Thellohet pabarazia ekonomike, 90% e familjeve regjistrojnë rënie konsumi

 

Konsumi mesatar i familjes shqiptare u rrit me 4.2 për qind në vitin 2016 në krahasim me një vit më parë, por e gjithë rritja u përfitua nga vetëm 10 përqindëshi i pasur i popullsisë, ndërsa pjesa tjetër mbeti me gisht në gojë.
Pabarazia u rrit në mënyrë dramatike gjatë vitit 2016-të në Shqipëri, ku e gjithë rritja e konsumit familjar përfundoi në përfitim të vetëm 10 përqindëshit të pasur të popullsisë, ndërkohë që pjesa dërrmuese e shqiptarëve patën një rritje në konsumin e matur me lekë efektivisht më të ulët se sa norma e inflacionit.
Instituti i Statistikave publikoi të hënën raportin e vet për Anketën e Buxhetit të Familjeve, një raport që mat konsumin e rreth 6 mijë familjeve në të gjithë Shqipërinë dhe pastaj i ekstrapolon të dhënat për të gjithë vendin. Sipas raportit të publikuar, konsumi total i popullsisë u rrit me 4.2 për qind vitin 2016 në krahasim me vitin 2015. Familja mesatare shqiptare përbëhet nga 3.7 anëtarë dhe konsumi mujor i saj ishte vitin e kaluar 73 mijë lekë nga afro 71 mijë lekë që ishte në vitin 2015. Këtu lajmi i mirë mbaron.
INSTAT raporton konsumin e familjeve të ndara, 10 përqindëshi më i pasur i popullsisë në njërën anë dhe 90 pëqindëshi i mbetur. Sipas këtyre të dhënave, 10 përqindëshi i pasur rezulton se është bërë ndjeshëm më i pasur. Konsumi mesatar i tyre ishte 138,700 lekë në muaj në 2015-ën dhe u rrit në 158,946 lekë më 2016. Kjo është një rritje mbresëlënëse prej 14.5 për qind. Problemi është se kjo rritje e konsumit të 10 përqindëshit të pasur erdhi në kurriz të pjesës tjetër të popullsisë.
Sipas INSTAT, 90 për qind e familjeve pati një konsum mesatar prej 63,600 lekësh në vitin 2016, me një rritje minimale nga konsumi 63,200 lekë që ishte më 2015. Rritja e konsumit të 90 përqindëshit të varfër më 2016 në terma të lekut ishte vetëm 0.6 për qind. Kjo është më e ulët se sa norma e inflacionit. Në terma realë, konsumi i 2016 për pjesën dërrmuese të Shqipërisë ishte më i ulët se sa më 2015.
“Shpenzimet mesatare për konsum të Njësive Ekonomike Familjare (NjEF) tregojnë se në vitin 2016, ka pasur një rritje më të madhe të shpenzimeve të 10 përqindëshit të NjEF me shpenzimet më të larta (14,6%) në krahasim me rritjen e shpenzimeve mesatare për konsum të 90 përqindëshit tjetër (0,6 %) në krahasim me 2015. Si rrjedhim, raporti i decileve në 2016, për këtë tregues, paraqet një rritje të pabarazisë nga 2,2 në 2,5, krahasuar me 2015”, shkroi INSTAT në raport.
Kjo do të thotë se në vitin 2015, konsumi i 10 përqindëshit të pasur të shqiptarëve ishte 2.2 herë më i lartë se sa pjesa tjetër e popullsisë dhe kjo u rrit në 2.5 herë më 2016. Këto sa më sipër janë konsumi i matur në nivel familjeje. Familjet e pasura në përgjithësi kanë më pak anëtarë, gjë që nënkupton prindër në karrierë, të cilët kanë paga të larta dhe rrjedhimisht hapësirë për më shumë konsum. Madhësia mesatare e familjes së dhjetë përqindëshit të pasur është 2.6 anëtarë. Pjesa tjetër e shqiptarëve ka një madhësi familjeje prej 3.9 anëtarë.
Megjithatë, pabarazia rezulton në të njëjtat nivele edhe nëse llogaritet në nivel individi. Individi në 10 përqindëshin e pasur të popullsisë pati konsum mesatar prej afro 63 mijë lekësh në vitin 2016, nga 59 mijë që kishte më 2015. Pjesa tjetër e popullsisë në nivel individi pësoi një rritje minimale nga 17,687 lekë më 2015 në 18,119 lekë më 2016. Hendeku mes të varfërve dhe të pasurve u rrit nga 3.3 herë në 3.5 herë.
Instituti i Statistikave ndjek konsumin e disa mijëra familjeve shqiptare përgjatë një viti me synimin e matjes së nivelit dhe tipareve të konsumit. Sondazhi nuk është në gjendje që të pasqyrojë në masë tërësisht të saktë konsumin e të gjithë popullsisë. Supozohet se për shtresën super të pasur dhe atë më të varfër mund të ketë nënpërfaqësim në sondazh. Megjithatë, tendenca është e qartë. Nga viti në vit, konsumi i familjeve si mesatare kombëtare është rritur. Por për familjet e varfëra, ai nuk është rritur ose është rritur shumë pak.
Sondazhi mat nivelin e konsumit, por jo nivelin e të ardhurave, gjë që sugjeron pabarazi edhe më të madhe se sa kaq për shkak se logjikisht të pasurit kanë më shumë të ardhura në dispozicion dhe mund të kursejnë. Pabarazia në të ardhura është shumë e vështirë të matet në Shqipëri në krahasim me vende të tjera për shkak se, Shqipëria nuk takson të ardhurat totale të një familjeje apo individi, por të ardhurat e individit në burimin që ato krijohen. Rrjedhimisht, të dhënat e Administratës Tatimore nuk janë në gjendje të raportojnë nivelin e të ardhurave totale të individëve përtej të ardhurave nga paga.
Shqipëria përgjatë viteve të fundit ka pasur një rritje të ngadaltë ekonomike në nivelin 1-3 për qind. Por më shumë se sa niveli i rritjes ekonomike, problemi qëndron te tiparet e përfituesve të kësaj rritjeje. Në rast se një numër i kufizuar biznesesh pëson rritje të të ardhurave dhe fitimeve, kjo rritje ekonomike nuk i shërben pjesës më të madhe të popullsisë.

Artikulli paraprakDrama e pensioneve: Shteti nuk paguan sigurimet
Artikulli tjetërLukaku, i paprekshëm