Lukaku, i paprekshëm

Jose Murinjo thotë se Romelu Lukaku është i paprekshëm dhe tifozët e Manchester United gjithashtu duhet ta konsiderojnë si të tillë. Murinjo ka mbetur i zhgënjyer nga fërshëllimat e tifozëve të tij kur ai zëvendësoi Rashford me Martial të shtunën ndaj Tottenham, teksa shumë mendonin se ai duhet të kishte zëvendësuar Lukaku-n. Belgu ndihmoi me asistin e golit, por ka pesë ndeshje pa shënuar pasi gjeti golin në 16 nga 13 paraqitjet e fundit për klubin dhe përfaqësuesen.
Mourinho pranon se tifozët kanë të drejtë të shprehin mendimin e tyre, por edhe ai ka si detyrë të mbrojë lojtarët e tij, sidomos kur janë pjesë e rëndësishme e skuadrës si Lukaku. “Tifozët janë tifozë dhe kanë të drejtë të shprehin mendimin e tyre. Por puna ime është të mbroj lojtarët e mi kur e meritojnë”, shprehet ai në prag të ndeshjes ndaj Benfica-s në “Old Trafford”. “Mendoj se Romelu është një nga lojtarët e paprekshëm dhe duhet të respektohet nga të gjithë. Ai ka luajtur shumë mirë për ne dhe unë duhet ta mbroj patjetër pasi ai e meriton”, tha Murinjo.
Trajneri i United ka opsionin për të aktivizuar Rashford dhe Martial ndaj Benfica-s, duke pushuar Lukaku-n në prag të ndeshjes së fundjavës ndaj Chelsea-t. “Marcos dhe Anthony luajtën së bashku ndaj Swansea në Carabao Cup një javë më parë kështu që, po, ata mund të luajnë bashkë. Nuk është problem. Askush këtu nuk e ka mendjen te Chelsea, por te Benfica”, përfundoi Murinjo.
Gary Neville beson se ka diçka që nuk shkon me Anthony Martial dhe beson se sulmuesi francez luan me 85% të kapacitetit të tij. Martial shënoi golin e fitores për Manchester United ndaj Tottenham të dielën, duke mbajtur ritmin e Manchester City-t në krye të Premier League. Por legjenda e “Old Trafford” Neville thotë se priste më tepër nga Martial, i cili ka gjetur veten e tij në stol pas Lukaku-t dhe Rashford.
Ish-mbrojtësi i United është shprehur për Sky Sports: “Ka qenë një karrierë me ulje-ngritje e Martial te Manchester United”. “Për dikë me talentin e tij, ai duhet të shkëlqente në çdo ndeshje. Ai ka humbur vendin e tij te Franca. Ka diçka që nuk shkon me të. Gjithmonë duket sikur luan me 85%. Nëse do ta tregonte atë 15% e mbetur, ai mund të bënte gjithçka. Ai i ka të gjitha për të qenë një ‘top player’, qetësinë përpara portës, aftësi të mira, shpejtësi, forcë, por është ai 15% që mungon”, Gary Neville.
Trajneri i Liverpool Jurgen Klopp beson se të gjithë kandidatët për titullin e Premier League kanë probleme, përveç kryesuesve të Manchester City-t. Të Kuqtë i dhanë fund një ecurie negative duke u rikthyer te fitorja me rezultatin 3-0 ndaj Huddersfield Town të shtunën, megjithëse mbeten 12 pikë larg skuadrës së Pep Guardiola-s. “Nuk kemi pasur shumë fat kohët e fundit, kjo është e vërteta. Por nuk mund të kërkosh ku është fati, por duhet punuar fort derisa të vijë. “Nuk e di nëse Pochettino ka folur për gjëra të ngjashme. Por pa Harry Kane në fushë kanë humbur dy ndeshjet e fundit, ndodhin edhe gjëra të tilla. Dy javë më parë nuk ishte skuadra Harry Kane. Tani mesa duket qenka”, tha ai.
Arlind RAMA

Artikulli paraprakThellohet pabarazia ekonomike, 90% e familjeve regjistrojnë rënie konsumi
Artikulli tjetërGabigol mund të kthehet tek Inter