vetëm shtatë i takojnë Partisë Demokratike. Por edhe nga këta, vetëm katër prej tyre kanë kërkuar relacionin përkatës nga Ministria e Energjetikës për këtë çështje. Pra, Rama kishte jo pak, por 17 vota për ta shndërruar në vendim propozimin e KESH dhe të Ministrisë së Energjetikës për blerje energjie nga Fondi i Bankës  Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim në vlerën e 22 milionë eurove. Por,  Edi Rama është tërhequr që në kërkesën e parë, dhe më pas relacioni ka ardhur më datë 19 qershor në Këshillin e Ministrave, pra  pas 16 ditësh kur u paraqit në qeveri. Përse Rama ishte i interesuar të mos shpjegonte shkaqet se përse KESH do shpenzonte 22 milionë euro nga Fondi i Rimëkëmbjes së Energjisë? Përse atëherë kërkohet të kalohet faji atje ku nuk është?

Blerja abuzive

Por ka dhe diçka tjetër, që fshihet pas kësaj krize, e cila mund të ishte shmangur plotësisht. Personi kyç që ka qenë në dijeni të situatës është Ilir Bejtja, drejtori i KESH. Ky është dhe personi që drejton institucionin që duhet të monitorojë kaskadat tona, ku më kryesorja është ajo e Fierzës. Problemi daton herët, dhe tenderi duhet dhe të ishte zhvilluar më parë që në prill, për të blerë energji të pjesshme në muajt qershor dhe korrik, me qëllim që mos prekeshin rezervat ujore. Por nga ana e tij ky drejtor, që ka qenë dhe zëvendësministër i Energjetikës ka  preferuar të heshtë, dhe të zbrazë të gjithë ujin e kaskadës, duke e ditur që kjo është një manovër që të detyron që energjinë më pas ta importosh në pjesën më të madhe nga importi. Në pikun e sezonit, ky çmim është shumë herë më i kripur. Pra, Bejtja ka pasur kohë të raportonte në prill dhe në maj, dhe nuk e ka bërë megjithëse shenjat e prurjeve ujore ishin më të ulëtat në pesë vitet e fundit. KESH nga ana e tij është një institucion që për thatësirën lajmërohet shumë më parë, jo vetëm nga institucionet meteorologjike të vendit, por dhe ato të huaja. Atëherë përse nuk ka lëvizur Ilir Bejtja….

Energjia do blihet në kohën e pikut me çmimin maksimal

Pyetjet janë të shumta, por zgjidhja qëndron vetëm tek një fakt. Këtu po luhet me paratë e shqiptarëve. Energjia do të blihet më shtrenjtë dhe të gjitha veprimet, e lakejve të Ramës këtu të çojnë. Diku apo dikujt i janë premtuar shuma të mëdha parash që më pas kthehen në formë përqindje për xhepat e Kryeministrit dhe të lakejve të tij në KESH, OSHEE, Ministri të Energjetikës etj. Në rast se në një situatë tjetër, kjo do ishte e pajustifikueshme, pasi nuk mund të zhvillohen tendera për blerje sot për nesër, në situatën që gjendemi është gjetur fajtori dhe ata janë ministrat e qeverisë të propozuar nga PD. Kështu me një gur Edi Rama dhe Gjiknuri vrasin dy zogj. Ble energji më të shtrenjtë, duke rrënuar financat e shtetit, por dhe bën propagandën e tij bajate me anë të kakofonisë mediatike që ai kontrollon, se fajtorët e vërtetë janë ministrat e qeverisë teknike, që tashmë Rama i sheh si pengesë për të kryer masakrat që ka ndërmend me financat. Në fakt, kjo histori e nxjerr jo vetëm hajdut, por edhe qesharak.

Mustafa: Tenderin e kryem në kohë rekord, por u lajmëruan me vonesë

E njëjta zhurmë mediatike u tentua të bëhej dhe me blerjen e energjisë nga ana e OSHEE. Por Haki Mustafa tha një ditë më parë në një prononcim për “RD” se, gjithçka pretendon Ministria e Energjetikës nuk është gjë tjetër vetëm se një shpifje e gatuar në paradhomat e qeverisë për të mbuluar dështimin në menaxhimin e krizës. Në fakt sipas Mustafës, kërkesa për blerje energjie i ka ardhur nga Operatori i Sistemit të Transmetimit vetëm më datë 19 qershor. “Me të marrë kërkesën, po atë ditë ne i dërguam një shkresë Ministrisë së Energjetikës dhe Kryeministrit, ku i kërkonim miratimin për blerjen e energjisë nga ana e institucionit tonë. Përgjigja na ka ardhur për miratim më datë 21 qershor, dhe ne kemi zhvilluar tenderin në kohë rekord. Pra, pas marrjes së përgjigjes, kemi përgatitur dokumentacionin më datë 23 kemi shpallur tenderin dhe me datë 24 kemi shpallur fituesin. Kjo ishte ajo çka ne mund të bënim, në kushtet kur vetë kryeministri kishte bllokuar me Vendim të Këshillit të Ministrave çdo lloj tenderimi për ministrat e emëruar sipas marrëveshjes”, thotë Mustafa. “Ne nuk kemi pasur informacion as nga KESH për situatën e krijuar, dhe skemi bllokuar asnjë lloj blerjeje nga ana e tij, madje do ishim të lehtësuar. Kjo sepse në rast se e blen KESH energjinë në tregun ndërkombëtar, atëherë ne e blejmë me çmimin e zakonshëm të prodhimit vendas. Ndërsa në tregun ndërkombëtar ky çmim është disa herë më i lartë. Pra, për financat e OSHEE kjo do të ishte mjaft e shëndetshme. Por KESH që përgjigjet për kaskadat nuk na dha as informacion për gjendjen e kaskadave, dhe nuk na ka bërë asnjë kërkesë për blerje energjie. Siç ju thashë, kërkesa për blerje ka ardhur vetëm më datë 19 qershor, dhe brenda pesë ditëve ne kemi organizuar tenderimin kaq”, thotë  ish-drejtori i OSHEE.

Niveli i Fierzës në kuotat më të ulta, shkon në 270 metra

Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht niveli i basenit të liqenit ka zbritur në 270 m, ndërsa prurjet janë tejet të ulëta. Sqarohet se aktualisht KESH prodhon energji për nevojat e OSHEE vetëm duke shfrytëzuar sasinë e prurjeve natyrale për të mos ulur më shumë nivelin e kaskadës së Drinit. Për shkak të rritjes së konsumit, OSHEE është detyruar që të shtojë sasinë e importit të energjisë. Përtej sasisë së kontraktuar në fund të periudhës së drejtimit nga administratori teknik, së fundmi OSHEE ka hapur procedurën edhe për një sasi shtesë të energjisë nga importi për muajin korrik në masën 112 000 Mwh. Kryerja e importeve në kushtet e thatësirës së tejzgjatur dhe nivelit të ulët të kaskadës që pamundëson mbulimin e ngarkesës së pikut, bën që edhe çmimet e importit të jenë më të larta. Korporata Elektroenergjetike mund të lehtësonte në zgjidhjen e situatës, duke përdorur fondin prej 22.4 milionë eurosh që e ka në dispozicion në kuadër të Projektit të Bankës Botërore për Rimëkëmbjen Energjetike, por as këtë nuk e ka bërë. Por ky fond i parashikuar posaçërisht për import energjie nga KESH-i në kushtet e krizave me thatësirë të zgjatur mund të çlirohet vetëm pas një vendimi të Këshillit të Ministrave. Deri sa ky vendim të mund të miratohet, OSHEE do të përdorë fondet e veta për të garantuar blerjen e energjisë dhe stabilitetin e furnizimit të konsumatorëve.

Armand MAHO

Artikulli paraprakTrump-Europës: Blini gazin tonë jo të Rusisë
Artikulli tjetërPse duhet të qendrojë Lulzim Basha?