Manovra e dyshimtë e KESH, planifikon 7.35 mld lekë investime për të mos ulur tarifat

Korporata Elektroenergjetike ka habitur të gjithë specialistët e fushës teksa për vitin 2016 ka planifikuar të kryejë 7.35 miliardë lekë investime. Në aplikimin për tarifat e reja të energjisë, KESH i ka kërkuar Entit Rregullator të Energjisë t’i jap autorizimin ligjor për këtë plan investimesj, por pa sqaruar në asnjë rresht se ku do të përdoren fondet. Ekspertë brenda sistemit energjetik, të cilët nuk duan të identifikohen thanë për Syri.net se kjo është një shumë e pajustifikueshme investimesh për KESH, e cila ka në pronësi vetëm hidrocentralet e kaskadës së Drinit.
“Kompania private që do të ndërtojë hidrocentralin “Katundi i Ri” ka planifikuar një investim total rreth 13 miliardë lekë. Ky HEC ka një fuqi të instaluar prej 100 mega. KESH kërkon të kryejë 7.35 miliardë lekë investime, pa ndërtuar asgjë dhe pa shtuar asnjë megavat fuqi të instaluar në sistem. Llogaritë bëjini vetë”- u shpreh një ekspert i energjisë për Syri.net. Korporata pretendon se ka 30 miliardë lekë borxhe në bankat private. Por në vend që t’i përdorë paratë për të shlyerë borxhet kërkon të kryejë investime të pajustifikuara.
Shifra e fryrë e investimeve ka ngritur dyshime të forta tek ekspertët. Sipas tyre, kjo duket një manovër e dyshimtë financiare, e cila ka dy pasoja. Së pari nuk lejon uljen e çmimit të energjisë për konsumatorët, pasi mban kostot e larta, ndërsa pasoja e dytë është se krijon hapsira për korrupsion.
“Në vitin më të mirë investimet në sektorin e gjenerimit (KESH) kanë qenë rreth 2 miliardë lekë të planifikuara dhe pjesa dërrmuese e tyre ka qenë me fondet e huaja. Projektet me fondet e huaja mbikqyren nga donatorët dhe hapsirat për abuzime me to janë më të vogla. Ndërsa kur kryhen me fondet e vetë kompanisë atëherë mundësitë për abuzim janë të mëdha,”- vijon eksperti.
Në aplikimin për tarifat e reja KESH nuk sqaron se ku do të përdoren këto fonde, vetëm mjaftohet duke thënë se 1.9 miliardë lekë janë pjesë e projektit të digave.
“Për vitin 2016, bazuar edhe në Planin e Investimeve të parashikuara të kryhen si pjesë e Programit Ekonomiko-Financiar të shoqërisë, shtesa në aktivet afatgjata pritet të jenë rreth 7.35 miliardë lekë, nga të cilat 1.9 miliardë janë pjesë e Projektit të Sigurisë së Digave, i cili financohet nga donatorët” thuhet në aplikim.
Këto janë 4 rreshtat përmes të cilave KESH justifikon shifrën rekord të investimeve, duke u hequr mundësinë konsumatorëve të përfitojnë ulje të çmimit.
Gjendja e mirë financiare e sistemit energjetik duhet të ishte përkthyer në ulje të tarifave për konsumatorët. Por me gjasa kjo nuk do të ndodhë, pasi plani i fryrë i investimeve rrit autmatikisht koston, mbi të cilën Enti përcakton çmimin final për qytetarët dhe biznesin.

Artikulli paraprakNafta rritet me 50 lekë për litër
Artikulli tjetërTjetër sekuestro për ARMO