SHBA: Qytetarët përgjegjës që votojnë të korruptuarit

Zëvendësi i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, Hoyt Britan Yee, vlerësoi se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk do të arrijnë mesataren ekonomike të Bashkimit Evropian as për 30 vjet.
“Prioritet numër një duhet të jetë përparimi ekonomik. Shumica e vendeve të rajonit kanë rritje vjetore prej 3 ose 4%, por edhe me këtë rritje ose edhe me 6% nuk do të arrijnë mesataren e BE-së në tri dekadat e ardhshme”, tha Yee, për javoren beogradase “NIN”.
Ai tha se SHBA nuk e mbyll njërin sy ndaj politikanëve të korruptuar në Ballkan, porse për zgjedhjen e tyre përgjegjës janë qytetarët. Yee tha se, një prej faktorëve më të rëndësishëm në Ballkan është bashkëpunimi me SHBA-në dhe BE-në, sepse kudo që është vepruar së bashku “ka pasur përparim”.
“Përpiqemi që bashkë me partnerët tanë të arrijmë qëllimet e përbashkëta”, tha Yee, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios “Evropa e Lirë”.
Sipas tij, SHBA ka dëshmuar se dëshiron që vendet e Ballkanit të bëhen më të qëndrueshme, më të zhvilluara dhe më të sigurta.

Raporti: Korrupsion i shfrenuar i qeverisë në Shqipëri

Departamenti amerikan i Shtetit në Raportin për Klimën e Investimeve në vitin 2017, për Shqipërinë ka theksuar se, “pavarësisht legjislacionit të favorshëm, investitorët janë sfiduar nga korrupsioni i shfrenuar dhe vazhdimi i praktikave të biznesit informal.
Disa investitorë të mëdhenj të SHBA-ve janë larguar nga vendi gjatë viteve të fundit pas konflikteve të vazhdueshme tregtare, përfshirë disa që shkuan deri në arbitrazh ndërkombëtar”, thuhet në raport.
Gjatë vitit 2016, klima e investitorëve të huaj në vend u përkeqësua ndjeshëm. Indeksi i Dhomës amerikane i atij viti ra në 37.94 pikë, nivelet minimale që kur ai filloi të hartohej më 2012-ën.
Dhoma gjermane e Tregtisë në një anketim për klimën e biznesit 2016 vërejti se Shqipëria renditet e 19-ta ndër 20 vende për atraktivitetin e investimeve, duke lënë pas vetëm Kosovën dhe në vendin e fundit (20-ën), ndaj pyetjes bërë investitorëve “Nëse do të investonit përsëri në vendin ku operoni?”. Arsyet lidhen me trajtimin e keq fiskal dhe ligjor, me mosrespektimin e kontratave dhe paqëndrueshmërinë e administratës publike.
Shoqata e Investitorëve të Huaj gjithashtu në indeksin e saj raportonte një përkeqësim të klimës së biznesit. (FIAA), që ka në gjirin e saj disa nga sipërmarrjet më të mëdha të huaja në vend ka shprehur shqetësim për klimën e biznesit në Shqipëri dha në atë kohë një paralajmërim të qartë: “Ne duam të qëndrojmë këtu dhe të vazhdojmë të investojmë më shumë. Por që kjo të jetë e mundur dhe që Shqipëria të tërheqë investime të reja, ne kemi nevojë për një mjedis biznesi ku të mbizotërojë funksionimi i ligjit.
Mark Crawford, president i Dhomës amerikane të Tregtisë (AmCHam) ishte i ashpër në daljet e asaj kohe, ku pohoi që jo vetëm nuk po vinin investime amerikane, por po iknin dhe ato që ishin. “Duke dëgjuar kanadezët dhe amerikanët, që po ikin nga sektori i naftës, po mendoja për ‘Albpetrol’-in, se si mund të investosh aty. Por kur ambasada dhe diplomatët nuk janë më diplomatë, duke parë vështirësinë e situatës, është shumë e vështirë për ne t’u themi investitorëve hajdeni, sepse do të jetë ambasada që do t’u thotë mos hajdeni, sepse situata nuk është e përshtatshme”, tha Crawford në një deklaratë publike në vitin 2016.
Debati më i madh ishte për Bankers Petroleum, që në atë kohë u përfshi në një konflikt me tatimet, një çështje që shkoi deri në arbitrazh dhe që ende vazhdon, ndonëse në fazën e parë iu dha të drejtë Bankers Petroleum, një çështje që është përmendur indirekt në raportin e DASH. Pronarët kanadezë u larguan dhe Bankers Petroelum është aktualisht në pronësi të kinezëve të Geo Jade Petroleum.
Hyrjet e reja të investitorëve kanë munguar, ndërkohë vitet e fundit dhe investimet në Shqipëri po mbahen nga gazsjellësi TAP, HEC-i i Devollit dhe investimet ekzistuese në naftë dhe financë.
Në gjysmën e 2016-ës dhe pjesën e parë të 2017-ës klima e biznesit rezulton më e përmirësuar. Indeksi i besimit të biznesit të Dhomës amerikane është përmirësuar këtë vit, duke arritur në 43.78 pikë, nga 37.94 pikë një vit më parë. Treguesit, që kanë pasur përmirësimin më të madh, janë “marrëdhëniet me autoritetet fiskale” dhe ai i “klimës së biznesit”, që janë rritur përkatësisht me 12.3 dhe 11.2 pikë.
Edhe Dhoma gjermane e kishte më pozitiv raportin e këtij viti, ndërsa FIAA raportoi sërish se besimi i investitorëve të huaj për mjedisin e të bërit biznes në Shqipëri është negativ (-29 pikë).

Monitor

Artikulli paraprakTë gjitha tenderat në duart e Ramës
Artikulli tjetërIndeksi i Çmimeve të Ushqimit, FAO: Çmimet u rritën me 1.4% gjatë qershorit