‘Takova shefin e madh’, sekuestrohet libri i takimeve të Tahirit në Ministri

Prokurorët e Krimeve të Rënda kanë sekuestruar librin e takimeve në Ministrinë e Brendshme nga viti 2013 deri në 2017. Bëhet fjalë për periudhën kur në krye të Ministrisë së Brendshme ishte Saimir Tahiri, të cilit do t’i rishikohen në lupë edhe emrat e personave që ka pritur në zyrë. Ky veprim hetimor po kryhet për të verifikuar përgjimet e italianëve të njërit prej të dyshuarve në grup, shtetasit Florian Habilaj.
I njohuri ndryshe si “Lolo”, në një nga përgjimet e Prokurorisë së Katanias thotë se, ishte në Tiranë dhe ka takuar shefin e madh. Sipas asaj që përshkruan Prokuroria shqiptare, roli i Saimir Tahirit në trafikun e drogës ishte ajo e njeriut që mbronte bandën dhe garantonte imunitet nga Policia. Pikërisht këtë rol kishte “Shefi i madh” një person ende i paidentifikuar, por që ka dalë nga përgjimet e telefonatave të Habilajve nga italianët. Kështu, ndërsa Moisi Habilaj merrej me mafiozët italianë të Katanias, vëllai i vogël, Floriani kishte nën kontroll situatën në Shqipëri. Ai është përgjuar pas një vizite në Tiranë, ku kishte takuar “Shefin e madh”, që dyshohet se është Saimir Tahiri.
Por ka pak mundësi që prokurorët të gjejnë emrin e Habilajt në librin e hyrje-daljeve në Ministrinë e Brendshme. Kjo, thonë burimet, për arsye se aksesi në ministri nuk bëhej vetëm nëpërmjet portës kryesore. Zyra e ministrit të Brendshëm komunikon nëpërmjet një korridori dhe një dere të posaçme me BunkArt2, i ndërtuar në vendstrehimin e dikushëm sekret të Ministrisë së Punëve të Brendshme të kohës së diktaturës. Ish-ministri Tahiri, thanë të njëjtat burime e përdorte këtë zyrë për ‘takimet informale’, edhe për shkak të aksesit me një hyrje-dalje të veçantë.
Pas sekuestrimit të disa bizneseve dhe shtëpive të banimit të Habilajve në qytetin e Vlorës pak ditë më parë, Prokuroria Krimeve të Rënda iu është drejtuar me nga një shkresë të dytë Drejtorisë së Tatimeve, Doganave, Hipotekave si edhe Drejtorisë së Portit Detar të Durrësit.
Këto infromacione shtesë nga akuza, bëhen për të vërtetuar dyshimet e hetuesve italianë, se grupi kriminal i “Habilajve” ka gjeneruar të ardhura të shumta nëpërmjet trafikut të narkotikëve drejt brigjeve italiane. Po kështu, Prokuroria dyshon se janë regjistuar mjete lundruese që përdoreshin për transport droge, në emër të të afërmeve të Habilajve, dosje e cila po hetohet tashmë në mënyrë të imtësishme. Burime nga Prokuroria bëjnë të ditur se, në kërkesën e dytë ishtë përfshirë edhe emri i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
Hetimi pasuror, ka nisur në bazë të Ligjit “Antimafia”. Në sitë janë edhe familjarët e Tahirit, për të cilët pritet të verifikohen pasuritë e paluajtshme e llogaritë bankare, për të mësuar nëse ata i justifikojnë apo jo këto pasuri. Në shkresën e Prokurorisë që iu dërgua institucioneve të tjera për verifikim, thuhet që përgjigja të jepet sa më shpejt të jetë e mundur, por pa saktësuar një datë përfundimtare.
Ndërkohë, dosjes “Habilaj” do t’i shtohet edhe Orest Sota, i prangosur pak ditë më parë në qytetin e Elbasanit, me dy patenta të Saimir Tahirit dhe me 863 mijë euro në bagazhin e automjetit tip “Land Rover”. Aktulisht, procesi ndaj vëllezëve “Habilaj”, zhvillohet në Gjykatën e Katanias, ndërsa pjesa tjetër e grupit, si Nezar Seiti dhe Armando Kaçorri po gjykohen tek Krimet e Rënda.

 

Artikulli paraprakNjë vit më parë, kur Trump mposhti i vetëm establishmentin
Artikulli tjetërSi djali i Arta Dades masakroi kreun e Hipotekës për ‘Vollgën’