Taksa për infrastrukturën, rritet me 11 për qind çmimi i banesave

Banka e Shqipërisë konstaton një rritje mbi 11% të çmimit të banesave në tremujorit të parë të këtij viti. Sipas ndërtuesve, rritja nuk ka ardhur nga kërkesa, por nga taksat vendore. Ata deklarojnë se, fitimi do të ruhet dhe se çdo rritje e taksave do t’iu faturohet qytetarëve, në çmimin final të shitjes së banesave. Çmimet e shitjes së banesave kanë pësuar një rritje të ndjeshme në tremujorin e parë të këtij viti, të vlerësuar nga Banka e Shqipërisë në rreth 11.3%.
Institucioni mbikqyrës bankar vlerëson se, indeksi i çmimit të banesave pas rënies së shënuar në tremujorin e katërt, iu rikthye normave rritëse në muajt e parë të 2016-ës. Por sipas ndërtuesve, rritja e çmimeve nuk vjen nga kërkesa për banesa, por nga rritja e taksave vendore. “Është taksa për të gjithë apartamentet që janë stok, është vënë taksa për metër katrorë, është rritur taksa e pastrimit për çdo Nipt që kemi ne në QKR dhe është vënë dhe kjo taksa e shkollës. Ne ato apartamente me humbje nuk do t’i shesim, janë parashikuar dhe fitime. Kështu që sa herë do të rrisë taksat Bashkia, do të rrisim dhe ne çmimin e apartamenteve. U rritën menjëherë, me këtë taksë që vuri Bashkia u rritën me 20 euro për metër katrorë”, shprehet Hajredin Fratari.
Ndërtuesit paralajmërojnë një rritje të mëtejshme të çmimeve, për shkak të rritjes së taksës mbi infrastrukturën për ndërtimet e reja në 8% nga 4% që ishte më parë. Hajredin Fratari: Në të rejat do të futet dhe kjo taksa e infrastrukturës që është minimum 50 euro për metër katrorë, flasim për periferinë. Kurse këtu në qendër është edhe 100-150 euro. Është gjithmonë kërkesa dhe oferta, nëse ai që do të bëjë pallatin e ri me taksën e infastrukturës do ta ngrejë 50 euro, ai që ka pallatet që i ka të mbaruar, ai nuk do ta ngrejë 50, por 40 dhe do t’i shesë ato. Do të ketë dhe ai fitimin e vet, në ato 40 do të paguajë 15% tatim-fitimin dhe prapë i ngelet një 30 fitim. Gjatë vitit 2015, sektori i ndërtimit shënoi rritje, duke prekur nivelin 12.7% në tremujorin e fundit. Por sipas analizave të Bankës së Shqipërisë, kjo rritje është ndikuar kryesisht nga shtimi i punimeve inxhinierike, me kontribues kryesor sektorin publik dhe në një masë të vogël nga ndërtesat për qëllime banimi.

Artikulli paraprakKonfindustria propozime qeverisë për paketën fiskale
Artikulli tjetër9 akse me pagesë, qytetarët, do paguajnë dy fatura për një rrugë