Kampi i shfarosjes së fëmijëve në diktaturë

– Zoti Agim Musta, të qëndrojmë në kampet e përqendrimit. Sipas librit tuaj, por dhe sipas dokumenteve të arkivave të komunizmit, në shumë fshatra të thella të Shqipërisë kishte njerëz të internuar, por ju keni veçuar disa kampe, që mund të quhen “kampe të shfarosjes”. Bëhet fjalë për kampin e Tepelenës dhe kampin e Porto-Palermos. Më ka bërë përshtypje një shifër që ju keni publikuar: 400 persona të vdekur, 300 prej tyre ishin fëmijë. Cilat ishin arsyet që kanë ndodhur këto vdekje? Cilat ishin shkaqet?
Unë do t’ju tregoj një fakt, të cilin ma kanë thënë në burg. Vetë djali i Qazim Mulletit, të cilit i bëhej parodi, më ka thënë se brenda një periudhe 6-mujore ka varrosur dhe zhvarrosur rreth 350 fëmijë. Shumica e fëmijëve kanë vdekur nga uria. Gratë që ishin të internuara i çonin në malin e Luzatit për të prerë dru ose për të mbledhur gurë dhe i linin fëmijët pa ngrënë. Edhe ndërkombëtarët habiten tejmase kur dëgjojnë këto gjëra. As në Rusinë staliniste, që është pjella e komunizmit botëror, nuk kanë ndodhur të tilla krime makabre.

– Në libër thuhet se kampi ishte i ndërtuar në një fushë të minuar dhe shumë fëmijë kanë vdekur duke luajtur në fushat e minuara. Ishte e qëllimshme ngritja e kampit në këtë fushë të minuar?
Gjatë luftës italo-greke, që filloi në tetor të vitit 1940 dhe përfundoi në maj të vitit 1941, këto fusha u minuan ngaqë aty ishte një repart i madh ushtarak. Kazermat e repartit u përdorën për internimin e njerëzve nga komunistët. Pikërisht me tërheqjen italiane kishin mbetur shumë municione ushtarake të paplasura.

– Një nga detajet për kampin e Tepelenës ishte dhe zhvarrosja e kufomave të fëmijëve, të cilët i varrosën në breg të lumit. A gjenden sot gjurmë të këtyre krimeve?
Kjo ishte metodë e komunistëve. Këtë në burg ma ka thënë vetë gjenerali i Sigurimit. Në fillim kufomat i varrosnim me gëlqere të pashuar, më pas i varrosnin buzë lumenjve dhe përrenjve, me qëllim që, kur ata të vërshonin, t’i merrnin kufomat dhe t’i çonin në det. Nga këto metoda nuk janë gjetur as 20% e kufomave, pasi pjesa tjetër ka përfunduar në det.

– Zoti Musta, të qëndrojnë edhe pak në problemet që hasën edhe shqiptarët e Kosovës. Shumë prej tyre erdhën në Shqipëri për t’i shpëtuar regjimit jugosllav. Mund të na thoni diçka lidhur me këtë gjë, pasi është një histori ku thuhet se diktatura në Shqipëri ishte e mirë për kosovarët dhe e keqe për shqiptarët?
Dihet se shumë kosovarë kanë vuajtur nëpër burgjet e Shqipërisë. Shumë djem të rinj kosovarë kanë vuajtur në kampet e përqendrimit dhe në burgjet në Shqipëri. Shumë djem kosovarë të mirarsimuar, të etur për të mësuar gjuhën shqipe, erdhën në Shqipëri për të mësuar kulturën shqiptare. Komunistët kishin disa shtëpi sekrete sigurimi. Një në Shijak dhe një në Krujë. Aty bëhej filtrimi i tyre. Një pjesë shumë e vogël e tyre merreshin dhe bëheshin agjentë të Sigurimit, ndërsa të tjerët internoheshin e burgoseshin vetëm pse nuk pranonin të bëheshin agjentë të Sigurimit. Unë kam pasur disa kosovarë në burg. Shumë prej tyre janë ekzekutuar.

– Do të kalojmë në një pjesë tjetër të librit tuaj, atë ku luftëtarët e lirisë quhen “Desantët apo diversantët”. Në insertin që unë kam përgatitur flitet për një gjyq dhe pamjet janë marrë nga një film i vitit 1952, në të cilin ishin të ftuar edhe gazetarë nga blloku lindor. Çfarë mund të na thoni për këtë ngjarje?
Janë gënjeshtra dhe mashtrime dhe unë dua të faktoj një gënjeshtër të madhe që ka shkruar Ramiz Alia në librin e tij. Ai thotë se Zenel Shehu bashkëpunoi me komunistët dhe se ata e kishin falur. Ky është mashtrimi më i madh që ata kanë thënë, pasi Zenel Shehu është ekzekutuar nga komunistët. Gazetarët që ishin aty ishin të tërë komunistë. Vetëm një gazetar polak i gazetës “Tribuna” dallonte nga të tjerët. Kur u kthye në Poloni, ai ka thënë se, “gjyqet që bëhen në Shqipëri janë kostume të zeza të qepura me pe të bardhë”. Ato gjyqe ishin komplet të manipuluara. Aranit Çela, i cili sot bredh bulevardeve dhe ndërron kostumet angleze, u ka marrë lekët dhe florinjtë diversantëve. Është mbi 90 vjeç dhe nuk i ka hyrë gjemb në këmbë. Bëri dy vjet burg kur erdhi demokracia dhe mori qindra milionë lekë si dëmshpërblim.

– Zoti Musta, të kalojmë në një pikë tjetër të librit tuaj. Është një fakt i pamohueshëm se, ndryshe nga vendet e tjera të Lindjes, rezistenca e armatosur në Shqipëri vazhdoi deri nga vitet ’60.
Lufta ndaj diversantëve mbaroi më 1954. Madje vetë Alan Dalles, që ishte kryetari i CIA-s, tha se të ndalohej çdo veprimtari. Mjafton që ne fituam një eksperiencë për luftën e tretë. Nuk rrëzoheshin regjimet komuniste me tri veta, me dhjetë veta. Gënjeshtra e madhe qëndron edhe sot. Përpara disa ditëve një ish-oficer i Sigurimit shkroi në një nga gazetat shqiptare se diversantët kanë vrarë me mijëra njerëz. Kjo është gënjeshtër e madhe. Në pak raste që ka ndodhur kjo gjë, ka ndodhur për shkak vetëmbrojtjeje, pasi ka qenë duke luftuar.

– Zoti Musta, si nisi ardhja e desantëve për të përmbysur udhëheqjen nëpërmjet grupeve guerile? Si u organizua ajo?
Shumë udhëheqës të botës thanë në atë kohë se ata u kujtuan për Shqipërinë në kohën kur Stalini bëri diversion në Greqi për të marrë pushtetin. Grupi i parë që ka ardhur këtu ishte ai i Hetem Çakut më 1949, i cili përbëhej nga katër veta. U dërguan këtu nga Italia. Ata ishin Hetem Çaku, Kasem Zhupa, Zyber Lika dhe Lumadh Lutfiu. Këta i nisi zbulimi italian, pasi do të ndodhnin ngjarjet në gushtin e 1949-s, në rast se Greqia do të avanconte në brendësi të territorit shqiptar. Gjatë veprimtarisë Zyber Lika u vra, ndërsa dy anëtarët e tjerë të grupit u dorëzuan. Kasem Xhuma pranoi të bashkëpunonte me Sigurimin dhe u la i lirë. Po me urdhër të Mehmet Shehut, që ishte ministër i Brendshëm në atë kohë atë e kanë vrarë brenda burgut. Kjo është një shkelje flagrante e ligjshmërisë. Më pas u krijua grupi i Maltës. Ai udhëhiqej nga Dejvid Smaili, i cili kishte qenë më parë në Shqipëri. Ai ka pasur kontradikta të mëdha me Enver Hoxhën, madje thoshte se Enveri donte ta vriste mbrapa krahëve. Ky grup u zhvendos në Gjermani më 1949. Në kampet e Gjermanisë u mblodhëm 179 veta. Këta persona janë kapur nga forcat ruse dhe janë internuar në Siberi dhe në vende të tjera të Lindjes.

– Të qëndrojmë pak te libri juaj. Ju u jeni referuar studiuesve anglezë dhe amerikanë dhe thoni se dështimi i kësaj organizate për të marrë pushtetin erdhi nga tradhtia e një oficeri, Kim Filbi. Sa e vërtetë është kjo?
Kjo është e vërtetë. Kim Filbi ishte caktuar nga zbulimi anglez për të marrë pjesë në organizatën e diversantëve. Në fillim ishte në Stamboll, më 1945. Erdhi në kontakt me të arratisur shqiptarë për të marrë informacione. Kim Filbi ishte agjent sovjetik që nga viti 1932. Kur u dyshua, ai u arratis. Informacionet që ai merrte nuk i dërgonte në Shqipëri, por ia dërgonte qendrës komuniste në Rusi. Zbulimi rus pastaj ua dërgonte njerëzve të tij në Shqipëri, që ishin në poste të larta. Në Ministrinë e Brendshme ishin 40 këshilltarë të zbulimit rus. Ata përcaktonin planin e veprimit që do të bënin shqiptarët. Helmimin e Mit’hat Frashërit e bënë agjentët rusë nëpërmjet vrimës së çelësit. Nga vrima e çelësit ata futën gaz helmues. Në këto mënyra ata kanë zhdukur shumë persona.

– Zoti Musta, të qëndrojmë prapë këtu. Ju i quani këta persona “trima të dëshpërimit”, pse i keni emëruar me një term të tillë?
Ata e dinin se si ishte gjendja në Shqipëri. Ata më kanë thënë se atyre u vinin materialet me informacione se çfarë ndodhte këtu. Populli këtu ishte i frikësuar. Madje, një anglez ka thënë se “shqiptarët nuk janë këta që janë sot (referuar kohës së komunizmit), por janë njerëz të besës”. Ai thotë se besa e shqiptarëve është kthyer në tradhti. Dhe këtë ai ia dedikon sistemit komunist, që i tjetërsoi shqiptarët. Ali Branica, që u përmend në insert, ka qenë kapiten në gardën e Zogut. Mbas përfundimit të luftës ai u kthye në shtëpinë e tij. Kur ai u kthye në shtëpi, gruaja i tha që të dorëzohej te komunistët, përndryshe do ta denonconte vetë ajo. Këtë veprim do ta bënte pasi në të kundërt do t’i shkatërronin të gjithë familjen. Dhe ashtu ndodhi: i shkatërruan të gjithë fisin, prandaj ata krijuan atë që quhet “grupi i rezistencës”. Shumë anëtarë të sistemit komunist u bashkuan me këta me qëllim marrjen e informacionit. Anëtarë të tillë si Kadri Hazbiu, i cili bënte rolin e doktorit. Të infiltruarit morën informacione për të gjitha familjet shqiptare se cilat do të pranonin diversantë dhe cilët jo. Ata i merrnin kryefamiljarët dhe i internonin. Më 1954 u shkatërruan të gjitha familjet diversante të Shqipërisë. Por kanë ardhur edhe grupe të tjera në rrugë tokësore nga Greqia dhe Jugosllavia.

Intervistoi: Nebil ÇIKA

Artikulli paraprakTë shtunën Haradinaj në krye të qeverisë së Kosovës
Artikulli tjetërKE: Shqiptarët më të varfër se serbët, maqedonasit e Mali i Zi