Tjetër sekuestro për ARMO

Edhe pse në kolaps financiar nga pushimi i aktivitetit, sekuestrot nuk pushojnë mbi llogaritë, aksionet dhe kapitalet e kompanisë së përpunimit të naftës, ARMO.
Së fundmi, Banka Credins nëpërmjet kompanisë përmbarimore “T.M.A.” ka kërkuar sekuestro mbi kreditë e ARMO-s për llogari të një kontrate overdrafti.
Përmbaruesi arsyeton se, ekziston rreziku që brenda kalimit të një kohe, ekzekutimi i detyrimit prej 1.1 milionë lekësh bëhet i pamundur, kështu që në kushte do të fillojë menjëherë ekzekutimin e detyrueshëm, duke vënë sekuestro mbi kreditë e shoqërisë ARMO në masën që do të jetë e nevojshme për plotësimin e detyrimit.
Banka Credins nëpërmjet përmbaruesit merr në konsideratë edhe udhëzimin e Bankës së Shqipërisë për procedurat e sekuestros.
Pak ditë më parë më 18 maj, përmbarimoret e “Prestigje Bailiff Service” organizuan një ankand për shitjen e objekteve të imta të ARMO-s me vlerë jo më shumë se 30 mijë euro për llogari të kreditorit Serjani.
Përmbarimoret nxorën në ankand, gjeneratorët, siguresat, tubat e hekurit, çelësa sigurie, fikse zjarri, tuba kaldaje të kompanisë ARMO me vlera modeste, por siç duket edhe për këto objekte të vogla kanë munguar blerësit.
Përmbarimi ka njoftuar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit se, ankandi ka dështuar për shkak se nuk ishte paraqitur asnjë ofertë për blerjen e tyre.
Në fund të tremujorit të parë të 2016, detyrimet e kompanisë ARMO në total kanë arritur në 595 milionë dollarë sipas burimeve në Ministrinë e Energjetikës. Borxhet e kompanisë janë rritur në mënyrë të frikshme, teksa pronarët e kompanisë nuk janë prezentë, ndërsa punonjësit kanë filluar protestat për mosmarrjen e pagave prej muajsh.
Në gusht të 2013-ës, Heany Assets Corporation bleu aksionet e Anika Merkuria Associated Oil, e cila zotëronte 85% të aksioneve të ARMO sh.a. Në datën e blerjes, Heany Assets Corporation njohu detyrimet e shoqërisë, të cilat arrinin në 243.5 milionë dollarë. ARMO, gjatë vitit 2014, përfitoi të ardhura, si qiradhënëse e dy rafinerive, si pronare e tyre.

Artikulli paraprakManovra e dyshimtë e KESH, planifikon 7.35 mld lekë investime për të mos ulur tarifat
Artikulli tjetërBonusi për turqit vë në dyshim garën për HEC-in “Katund i Ri”