Stazhe për 10 mijë studentë, 100 milionë euro për fermerët

Lulzim Basha dhe ekipi i tij shpallën programin dje në Pogradec. Fëmijët në shkolla deri në orën 16.00, me drekë të paguar. Stazhe për 10 mijë të rinj, para për fermerët, 300 kilovat dhe fatura e ujit e paguar për njerëzit në nevojë. Basha tha se Republika e re është ulje taksash, para për fermerët, pension minimal prej 250 mijë lekësh. Basha premtoi ulje të taksave dhe TVSH dhe si dhe subvencione për bujqësinë. “100 milionë euro mbështetje financiare për fermerët shqiptarë. Para në dorë që do të bëjnë të mundur zerimin e kostos mekanike dhe uljen e kostos së plehrave kimike. Do të nxirrni prodhimet tuaja me kosto të përballueshme. Me 15 milionë më 2013 e patë çfarë rezultati patëm me agrumet, mollët? Me 100 milionë euro bujqësia shqiptare do të ngrejë kokën dhe do të konkurrojë denjësisht. Le ta dinë mirë se trau i doganës do të mbyllet për të gjitha prodhimet e jashtme bujqësore që konkurrojnë padrejtësisht djersën e fermerëve shqiptarë. Tarifa proporcionale. Fermerë shqiptarë, Republika e re do të garantojë që prodhimet tuaja kurrë më të mos kalben e të mbeten pa shitur. Taksa të ulëta, stazhe për 10 mijë të rinj, subvencione për fermerët, mbështetje për ata që hapin vende pune, hapje fabrikash, do të kenë mbështetje direkte financiare. Ky është plani ekonomik. Kjo është e vërteta e kryeministrit të ekonomisë, kryeministrit që do të jem unë me votën tuaj. Nuk do të merremi me barsaleta e fasada. Koha e palmave do të mbarojë. Do të zgjidhim problemet e shqiptarëve. Do të rikthejmë punën dhe punësimin”, tha Basha. Më tej, kryetari i opozitës paraqiti pika të tjera të alternativës së tij. “Çfarë është e nesërma e sigurtë e Republikës së re?! Së pari, për fëmijët shqiptarë, për prindërit dhe nënat shqiptare është shkolla publike nga kopshti deri në fund të maturës me drekë falas për fëmijët shqiptarë. Së dyti, aktivitete passhkollore deri në orën 4. E nesërme e sigurtë do të thotë pension minimal prej 250 mijë lekësh për pensionistët, ndihmë ekonomike për të gjitha familjet që kanë nevojë për ndihmë pa diskriminim dhe jo lëmoshë. Fatura e energjisë për konsumin familjar dhe fatura e ujit për konsumin familjar do të paguhet si shtesë në të gjitha familjet në nevojë ekonomike. Kjo është Republika e re. Pushteti në duart tuaja, ulja e taksave, hapja e vendeve të punës, investimi tek fëmijët tanë. Kjo është Republika e re, konkrete, e prekshme, e realizueshme”, tha Basha.

Rama pa bilanc, frikë nga debati publik me Bashën

Kryedemokrati Basha komentoi edhe refuzimin e ftesës për debat nga Edi Rama. “Mbrëmë Edi Rama refuzoi debatin me mua, nuk kam pse të shkoj në debat tha. Pse thoni që e refuzoi? Ju thoni ka frikë. Po çfarë do t’i bëj unë, nuk do ta sulmoj fizikisht. Nuk ka atë lloj frike. Bilanc nuk ka, program nuk ka. Kjo është frika e Edi Ramës. 300 mijë shqiptarë në azil. Rrogat kanë rënë për herë të parë në 27 vite. Kjo është arsyeja pse Edi Rama nuk do debat me mua. Gjithë fushatën do ta kthejë në një shfaqe ku do të merret me gjithçka, përveç çështjeve që ju interesojnë ju. Kjo është fushata e tij, vazhdim i teatrit të kukullave. Demokracia e meriton debatin. Shëndesi falas, shëndetësia në pikiatë. Do të rris rrogat, rrogat kanë rënë. Edhe INSTAT-i thotë që rrogat kanë rënë në 27 vite. Kjo është arsyeja që Edi Rama nuk do debat me mua”, tha Basha.

Koha e klientelizmit ka marrë fund, asnjë votë pazarit politik

Në takimin elektoral me qytetarët e Pogradecit, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, tha se kryeministri Edi Rama, refuzon debatin pasi sipas tij nuk ka bilanc dhe ka braktisur çdo premtim. Sipas Bashës, ekonomia, papunësia dhe shëndetësia nuk janë pjesë e fushatës së Ramës. Basha reagoi edhe ndaj LSI, kur ftoi pogradecarët të dalin nga pengmarrja e kësaj partie dhe të kthehen në shtëpinë e tyre, PD. “Këtu në Pogradec ka dhjetëra e qindra qytetarët që LSI i përdori si klientë, duke i detyruar të marrin karta anëtarësimi për një vend pune. Koha e klientelizmit ka marrë fund. Kthehuni në shtëpinë tuaj. Vota për LSI janë vota në gjol. Nuk do të ketë më pazar. Ndëshkoni Ramën me votë, mos u jepni asnjë votë partive të tjera të pazarit politik”. Sipas Bashës, në katër vite u pasuruan Kryeministri dhe një grup oligarkësh rreth tij. “Nuk ka punë, nuk ka lekë. Subvencione nuk ka, ndihmë për krijimin e vendeve të punës nuk ka. Në katër vite u pasuruan vetëm një grup pushtetarësh. Rama thotë se Shqipëria është mirë. Një herë në dy javë poston foto nga projekti i rrugës që nisëm ne dhe në katër vjet nuk e mbaroi. Edi Rama jeton me këto kartolina siç jeton me pikturat e tij, palmat, shatërvanet. Kur Rama thotë ekonomia është mirë, e ka fjalën për ekonominë e vet dhe një grushti njerëzish. Por ju e dini që ekonomia është katastrofë, taksat dhe çmimet janë rritur, 300 mijë vendet e punës nuk u hapën kurrë. Më 25 qershor është koha që i rrethuar nga flluskat e vizatimeve, pikturave, ekspozitave, batutave, estradave, të ngrihesh njëherë e mirë në ballonin ku jeton dhe të largohesh nga pushteti për t’i hapur rrugë një Republike të re të qytetarëve shqiptarë dhe një Kryeministri për qytetarët e thjeshtë, një Kryeministri për ekonominë e vërtetë. Unë do të jem Kryeministri juaj, jo i fasadave, jo i barsaletave, jo i batutave, jo i palmave, jo i shpenzimeve rrush e kumbulla, por Kryeministri i halleve dhe zgjidhjeve”. Kreu i PD u ndal dhe tek ndryshimet kushtetuese që parashikohen të bëhen, kur tha se deputetët do të zgjidhen dhe pushohen nga populli edhe në mes të mandatit. Ai propozoi që e njëjta formulë të ndiqet dhe për Kryeministrin. Basha: “Ndryshimet kushtetuese që janë pjesë e marrëveshjes politike, ndryshimi i parë do të bëjë të mundur që këtej e tutje deputetët të zgjidhen drejtpërdrejtë nga qytetarët dhe jo kryetarët dhe çdo deputet që nuk mban premtimet, që nuk ju përfaqëson, që harron zonën, nuk do të prisni katër vjet, por mund ta shkarkoni në mes të mandatit. Sa më takon mua i njëjti rregull duhet të përdoret dhe për Kryeministrin. Një rregull amerikan. Erdhe me premtime, nuk i mbajte, nuk pritet katër vjet, por populli do ta zgjidhë kontratën njësoj si në çdo marrëdhënie kontraktuale. Do të keni në dorë fijet e pushtetit”.

Partitë politike po përdorin resurset publike në fushatë

Rreth 100 vëzhgues nga Bashkimi Evropian pritet të përcjellin nga afër procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë. Udhëheqësi i Misionit vëzhgues nga Bashkimi Evropian, Alojz Peterle tha se zgjedhjet e 11 qershorit, kur do të zgjidhen përfaqësuesit e popullit në Kuvendin e Kosovës, janë shumë sfiduese dhe shihen si një mundësi e mirë për të demonstruar pjekurinë demokratike të Kosovës. Misioni vëzhgues i zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian për të tretën herë po përcjell nga afër proceset zgjedhore në Kosovë. Vëzhgimi i zgjedhjeve, sipas Peterle, do të monitorojë gjithë procesin dhe jo vetëm ditën e votimeve. Ai tha se tashmë kanë zhvilluar takime me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë dhe të gjithë aktorët e përfshirë në proces. “Të gjithë aktorët politikë duhet të përmbahen nga gjuha fyese ose format e trysnisë dhe frikësimit, e cila do të minonte integritetin e procesit zgjedhor”, tha Peterle. Ai tha po ashtu se Misioni vëzhgues nga BE-ja, dëshiron të sigurohet që të gjithë votuesit me të drejtë vote nga të gjitha komunitetet të kenë mundësinë ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar. Sa i përket pjesës veriore të Kosovës të banuar nga shumica serbe dhe ku ndikimi i Serbisë është i theksuar, Peterle tha se kjo nuk e ndryshon misionin dhe as metodologjinë e punës së vëzhguesve nga BE-ja. “Ne do të jemi njësoj të vëmendshëm në procesin zgjedhor, këtu dhe atje, në veri”, u shpreh Peterle. Ndërkohë, edhe vëzhguesit vendorë tashmë janë duke e përcjellë nga afër procesin. Koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”, ka prezantuar vlerësimet e para rreth ditëve të deritashme të fushatës. Ismet Kryeziu nga “Demokracia në Veprim” tha se janë përcjellë 77 takime apo tubimeve publike nga të cilat ai nxori edhe konkludimet e para. “Deri tani kemi arritur të përcjellim 77 takime publike të subjekteve politike, gjatë dy ditëve. Në të gjitha këto takime siguria publike për pjesëmarrje ka qenë e garantuar dhe siguruar nga Policia e Kosovës dhe qytetarët ku mund të marrin pjesë pa e ndjerë ndonjë kërcënim apo rrezik për pjesëmarrje në këto takime”. “Resurset publike, të cilat janë përdorur nga partitë, nga 77 aktivitete, në 13 prej tyre kemi parë që partitë politike kanë përdorur resurse shtetërore, përfshi veturat zyrtare dhe shërbyesit civilë që kanë marrë pjesën për tubime”, tha Kryeziu.

Artikulli paraprakXhaka reagon pas mosgrumbullimit!
Artikulli tjetërFitore ndaj Izraelit