Surpriza Portugali, 26 miliardë euro nga turizmi

Isabel Leiria, Joana Pereira Bastos

Në qoftë se një kinez kërkon destinacionet më të mira për muajin e mjaltit, ka shumë mundësi që në ekranin e tij të shfaqen imazhe romantike nga Portugalia. Në qoftë se një gjerman kërkon një vend për pushime, me siguri që midis rezultateve të para gjen një plazh portugez. Po në qoftë se një suedez i apasionuar pas golit do të kërkonte fushat më të mira? Edhe në këtë rast ka mundësi që Portugalia të jetë ndër destinacionet e sugjeruara. Vendi është në gojën e të gjithëve dhe në majë të rezultateve të kërkimit. Pothuajse 500 çmimet ndërkombëtare e fituara më 2016 (kundrejt 157 të vitit 2015) dhe rreth 16000 artikujt e botuara nga shtypi i huaj lidhur me turizmin në Portugali e kanë ushqyer këtë popullaritet, por nuk mjaftojnë për të shpjeguar fenomenin. Prapa kësaj shikueshmërie ka një strategji të planifikuar në detajet më të hollësishme nga ana e entit turistik portugez Turismo de Portugal për ta rritur praninë e vendit në rrjetet sociale, të përmbysë internetin dhe të imponohet në zgjedhjet e turistëve. Dhe Google ka rezultuar aleati më i mirë. Në Portugali nuk ka pasur kurrë kaq shumë turistë. Gjatë viteve të fundit janë thyer të gjitha rekordet e prenotimeve, pasagjerëve dhe të ardhurave. Turizmi është eksportuesi kryesor i shërbimeve dhe është afirmuar si një prej motorëve të ekonomisë. Turizmit i detyrohet një pjesë e madhe e rritjes ekonomike të regjistruar në Portugali në tremujorin e parë të 2017, më e larta e 10 viteve të fundit. Në muajt e parë të vitit janë krijuar rreth 37000 vende pune në sektorin turistik, pothuajse sa në të gjithë 2016. Me siguri paqëndrueshmëria e krijuar nga Pranvera Arabe dhe frika nga terrorizmi i kanë shtyrë miliona njerëz t’i ndryshojnë planet e tyre për pushimet, duke braktisur vende si Tunizia, Egjipti apo Turqia. Vendet e Europës Jugore kanë përfituar nga ky ndryshim, por nuk është arsyeja e vetme e rezultateve të shkëlqyera të arritura nga Portugalia. Midis viteve 2005 e 2015, sektori turistik portugez është rritur më shumë se ai i fqinjëve. Rritja e të ardhurave ka qenë dyfishi i të ardhurave të Spanjës.

Jashtë grupit
Momenti kyç ka qenë në fund të 2013, kur vendi përjetonte akoma efektet e krizës ekonomike dhe vizitat e kreditorëve ndërkombëtarë qenë të rregullta. Buxheti i Turismo de Portugal ishte i kufizuar dhe ishte nevoja që të shpenzohej më pak dhe më mirë. Por përpara se të hartohej plani i ri, duhet studiuar konkurrenca. Joao Cotrim de Figueiredo, që atëherë ishte Presidenti i entit, vari në muret e zyrës së tij pamje fushatash publicitare, panorama, broshura dhe faqe internetore të 15 vendeve të basenit të Mesdheut dhe të konkurrentëve të tjerë të Portugalisë.
Pastaj u kërkoi bashkëpunëtorëve të tij që të vendoseshin pak metra nga muri dhe t’i thoshin se cilat pamje i referoheshin Turqisë. “Ishte e pamundur”, kujton Cotrim de Figueiredo. “Qenë të gjitha njëlloj. Qiej të kaltër, familje të lumtura dhe slogane të llojit ‘jeto eksperiencën’. Nëse do të ishim hedhur në atë det komunikimi me 5 milionë euro, askush nuk do të na vinte re. Konkluzioni i natyrshëm ishte se shpenzimi i atyre parave në kanalet tradicionale do të kishte qenë harxhim i kotë. Ai mur më ka bërë të kuptoj se duhej të adoptonim një fjalor ndryshe”.
Për këtë arsye Turismo de Portugal vendosi që t’i braktisë posterat publicitarë dhe sponsorizimin e eventeve. Të gjitha fondet e disponueshme u kanalizuan në marketingun dixhital. Facebook dhe Instagram janë bërë më të rëndësishme se panairet e turizmit, pasi sot është në internet që njerëzit zgjedhin ku të shkojnë me pushime, të blejë biletat dhe kontrollojë hotelet, pa ndërmjetës dhe duke u bazuar ekskluzivisht mbi interesat e veta. E thjeshtë, por asnjë vend nuk e kishte bërë kurrë më parë. Për të qenë të sigurtë se strategjia e re do të kishte sukses, duhej siguruar që Portugalia të mos humbiste në pafundësinë e internetit. Për këtë arsye janë punësuar specialistë të optimizmit për motorët e kërkimit (SEO), që kishin detyrën të vepronin në mënyrë të atillë që plazhet, fushat e golfit, kështjellat, vreshtat e Douro dhe ultësirat e Alentejo të shfaqeshin në majë të rezultateve të kërkimeve.
Më shumë se gjysma e fondeve të alokuara nga Turismo de Portugal për promovim ka përfunduar në arkat e Google, për blerjen e fjalëkyçeve që do t’u garantonin sajteve portugeze më shumë shikueshmëri krahasuar me të tjerat. “Jemi bërë klienti kryesor i Google në Portugali”, kujton Cotrim de Figueiredo. Një tjetër fetë e majme e buxhetit, 25%, i ka shkuar Facebook. Por blerja e shikueshmërisë nuk mjaftonte. Duhej kuptuar se çfarë kërkonin llojet e ndryshme të turistëve në zonat e ndryshme të botës për të vendosur se çfarë mesazhi t’u dërgoje dhe në cilin moment.
Kështu, enti ka filluar të monitorojë të gjitha kërkimet e të huajve lidhur me Portugalinë duke u nisur nga IP-të e kompjuterëve të tyre. “E dinim kur dikush po përgatitej të vendoste ku të shkonte me pushime, pasi frekuenca e vizitave në sajte është e ndryshme nga faza paraprake e kërkimit. Në 48–72 orë nga zgjedhja arrinim që të dërgonim një mesazh më të hollësishëm. Për shembull, vepronim në mënyrë të atillë që një suedeze 35-vjeçare e apasionuar pas golfit të gjente në Facebook dhe në sajtet që po kontrollonte pamje fantastike grash që luanin folf në Portugali. Kjo mund të bëjë diferencën”, shpjegon ai. Luis Araujo, njeriu që ka zënë vendin e Figueiredo më 2016, ka ecur përpara në të njëjtën rrugë. “As nuk zhdukemi në tufë, as nuk ia lëmë çdo gjë rastësisë për të parë se çfarë ngec në grep. I gjithë promovimi është i personalizuar”.
Megjithatë, shumë informacione gjenden akoma nëpërmjet kanaleve tradicionalë. Falë një takimi me operatorin kryesor turistik në Kinë – që po bëhet një prej tregjeve më të rëndësishme – është zbuluar se kinezët e konsiderojnë Portugalinë një destinacion romantik. Dhe kështu fushatat e rregulluara për Kinën kanë braktisur pamjet e plazheve të izoluara duke i zëvendësuar me foto të Palacio da Pena në Sintra dhe darka nën dritën e hënës. Futbolli është tjetër karrem shumë efikas në Kinë dhe në këtë rast gjërat janë më të thjeshta: shpërndarja e bluzave të kombëtares të autografuara nga Cristiano Ronaldo në panairet e turizmit në Kinë funksionon gjithmonë. Kurse në Brazil, një vend i mësuar me futbollin e madh, topi nuk është një kartëvizitë shumë efikase. Më mirë të synohet tek ushqimi dhe në pamjet e kështjellat e monumenteve të tjera që tregojnë një histori mijëra vjeçare. Dhe në trojet e ftohta të Europës Veriore asgjë nuk funksionon më mirë se kombinacioni klasik det–diell.

Më mirë vonë

Historia e turizmit në Portugali ka më shumë se 100 vjet. Ka nisur gjithçka në mes të Atlantikut, kur britanikët mbërritën në Madeira për tregtinë e verës dhe u magjepsën nga bukuria e ishullit. Vite më pas, gjatë Luftës së Parë Botërore, qenë lokalitetet termale të qendrës së vendit që i tërhoqën vizitorët. Algarve u zbulua si objektiv turistik vetëm në vitet gjashtëdhjetë, sërish për meritë të britanikëve. Më pas kanë nisur fluturimet charter, paketat turistike dhe hotelet e mëdhenj. Por në vitet tetëdhjetë, kur vendi ishte ende nën tutelën e FMN-së, Portugalia ka mbetur e përjashtuar nga vala e madhe e industrializimit të turizmit që në fakt investoi plotësisht në Spanjë. Vite më pas, zhvillimi i munguar në atë periudhë ka rezultuar si avantazh për Portugalinë, sepse ka mbrojtur pjesën më të madhe të territorit nga masivizimi. “Ka qenë dhuratë nga Zoti. Është falë saj që sot mund të synojmë mbi një model më të diversifikuar, të orientuar drejt xhepave të vegjël, modern e të specializuar, në kundërvënie me logjikën e turizmit masiv dhe të markave të mëdha”, nënvizon Cotrim de Figueiredo. “Pa këtë faktor nuk do të kishte ndodhur kurrë rritja e regjistruar vitet e fundit, pavarësisht nga fushatat e promovimit”.

Vala e sërfit

Me shpëtimin e 2011, FMN-ja është kthyer në Portugali, edhe një herë akoma, kriza ekonomike ka rezultuar si mundësi për sektorin turistik. Në vitet e zeza të recesionit, mijëra portugezë kanë marrë valixhet dhe janë larguar. Shumë prej tyre që kanë qëndruar janë shtrënguar nga papunësia dhe nga mungesa e perspektivave për ndryshimin e jetës. Basti mbi turizmin, tashmë në rritje të plotë, ka qenë një rrugëdalje. Janë transformuar në biznesmenë dhe i kanë dhënë një dinamikë me të cilën vendi nuk ishte mësuar. Janë hapur aktivitete të reja dhe janë shumëfishuar shtretërit e fjetjes. Numrat flasin vetë. Nëse më 2008 kishte 285 kompani argëtimi turistik të regjistruara nga Turismo de Portugal, më 2012 kishte më shumë se 1000 dhe më 2015 kanë kaluar kuotën 2500. Më 2016 i janë shtuar edhe 1500 të tjera. Në kulmin e krizës ka ndodhur një tjetër zhvillim themelor. Duke filluar nga viti 2009, kompanitë ajrore low cost si Ryanair dhe EasyJet kanë përfshirë Porto, Faro e Lisbonën midis destinacioneve të tyre. Më 2010 kryeqyteti portugez ka mundur konkurrencën e Barcelonës e Kopenhagenit, që aspironin të bëheshin destinacione të EasyJet. Pas eventesh të tilla si Expo e 1998 dhe Europiani i Futbollit i 2004 potenciali turistik i qytetit ishte tashmë evident dhe impenjimi i qeverisë për të rritur investimet në sektor kanë luajtur një rol themelor. Por ka pasur edhe baste të fituara nga privatët, si ai i shfrytëzimit të golfit për të tërhequr vizitorë. Ideja ka lindur si përgjigje ndaj sezonalitetit të fortë të Algarve, që vizitohej pothuajse vetëm në verë, ndërsa golfi luhet faktikisht në dimër. Sot Portugalia konsiderohet destinacioni më i mirë europian për këtë sport. Duke ndjekur të njëjtë mënyrë të diversifikimit të përvojave dhe të publikut, edhe sërfi është futur e bërë pjesë e ofertës së Portugalisë. Në janar të 2013 fotografia e sërfistit amerikan Garrett McNamara, një pikë e vogël në një valë të përbindshme më shumë se 30 metra e lartë përpara fanarit të Nazare, është shfaqur në të përditshmen britanike “The Times”. Nazare e njihte tashmë McNamara dhe ai e njihte mirë potencialin e rajonit. Por ka qenë atëherë që bota i ka zbuluar që të dy, falë një fotografie të bërë virale në internet. “Kemi kuptuar menjëherë fuqinë e kësaj fotografie. Kemi zbuluar se kish ishte sërfisti dhe kemi shkuar në Nazare për të folur me të. Kemi mësuar se e dashuronte Portugalinë dhe e kemi paguar për të promovuar vendin tonë. Ka pasur edhe polemika të ndryshme për faktin që McNamara ishte i huaj”, kujton Cotrim de Figuereido. Administratat vendore të Nazare, Peniche dhe Mafra (plazhi i Ericeira është bërë një Mekë e sërfit botëror) kanë përfituar nga vala dhe i kanë rritur investimet. Deri më atëherë e panjohur në botën e sërfit, Portugalia është bërë destinacioni i parë i sërfistëve në Europë. Sot është vendi i vetëm europian që ka të gjitha provat e World Surf League dhe gjatë vitit është e mundur të shikohen menaxherët e City të Londrës që vijnë të bëjnë sërf në Portugali gjatë fundjavave. Në Peniche sezoni i pikut, që më parë kufizohej në korrik dhe gusht, sot fillon qysh në maj dhe mbaron në fund të tetorit.

Si në shtëpi
Por më shumë se sërfistët ishte imazhi i shoqëruar me sportin që ka qenë i interesuar për promovimin e vendit jashtë. Gjatë asaj periudhe është shqyrtuar gjithçka që shkruhej për Portugalinë në rrjetet sociale, në Booking dhe në TripAdvisor. Janë lexuar dhjetëra mijëra komente dhe postime për t’u futur në kokën e turistëve. Ekzistonte një shprehje e rëndomtë: në Portugali turistët ndjeheshin si në shtëpi. Ndjesia e komunitetit, e përbashkshmërisë, lirisë dhe relaksit shoqëruar me sërfin i përgjigjej të njëjtit koncept. Nga kjo shprehje ka lindur një plan marketingu për ta paraqitur vendin si një destinacion “i ngrohtë, romantik dhe i pëlqyeshëm”, ku të gjithë mund të ndjehen në shtëpi. Një shembull tjetër është ai i festivaleve muzikore. Edhe në këtë sektor shteti ka bashkëpunuar me privatët për të caktuar datat e eventeve dhe për t’u bërë publicitet jashtë vendit. Një tjetër bast i fituar: vitin e kaluar rreth 61000 turistë kanë ardhur në Portugali për të asistuar në një prej 8 festivaleve kryesore të vendit. Në Primavera Sound të Porto kanë marrë pjesë mesatarisht 10000 të huaj në ditë. Nos Alive në Alges ka regjistruar 32000 të tillë në edicionin e 2016. Në zyrën e Luis Araujo, Presidentit të Turismo de Portugal, janë varur pamje të fushatës së fundit. Janë histori të treguara nga të huaj – t’i dëgjosh të tregohen mrekullitë e vendit prej atyre që vijnë nga jashtë e bën mesazhin më të besueshëm – dhe të filmuara të gjitha në dhjetor. Mund të mendohet se ka muaj të vitit më të treguar, por ideja është pikërisht të demonstrohet se në Portugali është mirë edhe në dimër. Në njoftime nuk mund shprehja: “Këto fotografi janë bërë në dhjetor”. Drita dhe mestarja 259 ditë me diell në vit kanë qenë dy prej argumenteve më të përdorura gjatë një iniciative të kohëve të fundit në Indi, ku Portugalia është paraqitur si vend ideal për filmimet kinematografike. Araujo e kishte vizituar tashmë Kinën për të promovuar Portugalinë, lehtësuar dhënien e vizave dhe inauguruar lidhjen e parë të drejtpërdrejtë me avion. Gjiganti aziatik është burimi i parë botëror i turistëve dhe Portugalia dëshiron të bëhet një prej destinacioneve të parapëlqyera të kinezëve. Edhe pse turistët kinezë janë ata që shpenzojnë më shumë në dyqanet e luksit që ndodhen në Avenida da Liberdade. “Duam klientë të pasur që shpenzojnë shumë. Synojmë shtresën e lartë. Është për këtë arsye që kemi dashur të sjellim në Portugali Business of Luxury Summit e ‘Financial Times’”, që mbledh administratorët delegatë të markave të mëdha të luksit si Hermes apo Cartier. Organizimi i konferencave dhe i kongreseve ndërkombëtare është një prej sektorëve ku Portugalia synon më shumë. Në nëntor të 2016 Web Summit, panairi kryesor teknologjik europian, është spostuar nga Dublini në Lisbonë, duke tërhequr më shumë se 700000 vizitorë. Evente ku shërbejnë që të flitet për Portugalinë. Orteku i çmimeve të marra më 2016 ka kontribuar në transformimin e Portugalisë në një fenomen turistik, i treguar nga sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit si një shembull për t’u ndjekur.

Ortek
Ky sukses shpaloset në numrin e artikujve për turizmin në Portugali të botuar në shtypin e huaj. Më 2016 kanë qenë 16011 të tillë. Një pjesë është fryt i të ashtuquajturve press trip, udhëtimeve të shtypit, një strategji e vjetër, por ende shumë e përdorur nga Turismo de Portugal, që fton gazetarët nga e gjithë bota të vizitojnë vendin. Më 2016 udhëtimet e këtij lloji kanë qenë 1215 dhe kanë përfshirë 2165 gazetarë. Gjermanë, amerikanë, anglezë e spanjollë kanë qenë më të pranishmit. Nëse Lisbona, Madeira dhe Algarve mbesin destinacionet më të frekuentuara, ka vende të tjera që janë futur gjithnjë e më shpesh në udhëtimet promovuese, si Alentejo apo veriu. Objektivi është që turistët të vizitojnë vende të ndryshme: në qoftë se shkojnë në Porto, pse mos të vizitojnë edhe Douro apo të shkojnë deri në Fatima? Në qoftë se zgjedhin plazhet në Algarve apo në Alentejo, pse të mos përfitojnë një xhiro me biçikletë apo një ecje të gjatë në këmbë në brendësi të territorit? Kohët e fundit është lançuar një fushatë e re online. Objektivi nuk është vetëm të ftohen të huajt të vizitojnë Portugalinë dhe të “ndjehen si në shtëpi”, por të merret slogani kallëp dhe të binden të vendosen përgjithmonë në vend. “Nuk duam vetëm të promovojmë Portugalinë si destinacion pushimesh, por edhe si vend ku të investojnë, studiojnë dhe jetojnë”, sintetizon Araujo. Eventet dhe çmimet sjellin shikueshmëri që tërheq më shumë të huaj, që nga ana e tyre gjenerojnë shikueshmëri të mëtejshme. “Është si një ortek dëbore që lëviz”, shpjegon Araujo. Objektivi është që të mos pushohet rritja në 10 vitet e ardhshme, kur shpresohet që të arrihen 26 miliardë euro të ardhurat (dyfishi krahasuar me 2016) dhe 80 milionë prenotimet (27 milionë më shumë se vitin e kaluar). Mbetet për t’u kuptuar nëse ky ortek mos po rritet shumë, duke shkaktuar dëme. E vërteta është se në qendrat historike të Lisbonës dhe Portos, ku regjistrohet presioni më i madh turistik, po fillojnë tashmë ankesat e para.

“Expresso”

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakAna e errët e inteligjencës
Artikulli tjetërA do të guxojë Berlini të zëvendësojë Londrën?