9 akse me pagesë, qytetarët, do paguajnë dy fatura për një rrugë

Qytetarët shqiptarë sërish vihen përballë faktit për të paguar dy fatura për një rrugë. Taksat e regjistrimit të automjeteve, taksa e karburantit, tarifa e qarkullimit janë ato që shkojnë për t’u investuar në infrastrukturë dhe që mesa duket janë ende të pamjaftueshme. Mirëmbajtja e rrugëve në të gjithë vendin i kushton buxhetit rreth 80 milionë dollarë në vit, ndërkohë që fondet e alokuara në këtë drejtim janë gjithnjë e më të ulta, gjë që ka sjellë edhe amortizimin e rrugëve. Së fundmi, qeveria ka përfunduar hartimin e strategjisë për tarifimin e rrugëve, ku janë të përcaktuara tarifat që do të paguhen nga automjetet. Sipas draftit, janë rekomanduar për t’u taksuar 9 kategori automjetesh. Sipas “Tv Scan”, në njërën anë, taksimi i rrugëve është edhe një rekomandim i imponuar për qeverinë nga BERZH, me qëllim shlyerjen e kredive të marra për ndërtimin e tyre. Konkretisht, në nënshkrimin e marrëveshjes së huasë me BERZH për ndërtimin e By Pass-¬it të Vlorës dhe Fierit, thuhet se qeveria duhet të shikojë alternativën e taksimit të këtyre akseve. Ndërsa tre akse të tjera kombëtare, si rruga e “Kombit”, rruga e “Arbrit” dhe ajo e “Elbasanit”, për shkak të terrenit dhe karakteristikave dhe për shkak se nuk kanë përfunduar ende, sjellin si domosdoshmëri tarifimin për t’u mbyllur si projekte dhe për t’u mirëmbajtur. Në draft sugjerohet që të tarifohen 9 rrugë, ku për zbatim të menjëhershëm rekomandohet Tiranë-Durrës, Milot-Morinë, Tiranë-Elbasan dhe rruga e Arbrit, që ende s’ka përfunduar.

Tarifimi i rrugëve

Dokumenti rekomandon 9 akse si më të përshtatshme për t’u bërë me pagesë, përmes një procesi gradual me katër faza. Sipas tij, në fazën e parë, e cila do të jetë e menjëhershme, propozohet të bëhen me tarifë kalimi katër rrugët kryesore të vendit, autostrada Tiranë-Durrës, ajo Tiranë-Elbasan, rruga Durrës-Kukës dhe rruga e “Arbërit”, pasi të jetë përfunduar. Pas instalimit të pagesës në këto segmente, propozohet të vendosen në sistem tarifimi rruga Levan-Vlorë dhe ajo Durrës-Fier, edhe këto dy akse të ndërtuara rishtaz. Në fazën e tretë do të vendoset pagesa për rrugën Levan-Tepelenë dhe rrugët e fundit që do të përfshihen në skemën e tarifimit janë Elbasan-Kapshticë dhe Tiranë-Hani i Hotit. Sipas dokumentit, tarifa e propozuar që duhet të paguajnë qytetarët varion nga 0.5 deri në 3.5 cent të euros për çdo kilometër. Kjo do të thotë se në një rrugë me gjatësi 100 kilometër çdo automjet duhet të paguajë deri në 3.5 euro për të kaluar. Sipas strategjisë, këto para do të përdoren për mirëmbajtjen e rrugëve ekzistuese dhe ndërtimin e atyre të reja. Banka Botërore parashikon se Shqipërisë i duhen 400 milionë dollarë për mirëmbajtjen e fondit rrugor në katër vitet e ardhshme dhe një pjesë e kësaj kostoje mund t’u ngarkohet qytetarëve, duke e bërë kalimin me pagesë.

Artikulli paraprakTaksa për infrastrukturën, rritet me 11 për qind çmimi i banesave
Artikulli tjetërDe Biasi: Mendoj vetëm për Euro 2016