Thiago Silva mund të kthehet te Milani

Thiago Silva, mbrojtës që në Serinë A ka shkëlqyer me Milanin, mund të rikthehet sërish në Milano për të riveshur fanellën e kuqezinjve. Në fakt kontrata e tij me PSG është pranë skadencës dhe një rikthim në “San Siro” nuk është thjesht fantazi. Është vetë agjenti i brazilianit, Paulo Tonnieto që nëpërmjet një interviste për faqen “Calciomercato.com” ngjall shpresat e tifozëve të Milanit teksa u shpreh:
“Rinovimi me PSG? Për momentin gjithçka ka ndalur, presim dhjetorin për të parë disa gjëra dhe do të bëjmë vlerësimin tonë me klubin. Nëse PSG nuk do të kualifikohet në Champions League vitin e ardhshëm, atëherë Thiago me siguri nuk do të rinovojë dhe kontrata do të skadojë në qershor të 2017. Merkato? Shumë klube janë interesuar për të. Milani? Nuk është diçka e fshehtë që i ka mbetur në zemër, është shumë i lidhur me skuadrën ashtu si dhe me qytetin e Milanos ku ka kaluar shumë mirë. Këmbëngul të saktësoj se nuk ka patur asnjë kontakt me kuqezinjtë dhe për momentin ka një kontratë me PSG, por nëse në fund nuk do të rinovojmë gjithçka do të jetë e mundur, edhe rikthimi te Milani. A është e nevojshme që Milani të kualifikohet në Championsin e ardhshëm? Besoj se Milani ka mundësi të mira për t’u rikthyer aty”.
Ishin këto deklaratat e agjentit të Thiago Silvës, me Milanin që i duhet të bëjë mirë këtë sezon në mënyrë që të ripërqafojë një futbollist që i ka bërë tifozët kuqezinj të ëndërrojnë.

Artikulli paraprakInteri në kërkim të një mbrojtësi në janar
Artikulli tjetërAna e errët e Murinjos