Si djali i Arta Dades masakroi kreun e Hipotekës për ‘Vollgën’

Zbardhet dëshmia si djali i Arta Dades, Alban Dabulla kërcënoi me armë dhe dhunoi kreun e Hiptekës në zyrë për ish-hotel “Vollgën”. Një ditë më parë, Gjykata e Krimeve të Rënda dëgjoi dëshminë e Drejtoreshës Juridike të Hipotekave, Merita Qatos e kërkuar nga Prokuroria në procesin ndaj Shullazit. Dëshmitarja tregoi se për regjistrimin e ish-hotel “Vollgës” është informuar pasi është kthyer nga pushimet verore të 2014-ës. Më tej, ajo tregoi se pezullimi i veprimeve të mëtejshme ishte vendosur, pasi për këtë çështje kishte konflikte, ndërkohë që nuk përmendi emra, ndërsa shtoi se nuk njihte asnjërin nga të pandehurit.
Dëshmitarja mbajti qëndrim tjetër nga ai i dhënë prej saj në qershor 2016, në të cilin tregonte se pala e konfliktit përfaqësohej nga shtetasi Alban Dabulla. Për këtë arsye, prokurorët e pyetën Qaton a i kishte njohur apo jo personat që ishin në takim me kryeregjistruesin Ilirjan Muho, duke marrë përgjigje negative prej saj.
Kur Merita Qato u largua, prokurorët kërkuan kundërshtim të thënieve të saj, me arsyetimin se dëshmitarja më herët ka dhënë një dëshmi të detajuar. Në procesverbalin e mbajtur nga grupi hetimor, që disponon “Top Channel”, dëshmitarja ka deklaruar se, pas pushimeve ishte thirrur në takim nga kryeregjstruesi Ilirjan Muho, ku dhe ka gjetur Jurgis Çyrbjen, në atë kohë kreu i Hipotekës së Durrësit dhe pas 25 qershorit deputet i Partisë Socialiste.
Bashkë me ta ndodhej edhe një person tjetër për të cilin dëshmitarja tregon: “Kur mbërrita në zyrën e tij konstatova se aty kishte plasur një debat i madh deri në zënka fizike. Ky personi që unë nuk e njihja, më vonë mësova të ishte Alban Dabulla, që po i bërtiste Jurgis Çyrbes, duke e kërcënuar. Në një moment, Albani ishte ngritur dhe Jurgisi ishte ulur dhe Albani e rrëzoi nga karrigia. E pashë që e goditi Jurgisin. Unë menjëherë ndërhyra dhe e kapa Albanin nga dora, duke i thënë; çfarë bën në zyrat e shtetit”, ka deklaruar ajo.
Pas pyetjes se për çfarë ishte ky debat, dëshmitarja tregon se, bëhej fjalë për regjistrimin e ish-“Vollgës” për të cilin kryeregjistruesi i kishte kërkuar në këtë takim që të anulonte veprimet, pasi sipas pretendimeve të shtetasit Dabulla, çështja ishte nën gjykim.
“Pretendimi i personit që u prezantua si përfaqësues i shtetasit, Zamnir Hasa ishte se nga zyra qëndrore ishte lëshuar një shkresë që ishte në kundështrim me ligjin. Kryeregjistruesi më tha të përgatisja një shkresë pezullimi”, dëshmoi Qato.
Më herët për kërcënimet ka dëshmuar edhe ish-kreu i Hipotekës së Durrësit, Jurgis Çyrbja, aktualisht deputet i PS, i cili tregoi se kishte marrë një SMS nga një person me emrin Alban, që i thoshte; “kontrollo në Google se kush jam unë”.

Gjyqi ndaj Shullazit

Në seancën e radhës, Gjykata do të lexojë rrëfimin e shtetasit Jani Zaka, i cili pretendon se është kërcënuar nga Shullazi, ndërsa sipas sistemit TIMS, ai rezulton të jetë larguar nga Shqipëria, pasi ka treguar se është kërcënuar nga grupi i Shullazit.
Biznesmeni i mbrojtur, Ylvi Beqja ka deklaruar se, Emiliano Shullazi e ka kërcënuar dhe marrë shuma të mëdha parash në formë gjobëvënie.. Në dëshminë e dhënë para Gjykatës dëshmitari i Beqja ka treguar se është kërcënuar me armë nga Shullazi dhe u detyrua t’i ofronte shuma të mëdha parash. “Jam detyruar t’i jap pronën sapo kemi shkuar te noterja A. Spahiu, pasi aty Shullazi ka mësuar për shitjen e një pjesë të ish-“Vollgës”, te çifti Kodra. Pas kërcënimit që më bëri me pistoletë dhe me fjalë të ndryshme, një ditë më pas kam shkuar te noterja A. Spahiu, duke i kërkuar që t’i jepte Shullazit 30 për qind të pronës, dhe jo 20 për qind siç kishim rënë dakord”, ka pohuar në Gjykatë biznesmeni Ylvi Beqja. Gjithashtu ai ka deklaruar edhe për një shumë prej 700 mijë eurosh, që i kishte dhënë Shullazit dhe miqve të tij nëpërmjet kërcënimit.
Akuzat e ngritura nga Prokuroria për Emiljano Shullazin janë disa: “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, “Kanosja për shkak të detyrës”, “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.

 

Artikulli paraprak‘Takova shefin e madh’, sekuestrohet libri i takimeve të Tahirit në Ministri
Artikulli tjetërDy shqiptarë para gjykatës në New York, vodhën rreth 15 mijë dollarë