TAP do kushtojë 4.5 miliardë euro

Projekti Trans Adriatic Pipeline do të kushtojë 4.5 miliardë euro. Shifrën e bën të ditur drejtori menaxhues i projektit Ian Bradshaw për “Anadolu Agency”.
Sipas tij, TAP është në pritje për të siguruar fonde nga institucione ndërkombëtare financiare. Shifra e fundit e përllogaritur nga TAP është 4.5 mld euro.
Ian Bradshaw tha për “Anadolu Agency” se kjo shifër erdhi si rezultat i shpenzimeve inxhinierike dhe modifikimeve që i janë bërë projektit që ka nisur të realizohet që nga viti 2009, përfshirë këtu edhe zgjerimin e rrugës nga 520 km në 878 km.
TAP pret të sigurojë fonde nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Europiane e Investimeve, si dhe nga Agjencia e Garantimit të Kredive Agjencive për furnizimin e mallrave dhe shërbimeve. Sigurimi i financimeve pritet të përfundojë më 2017-n.
Bradshaw deklaroi se TAP është një projekt me rëndësi strategjike për Europën për të diversifikuar burimet e furnizimit me gaz.
Zyrtari i TAP tha se projekti është në përputhje të plotë me programin e zhvillimit të Shah Deniz II, nga e cila do të bëhet edhe furnizimi me gaz.
Ndërtimi i stacioneve të kompresorëve do të fillojë në tremujorin e parë të vitit 2017.
“Ky do të jetë një aktivitet i vazhdueshëm gjatë rreth dy viteve. Procesi në det të hapur do të zhvillohet në dimrin e 2018/2019”, tha ai.
Bradshaw vlerësoi punën e kryer në vitin 2016 si të suksesshme.
Ishin 15 milionë km udhëtime, 8 milionë orë pune që projekti të përfundonte.
Nga data 23 janar, puna ka vazhduar në Greqi me gërmimet për vendosjen e mbi 200 km tubacioneve. 120 km tuba në gjatësi janë lidhur, rreth 100 km tuba janë ngjitur.
“Tubat vazhdojnë të mbërrijnë në Kavala, Selanik dhe Aleksandropulos. Deri më tani, më shumë se 60% e 32,000 tubave të nevojshëm për të ndërtuar seksionin 550 km janë dorëzuar”, tha ai.
Në Shqipëri, rreth 55 km janë pastruar dhe bërë gati për të pritur vendosjen e tubave, 50 km tuba janë lidhur dhe 40 km janë ngjitur.
“Kjo do të thotë se mes Greqisë dhe Shqipërisë, TAP ka pastruar një të tretën e korridorit të tubacionit – mbi 260 km nga 765 km”, shtoi ai.
Bradshaw tha se edhe në Itali, në përputhje me lejen e dhënë nga Ministria e Ekonomisë më 20 maj 2015, TAP vazhdon të përparojë aktivitetet e tij, për t’u vendosur në San Foca.

Artikulli paraprakÇelet gara për peshkimin në 56 liqene, laguna dhe rezervuarë
Artikulli tjetërRikthehet debati për importin e mbetjeve