Skënderbeu beson

Skënderbeu po stërvitet për ndeshjen e kthimit me Dinamon e Zagrebit. Rezultati i sfidës së parë, por mbi të gjitha loja e treguar ka krijuar besim te korçarët, por ai gol i pësuar në fund “dhemb” ende për Ilir Dajën, që gjithsesi çelësin e suksesit për sfidën e kthimit kërkon ta gjejë te futbolli i shfaqur në pjesën e parë. “Ashtu siç erdhi loja, na erdhi keq që na barazuan në fund. Rezultati është i mirë, por ne duhet të jemi me këmbë në tokë, pasi asgjë nuk është mbyllur. Nëse luajmë si në pjesën e parë kemi shanse, por nëse luajmë si në pjesën e dytë do të jetë e vështirë”, u shpreh Daja.
Deri të enjten, Daja ka kohë për të menduar dhe formacionin që do të hedhë në fushë dhe pse vështirë se mund të ketë ndryshime të mëdha nga përballja e parë në “Maksimir”. “Formacioni besoj se do të jetë i ngjashëm me atë të Zagrebit. Ata lojtarë që do bëjnë diferencën do të luajnë patjetër. Fakti që kemi rivalitet në ekip për një vend është diçka pozitive, pasi rivaliteti sjell progres”, tha trajneri i Skënderbeut.
Mbrojtësi Kristi Vangjeli nuk u stërvit këtë të dielë, por mbrojtësi beson se nuk bëhet fjalë për diçka serioze. “Nuk jam stërvitur me ekipin, pasi kam pësuar një kontraktim, besoj se do të riaftësohem për sfidën e kthimit”, tha Kristi Vangjeli.
Për portierin Orges Shehi pritet një tjetër përballje e vështirë pas asaj të “Maksimirit”. Kualifikimi mund të vendosë dhe të ardhmen e tij, por gardiani i korçarëve pëlqen t’i marrë gjërat me radhë, duke nisur nga sfida e së enjtes. “Më vjen mirë që kam ndihmuar ekipin në Zagreb. Vazhdoj të stërvitem sikur do ta vazhdoj futbollin. Vetëm 90 minuta na ndajnë nga kalimi në fazën e grupeve, shpresojmë të shkojmë në grupe. Do të ishte arritje e madhe dhe do ta shijonim shumë”, tha Orges Shehi.
Skënderbeu bëri përfaqësimin më të mirë që një skuadër shqiptare mund të ketë bërë vitet e fundit në arenën europiane në një transfertë ndaj një rivali me emër. Shpeshherë fati ka qenë kundër ekipeve tona, shumë herë gjykimet jo të përshtatshme, por Skënderbeu në “Maksimir” vuajti gjykimin skandaloz të gjyqtarëve letonezë. Për të mos përmendur kartonat, ku fare mirë Gojak mund të kishte përfunduar me të kuqe, nëse kryesori Treimanis do të ishte treguar i saktë, asistenti i parë la shumë për të dëshiruar.
Madje kishte dorën e tij në rezultatin final të sfidës. Gjithçka nis me golin e anulluar të Latifit në minutën e 9, ku shihet fare qartë se si Vangjeli ashtu edhe fantazisti ishin në pozicion mëse të rregullt.

Artikulli paraprakBarça dhe Real fitojnë në start
Artikulli tjetërShuhet Bajram Rexhepi, Njeriu i Luftës dhe i Paqes