Të shtunën Haradinaj në krye të qeverisë së Kosovës

Parlamenti i Kosovës zgjodhi me 62 vota pro dhe 52 kundër kryetarin e Parlamentit, duke përmbyllur seancën konstituive, e cila filloi më 3 gusht, por u zvarrit për shkak të mungesës së votave të koalicionit fitues të Partisë Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës për Kosovën.
Mbledhja e djeshme konkretizon marrëveshjen e këtij koalicioni me Aleancën Kosova e Re të afaristit Behgjet Pacolli pas së cilës “u krijua shumica parlamentare për konstituimin e Parlamentit dhe institucioneve të tjera”.
Të mërkurën ata negociuan me përfaqësuesit e Listës serbe, të cilët ngulën këmbë që të kenë tri ministri përfshirë edhe atë të Bujqësisë, që fillimisht ishte ndarë për Aleancën Kosova e Re të afaristit Behgjet Pacolli.
Të hënën ishte arritur një marrëveshje për bashkëqeverisje ndërmjet koalicionit PDK-AAK-Nisma dhe Aleancën Kosova e Re.
Marrëveshja u kritikua nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilat thanë se një qeveri e tillë nuk do të mund të ketë jetë të gjatë dhe se e njëjta do të jetë e varur nga Beogradi.
Kjo është hera e dytë që zoti Veseli zgjidhet në krye të Parlamentit. Herën e parë ai u zgjodh në këtë post në dhjetor të vitit 2014, pas një krize politike që pasoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare të qershorit të atij viti.
Kadri Veseli, i njohur me nofkën Luli, deri në vitin 2008 drejtonte Shërbimin Informativ të Kosovës, një organizatë e zbulimit e themeluar gjatë luftës në Kosovë, që është gjetur shpesh nën kritikat e partive politike rivale të PDK-së, të cilat e lidhin SHIK-un me veprimtari kriminale të periudhës së pasluftës. Pohimet e tilla janë hedhur poshtë nga zoti Veseli.
“Kosova nuk ka kohë për të humbur, kurse institucionet e reja duhet të shpejtojnë me reformat, integrimet evropiane dhe zhvillimin ekonomik”, ka thënë kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit, Kadri Veseli në fjalimin e parë para deputetëve.
Fjalimi i tij, është bojkotuar nga Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Veseli tha se u takon këtyre institucioneve t’i përmbyllin shumë çështje të hapura, që kërkojnë vendime e përgjigje, duke përfshi edhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Ai kërkoi reforma në arsim, shëndetësi, qëndrime unike për formimin e ushtrisë së Kosovës, dialogun me Serbinë dhe reformat evropiane.
Seanca e djeshme ishte vazhdimësi e seancës konstituive të 3 gushtit, e cila gjashtë herë u ndërpre, për shkak të mungesës së votave për zgjedhjen e kryetarit të ri të këtij institucioni. Zgjedhjen e Veselit nuk e kanë përkrahur Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.
Nga momenti i zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve, Kuvendi konsiderohet i konstituuar.
Bazuar në Kushtetutën e Kosovës, koalicioni PDK, AAK, Nisma, AKR dhe pakicat nominojnë edhe zyrtarisht mandatarin për formimin e qeverisë së re dhe ai është lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Sipas procedurave, Haradinaj duhet të marrë bekimin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili i drejtohet Kryesisë së re të Kuvendit me kërkesën për thirrjen e seancës për zgjedhjen e qeverisë.

 

Qeveria mund të votohet të shtunën
Pak pasi u ul në karrigen e kryetarit të Parlamentit, zoti Veseli, paralajmëroi se Parlamenti mund të mblidhet sërish të shtunën për të votuar qeverinë e Kosovës.
Sipas Kushtetutës koalicioni duhet të emërojë kandidatin për kryeministër, që në këtë rast është kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Sipas procedurave, mandatin për formimin e qeverisë atij i jepet nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Nga momenti i mandatimit, kandidati për kryeministër duhet që brenda 15 ditësh të paraqesë kabinetin qeveritar.

Artikulli paraprakRusi-Bjellorusi, 100 mijë trupa në stërvitje
Artikulli tjetërKampi i shfarosjes së fëmijëve në diktaturë