EUROSTAT: Çmimet e ushqimeve në Shqipëri rritje të fortë

Inflacioni në Shqipëri dominohet nga rritja e çmimeve të ushqimeve edhe sipas metodologjisë së EUROSTAT. Ndryshimi vjetor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në muajin nëntor 2017 është 2,4%, ku çmimet e ushqimeve sollën një ndikim prej 2.33%, ndërsa artikujt e tjerë të shportës vetëm 0.1%. Sipas metodologjisë së EUROSTAT, rritja më e madhe e çmimeve prej 6% vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet “Argëtim dhe kulturë” me 1,5%, “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Transport” me 1,2% secili, “Shërbimi arsimor” me 0,8%, etj. Ndërsa, çmimet e grupit “Mobilie shtëpie dhe mirëmbajtje” u ulën me 0,9% dhe çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” u ulën me 0,7%. Në muajin nëntor 2017, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është -0,7%. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me -2,2%. Shqipëria renditet në dhjetëshen e parë të vendeve europianë me nivelin më të lartë të rritjes së çmimeve në rang europian. Në fillim të këtij viti, për të ndihmuar hartimin e politikave dhe për të realizuar një krahasim sa më të mirë me vendet e tjera, në bashkërendim me Eurostat, INSTAT ndërmori hapa në drejtim të krijimit të një baze të përbashkët metodologjike të shteteve anëtare për ndërtimin dhe përdorimin e IHÇK-së, sipas Rregullores së Këshillit Europian (KE), nr. 2494/95, të datës 23 tetor 1995. Inflacioni i Eurozonës matet mbi bazën e treguesit të IHÇK-së. Termi “i harmonizuar” nënvizon faktin që të gjitha vendet e BE-së zbatojnë të njëjtën metodologji në matjen e treguesit përkatës. Ndryshimet e kontributit nga një tregues në tjetrin lidhen me faktin se kompozimi i peshave të mallrave brenda grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” është i ndryshëm nga një tregues në tjetrin. Kështu, brenda këtij grupi, nëngrupi “Fruta-Perime” ka një peshë më të madhe te shporta e IHÇK-së (12.84% e shportës totale) sesa tek ajo e IÇK-së (8.44% e totalit). Për shkak të këtij ndryshimi, kontributi i këtij grupi mallrash te totali është i barabartë me 2.5 pikë përqindje në rastin e treguesit IHÇK dhe me 1.2 pikë përqindje në rastin e IÇK-së. Ndryshime të vogla në kontribute vihen re edhe në disa grupe të tjera, por jo në madhësinë e ndryshimit të rastit të mësipërm. Në përfundim, nëngrupi “Fruta-Perime”, ka krijuar 1.3 pikë përqindje ose më shumë se 80% të diferencës së inflacionit të matur sipas dy treguesve (3.84% kundrejt 2.38%). IÇK-ja përmban 332 zëra; IHÇK-ja përmban 331 zëra (qiraja e imputuar nuk është element i shportës). IÇK-ja mbulon vetëm shpenzimet familjare private shqiptare të kryera, brenda territorit të vendit. Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) është Anketa e Buxhetit të Familjeve (ABF); IHÇK-ja mbulon të gjitha shpenzimet e kryera brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve rezidentë dhe jorezidentë. Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) janë Llogaritë Kombëtare “Shpenzimet Monetare të Konsumit Final të Familjeve (HFMCE)”.

Monitor

Artikulli paraprakTirana, qyteti me taksat më të larta!
Artikulli tjetërVeliaj do zhvasë nga xhepat e qytetarëve 130 miliardë lekë