Tifozët e Lacios protestojnë ndaj drejtuesve të klubit

Tifozët e Lacios zbresin në shesh. Këtë herë jo për të mbështetur idhujt e tyre, por për të protestuar ndaj drejtuesve të klubit për konfuzionin në merkato dhe mungesën e blerjeve. Mediat italiane shkruajnë se rreth 2000 tifozë nisën të protestonin në orët e pasdites në sheshin “Piazza Venezia” dhe “Piazza Santi Apostoli” në Romë.
Numri i tifozëve që kontestojnë presidentin Lotito duket se sa vjen e rritet. “Ngjarjet vijnë pas prishjes së marrëveshjes me trajnerin argjentinas Marcelo Bielsa, por edhe me mungesën e blerjeve në merkato”, shkruan gazeta “Corriere dello Sport”.
Protesta nisi si një organizim në rrjetet sociale dhe sipas mediave italiane ajo ishte paqësore. Pak ditë më parë, drejtori sportiv i Lacios, Igli Tare, foli për standarde të dyfishta të mbajtura nga trajneri argjentinas. Sipas tij, tjetër marrëveshje u diskutua në Romë dhe të tjera gjëra tekniku kërkoi në Argjentinë.
Gjithashtu Tare shtoi se kishte folur edhe me mbrojtësin kuqezi, Arlind Ajetin, për ta bërë pjesë e skuadrës kryeqytetase. Por marrëveshja e prishur me Bielsën me sa duket ndryshoi edhe rrjedhën e ngjarjeve për Ajetin, që kaloi më pas te Torino.

Artikulli paraprakShaqiri: Hungarezet bënë të fitonte Gera
Artikulli tjetërLa Liga starton në 21 gusht, El Clasico në javët 14 dhe 33