Giggs: Manchesteri humbi shansin

Ryan Giggs ka kritikuar politikën e rekrutimit të Manchester United, pasi ky klub anglez ka humbur shansin për të nënshkruar me Kylian Mbappe dhe Gabriel Jesus, përkundër rekomandimit të tij. Sulmuesit janë të dy nga lojtarët e rinj më të vlerësuar në Europë. Për momentin, 19-vjeçari Mbappe po “lulëzon” që kur kaloi në verë te PSG nga Monako për një marrëveshje që do të kushtojë rreth 180 milionë euro.
Gabriel Jesus, 20 vjeç, ka shënuar 17 gola në 36 paraqitjet e bëra me Manchester City, që kur mbërriti nga Palmeiras për rreth 33 milionë euro. Ish-ylli i “djajve të kuq”, Giggs thotë se ai dhe skautët e klubit kishin qenë të vetëdijshëm për të dy sulmuesit, përpara se të lëviznin në skuadrat e tyre aktuale, por klubi nga “Old Trafford” dështoi të vepronte; një shembull tjetër i strategjisë së tij të dobët në tregun e transferimeve. “Unë e pashë Gabriel Jesus duke luajtur tre vjet më parë. Kam parë Mbappe për një vit, tha ai për “The Times”. Unë i kam shikuar ata edhe me skautë. Mund t’i kishim marrë për 5 milionë stërlina ose diçka më shumë”.
Jo vetëm që “djajtë e kuq” kanë neglizhuar të nënshkruajnë me perspektiva të tilla të ndritshme, por Giggs mendon se ata kanë shitur lojtarët e gabuar në kohë. Gjithashtu, ai pranon se nuk ishte dakord me vendimet e trajnerit të atëhershëm, Louis van Gaal. “Ishte e vështirë, sepse Louis kishte idetë e tij dhe ju duhet ta respektonit këtë, por, kishim disa argumente për disa prej tyre. Ai e kuptoi pozicionin tim, sepse kisha luajtur me këta djem, por ata thjesht nuk bënin për të. Disa prej tyre, si Welbeck, dëshironin të luanin më rregullisht.
Jonny Evans pati disa lëndime në atë kohë, kështu që ju mund ta kuptoni”. Që atëherë, politika e Manchester United është përmirësuar dukshëm, ashtu si Paul Pogba, Romelu Lukaku dhe Nemanja Matic kanë ardhur gjatë dy viteve të fundit për të rritur nivelin e skuadrës. Skuadra e drejtuar nga Jose Mourinho është aktualisht e dyta në Premier League, por 11 pikë pas Manchester City.

Artikulli paraprakSytë tek “El Classico”
Artikulli tjetërTirana, qyteti me taksat më të larta!