Studenti amerikan dëmtime të rënda në Kore

Studenti amerikan që u lirua nga autoritetet e Koresë së Veriut pas 17 muaj burg, ka pësuar “dëmtim të rëndë neurologjik”, njoftoi të enjten zëdhënësja e spitalit ku ai është shtruar.
Pasi u kthye në shtëpi 22-vjeçari Otto Warmbier u transportua menjëherë në spitalin e Cincinnatit.
“Gjendja e tij shëndetësore paraqitet e qëndrueshme dhe nëna e tij po i qëndron pranë”, tha zëdhënësja e spitalit Kelly Martin.
Prindërit e studentit thanë se djali i tyre ka qenë në komë prej më shumë se një viti dhe e përshkruan lirimin e tij si një vendim të nxitur nga gjendja e tij shëndetësore.
Në një konferencë shtypi të enjten, Fred Warmbier babai i studentit, tha se nuk i besonte arsyet që i kishin dhënë zyrtarët e Koresë së Veriut për gjendjen e djalit të tij.
“Edhe sikur t’i besoni shpjegimit se helmimi prej ushqimit dhe një kapsulë për gjumë kanë shkaktuar komën, nuk ka asnjë justifikim për asnjë vend të civilizuar të mbajë sekret gjendjen e tij shëndetësore dhe t’i mohojë për një kohë të gjatë kujdesin e duhur mjekësor”, tha ai.
Babai i studentit tha gjithashtu se administrata Trump kishte qenë shumë ndihmuese në komunikimin me familjen dhe në lehtësimin e kthimit të djalit të tyre.
“Pyetja që ngrihet është: a mendoj unë se administrata e kaluar mund të kishte bërë më shumë? Mendoj se rezultatet flasin vetë”, tha Fred Warmbier.
Koreja e Veriut e kishte dënuar Warmbier, një student i Universitetit të Virxhinias, me 15 vjet burg sepse kishte tentuar të vidhte një poster propagandistik.
Prindërit e tij thanë se ishin njoftuar se “djalit të tyre iu dha një ilaç për gjumë pak pas gjyqit të tij në muajin mars të vitit të kaluar, por ai nuk u zgjua më”.
Zyrtarët e Departamentit të Shtetit refuzuan të komentojnë lidhur me shëndetin e studentit Warmbier, duke përmendur për këtë udhëzimet e departamentit mbi trajtimin e informacioneve në raste të tilla.
Ata thanë se hera e fundit që Shtetet e Bashkuara kontaktuan me studentin përmes ambasadës suedeze ishte marsi i vitit të kaluar.

Artikulli paraprakRama zbardh letrën me lidhjet e Metës dhe Klemend Balilin
Artikulli tjetërKuba nuk gjen qetësi me Presidentin Trump