Tirana, qyteti me taksat më të larta!

Jorida TABAKU

Rritja e taksave ditën e djeshme përmes paketës fiskale të Bashkisë nuk ishte vetëm se një shkelm i radhës themeleve të sipërmarrjes së lirë nga një bashki e kthyer në një institucion që promovon betonin dhe lejet e oligarkëve.
Në kurrizin e qytetarëve banorë, por edhe tregtarë të Tiranës do të bie pesha e rritjes së taksave mbi pronën, e cila fillimisht do të dyfishohet (rëndohet me 35% për banorët dhe 25% për bizneset) dhe nga viti 2019 e më tej do të katërfishohet. Një rëndesë e tillë do të ndikojë ndjeshëm në buxhetin e gjithsecilit prej qytetarëve në fund të muajit, aq më tepër kur aktualisht rrogat e buxhetorëve në shtet, por edhe në privat nuk kanë njohur rritje.
Luksi i tepruar dhe shpërdorimi i Bashkisë, e cila vazhdon të shpërndajë koncesione dhe tendera parkimesh e betonimesh sipas interesit, do të rëndojë mbi shpinën e qytetarëve, të cilët do të duhet të paguajnë më shumë për parkingjet. Ndërkohë që me sa duket Bashkia do të përpiqet edhe një herë të prishë lulishtet e qytetit për të ndërtuar parkingjet e biznesmenëve pranë mazhorancës.
Pa harruar edhe taksën e arsimit, të cilët qytetarët e Tiranës kanë një vit që e paguajnë. Para që Bashkia ka ndërmend që këtë taksë ta përdorë si një shpërblim për investitorët që do të marrin pjesën e tyre në PPP-të e famshme të projektit “1 miliard euro”. Por dhe trefishimin e tarifave për hapësirat publike për bizneset e vogla, rritjen me 30% të çmimit të biletës së urbanit, rritjen e çmimit të ujit me 40% Tirana është bërë qyteti me taksat më të larta në rajon.
Buxheti 2019 i Bashkisë nuk është veçse noteria e radhës e projekteve për të pastruar dhe qarkulluar paratë e pista të drogës. Paketa fiskale e paraqitur dhe votuar dje paturpësisht në Këshillin Bashkiak është arnimi i ndereve dhe qokave që një mazhorancë e kapur dhe e korruptuar u faturon qytetarëve.
Nga prilli i vitit 2013 deri në korrik të 2015, Partia Demokratike qeverisi e vetme në Bashkinë e Tiranës, por kurrë nuk mendoi as të trafikojë, as të blejë, as të ushtrojë presion mbi asnjë këshilltar bashkiak. Pa shumicën në Këshillin Bashkiak, me qeverinë kundër vazhdoi me burimet minimale të qeverisë Tiranën. Shitblerja e deputetëve, anëtarëve të Këshillit Bashkiak, e atyre që janë në qeverisje të përhershme duhet të marrë fund njëherë e mirë. Kur ndodh kjo me të zgjedhurit, çfarë ndodh me votuesit?

Artikulli paraprakGiggs: Manchesteri humbi shansin
Artikulli tjetërEUROSTAT: Çmimet e ushqimeve në Shqipëri rritje të fortë