Një vit më parë, kur Trump mposhti i vetëm establishmentin

Si sot një vit më parë, amerikanët zgjodhën Donald Trumpin si presidentin e tyre të 45-të. Zgjedhja e papritur e zotit Trump shkaktoi tronditje në gjithë vendin dhe mbarë botën, por nëntë muajt e tij të parë në detyrë kanë qenë kaotike. Trump ka përmbushur disa nga premtimet e tij zgjedhore, por ka dështuar në disa të tjera.
Nata e zgjedhjeve, një vit më parë. Donald Trump çuditi botën me fitoren e tij presidenciale që pak e prisnin.
“Republikanë, demokratë dhe të pavarur në mbarë vendin. Ka ardhur koha të bashkohemi”, – tha presidenti.
Në inaugurimin e tij, Trump u bëri një premtim votuesve të shtresës punëtore që e ndihmuan mjaft fitoren e tij.
“Politikanët u pasuruan, por vendet e punës dhe fabrikat u mbyllën. Kjo masakër e amerikanëve merr fund këtu dhe përfundon tani”, tha presidenti.
Zgjedhja e tij nënkuptonte një zhvendosje sizmike për politikën amerikane, thotë analisti John Feehery.
“Mendoj se votuesit republikanë të bazës janë tani votues të zotit Trump dhe e shohin çdo përpjekje të republikanëve për të penguar Presidentin Trump si një sulm të drejtpërdrejt kundër tyre”.
Por presidenca e zotit Trump pati një fillim të vështirë me protesta masive dhe polemika mbi përmasat e turmës që mori pjesë ditën e inaugurimit.
“Ishte audienca më e madhe që ndiqte një inaugurim dhe pikë – si për nga prania në vend edhe nga ndjekja televizive në mbarë botën”,tha zëdhënësi i atëhershëm i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer.
Presidenti shënoi një fitore të hershme me konfirmimin e gjykatësit Neil Gorsuch për në Gjykatën e Lartë.
Ai vlerësohet për situatën ekonomike, me rritjen e tregut të aksioneve dhe për fitoret e shënuara në luftën kundër Shtetit Islamik.
Por presidenti Trump dhe aleatët e tij republikanë pësuan një sprapsje me humbjen e votimit në Senat për të zëvendësuar ligjin e shërbimit shëndetësor.
Kjo e ka lënë të bllokuar planin e punës së presidentit, thotë analisti Allan Lichtman.
“Asnjë parti në pushtet me kontroll të unifikuar të qeverisë, kurrë nuk ka dalë aq bosh sa administrata Trump dhe republikanët që kontrollojnë Kongresin e Shteteve të Bashkuara”.
Zakoni i presidentit me Twitterin tërhoqi mjaft vëmendje, ashtu si edhe disa deklarata të debatueshme pas protestave të dhunshme në Çarlotsvillë të Virxhinias.
“Në protesta kishte njerëz shumë të mirë nga të dyja palët”, tha presidenti duke iu referuar protestuesve rivalë.
Trazirat dhe mungesa e suksesit në Kongres kanë bërë që niveli i miratimit për punën e presidentit të jetë i ulët, thotë analisti Larry Sabato.
“Një shumicë e madhe e amerikanëve besojnë se Donald Trump po bën një punë të dobët si president. Ata nuk e miratojnë punën e tij dhe ky mendim po përkeqësohet”.
Por tubimet e stilit të fushatave dhe përdorimi i Twitterit e kanë mbajtur të ndezur bazën e tij – dhe i kanë siguruar besnikëri mes shumicës së republikanëve në Kongres, thotë Matthew Dallek:
“Ai ka një mbështetje prej 35 apo 38 përqindësh në anketa dhe kjo e bën të vështirë për republikanët që kontrollojnë Kongresin që ta sfidojnë hapur presidentin”.
Megjithatë aktakuzat e fundit kriminale në hetimin për Rusinë kërcënojnë gjithashtu të hedhin hije mbi Shtëpinë e Bardhë, duke shtuar pasigurinë për të ardhmen e presidencës Trump, thotë analisti Sabato:
“A mund të dalë i paprekur nga kjo? Po. A mund të rizgjidhet? Sigurisht. Ndonjëherë është e vështirë të zgjidhesh vetëm herën e parë. Por ai po e bën këtë të vështirë, si për miratimin e axhendës së tij dhe për të mbajtur Kongresin në duart e republikanëve ashtu edhe për t’u rizgjedhur”.
Zgjedhja e Trumpit ishte një moment përcaktues në politikën amerikane, por ndikimi i kësaj në vend dhe në botë, mbetet ende për t’u parë.

Artikulli paraprakSeferi
Artikulli tjetër‘Takova shefin e madh’, sekuestrohet libri i takimeve të Tahirit në Ministri