La Liga starton në 21 gusht, El Clasico në javët 14 dhe 33

Primera Division 2016-2017 merr formë. Në Spanjë ështe hedhur shorti i sezonit të ri ku padyshim, vëmendja më e madhe shkon për datën e dy sfidave “El Clasico” që cilësohen edhe si maksimumi i futbollit spanjoll dhe jo vetëm. Takimi i parë mes dy gjigantëve do të zhvillohet në datën 3 dhjetor në “Camp Nou” për javën e 14 të Primera Division, ndërsa ai i kthimit në 23 prill për javën e 33. Një tjetër përballje e nxehtë do të jetë edhe ajo mes kampionëve dhe Atletico Madrid në 21 shtator në “Camp Nou” dhe sfida e kthimit do të luhet në 24 shkurt.
Përsa i përket ndeshjeve derbi, Reali dhe Atletico kryqëzohen në 20 nëntor dhe 9 prill. La Liga 2016-2017 starton zyrtarisht në datën 21 gusht me ndeshjet e javës së parë, ku Barcelona pret në Katalonjë Real Betis, Atletico Madrid luan përballë debutuesve të Alaves, ndërsa Real Madrid udhëton në transfertën e Real Sociedad. Në total javët janë 38 dhe kampionati spanjoll do të mbyllet zyrtarisht në datën 21 maj të vitit 2017. Primera Division premton një sezon plot surpriza dhe spektakël.

Artikulli paraprakTifozët e Lacios protestojnë ndaj drejtuesve të klubit
Artikulli tjetërZyrihu s’heq dorë nga Sadiku: Do të qëndrojë