Konfindustria propozime qeverisë për paketën fiskale

Konfindustria do të paraqesë si një nga kërkesat kryesore për Paketën Fiskale 2017, ndryshimin e kategorizimit të bizneseve sipas qarkullimit vjetor – si veprim i domosdoshëm për formalizimin e ekonomisë. Kështu bëri të ditur Administratori i Përgjithshëm i saj, Gjergj Buxhuku. “Legjislacioni në fuqi kategorizon bizneset në të ashtuquajtur “të vegjël” me qarkullim vjetor deri ne 5 milionë dhe 8 milionë lekë, që përfitojnë përjashtim të plotë dhe ose pjesor nga tatimet, tha Buxhuku. Konfindustria, mbështetur në praktikat e vendeve themeluese më të zhvilluara të BE do të kërkojë, që zbatimi i përkrahjes fiskale për bizneset e ashtuquajtur të “vegjël” të mbështetet në fitimin dhe jo qarkullimin vjetor. Konfindustria vlerëson, se ndarja e sotme ka shtuar ndjeshëm rezistencën e bizneseve të “vegjël” për moslëshimin e faturave tatimore për biznesin e “madh”, duke shkaktuar drejtpërdrejt prodhim të evazionit fiskal në gjithë ekonominë vendore. Bizneset, në pamundësi për shkarkimin e faturave dhe përballë rrezikut të falimentit, detyrohen të fshehin shitjet, të hyjnë në spiralen e evazionit dhe si rrjedhim të jenë lehtësisht të goditshëm nga institucionet fiskale, duke krijuar kushte objektive edhe për korrupsion. Pasojat e dukurisë së mësipëme janë të rënda për ekonominë vendore, sepse ajo vë në pozitë të vështirë biznesin “e madh”, ul të ardhurat për buxhetin e shtetit, minon aksionin e ekzekutivit për luftën kundër informalitetit,  rëndon mjedisin e biznesit dhe ul konkurencën e vendit për tërheqjen e investimeve. Shqipëria radhitet në vendet e fundit në rajon për investimet e huaja, shkalla e evazionit fiskal arrin deri në 50% të PBB dhe mosrealizimi i të ardhurave buxhetore në vitin 2015 ishin në nivelin historik më të lartë prej afër 400 milionë USD”, përfundoi Buxhuku.

Artikulli paraprakKosovë, nota jo pozitive për zhvillimin ekonomik
Artikulli tjetërTaksa për infrastrukturën, rritet me 11 për qind çmimi i banesave