Të ardhurat në pikiatë, 4.1 miliardë lekë më pak në shtator

Pas një rritjeje sistematike në gjashtë muajt e parë të vitit 2016, të ardhurat nga doganat po rishfaqin pasiguri. Në shtator, rënia ishte e thellë me 3.3 për qind më pak se në shtatorin e vitit të kaluar.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave shihet se të ardhurat e shtatorit ishin 411 milionë lekë më të ulta se të një viti më parë. Edhe pas rishikimit të planit, mosrealizimin më të lartë e kanë pasur të ardhurat nga renta minerare me 29% më pak se një vit më parë. Por dy muajt e fundit, vështirësitë kanë qenë të pranishme edhe në arkëtimin e akcizës dhe të TVSH-së.
Në muajin gusht të ardhurat nga akciza ishin 10.2 për qind më të ulta se gushti i vitit të kaluar, duke ndjekur të njëjtin trend edhe për muajin shtator, ku të ardhurat nga ky zë pësuan një rënie vjetore me -4.6%.
Sipas të dhënave shihet së rënia e të ardhurave doganore në shtator ka ndodhur për shkak të importeve më të ulta të karburanteve. Importi i karburanteve shënoi një rënie vjetore me 19 për qind në shtator dhe importi i cigareve ra me 10 për qind në krahasim me një muaj më parë.
Pavarësisht se dy muajt e fundit performanca doganore është përkeqësuar bilanci i 9–mujorit është pozitiv. Të ardhurat nga akciza janë realizuar në vlerën 31 miliardë lekë dhe 4.9% më shumë se 9-mujori i vitit 2015.
Sasia e cigares së importuar është rritur me 314 ton ose 16.8% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2015, duke arkëtuar 2.4 miliardë lekë më shumë. Sipas Ministrisë së Financave, arsyet e performancës pozitive përveç përmirësimit të vazhdueshëm të administrimit, lidhen edhe me situatën e normalizuar të fluksit të importeve të pandikuar nga ndryshimet e nivelit të taksimit për vitin 2016 për cigaret.
Për zërin “Karburant import +prodhim vendi”, edhe pse sasia e karburantit është rritur me 0.4% ose 1,571 ton, efekti i rënies së çmimit të karburanteve ka sjellë për pasojë rënien e të ardhurave nga akciza për karburantet me rreth 5.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2015.

Artikulli paraprakBasha me FMN: Situata ekonomike, dramatike, droga për blerje votash
Artikulli tjetërGuvernatori pranon problemin me kreditë e këqija