Barça dhe Real fitojnë në start

Me Premier Leaugen, Ligue 1 dhe Eredivisien që kanë nisur më herët, fundjava që sapo lamë pas përkoi edhe fillimin La Ligas, Seria A dhe Bundesligës tre kampionate të tjera që ngritën siparin për të plotësuar kështu kuadrin e 6 ligave më të forta në Europë, të gjitha një ekskluzivitet i Digitalb dhe Supersport. Konsiderohet me të drejtë si kampionati më i fortë në kontinentin e vjetër për vetë faktin se aty luajnë dy skuadrat që kanë bërë ligjin në Europë në 3 vitet e fundit, Reali i Madridit dhe Barcelona. Fitore të thjeshta për Los Blancos dhe katalanasit në javën e parë. Reali i Zidane pas triumfeve në Superkupën e Europës dhe atë të Spanjës, u konfirmua si skuadra e momentit në Europë teksa pa Ronaldon të skualifikuar fitoi 0-3 në transfertën e La Corunas ndaj Deportivos, falë golave të Bale, Casemiros e Kross. Në “Camp Nou”, Barcelona pa Neymar tashmë që u transferua te Paris Saint Germain, por edhe pa Luis Suarez i dëmtuar kaloi me shifrat 2-0 Real Betis në një ndeshje ku Leo Messi goditi 3 herë shtyllën.
Zhgënjeu Atletico e Madridit që rikuperoi dy gola në minutat e fundit për të marrë një pikë në transfertën e debutuesve të Gironas. Nuk e nisi mirë as Sevilla që barazoi 1-1 në shtëpi ndaj Espanyolit. Në Premier League ishte sërish java e Manchester United që regjistroi fitoren e dytë rradhazi me shifrat 4-0 këtë herë në transfertën uellsiane ndaj Swansea. Në Wembley u ringjallën kampionët e Chelsea-it që fituan derbin londinez ndaj Tottenhamit 2-1 falë një dygolëshi të spanjollit Marcos Alonso. Zhgënjeu Arsenali që u mposht 1-0 nga Stoke City, ndërsa arriti suksesin e parë Liverpooli që në “Anfield Road” iu fal një finalizimi të Sadio Mane për të thyer rezistencën e Crystal Palace.
Në Itali nuk zhgënjyen skuadrat e mëdha. Fituan të gjitha me përjashtim të Lazios që barazoi në kryeqytet 0-0 ndaj debutuesve të Spal. Juventusi kaloi lehtësisht 3-0 Cagliarin falë golave të sulmuesve, pasi shënuan me rradhë Mandzukiç-Dybala e Higuain, ndërsa Buffon priti një penallti. Bardhezinjtë konfirmuan edhe njëherë tjetër se do të jenë ata skuadra për të mundur edhe në këtë sezon. Menjëherë pas Juves ishte rradha e Napolit që pa probleme triumfoi 1-3 në transfertën e Veronës në një ndeshje ku Elseid Hysaj mbrojtësi i Kombëtares shqiptare u ndëshkua me karton të kuq. Të dielën ishte rradha e Romës, Interit dhe Milanit. Kryqytetasit iu falën një perle të Kolarov, por edhe fatit për të mposhtur Atalantën, zikaltërit e Spalletit ndërkohë zgjidhën gjithçka shumë herët ndaj Fiorentinës falë një dygolëshi të kapitenit Icardi, ndërsa Perisiç në pjesën e dytë vulosi rezultatin në 3-0. Me të njëjtat shifra Milani kaloi Crotonen në transfertë për t’u treguar të gjithëve se kuqezinjtë do të jenë aty në këtë sezon dhe do të luftojnë për 4 vendet e para.
Në Gjermani, Bayerni e nisi aty ku e kishte lënë. Ndaj Leverkusenit spikatën blerjet e reja Syle dhe Toliso, të cilët e nisën me gol, ndërsa Lewandowski dhe Mehmedi fiksuan rezultatin përfundimtar në 3-1. Super paraqitje edhe ajo e Dortmundit që triumfoi 0-3 në transfertën e Wolfsburgut përballë ujqërve, ndërsa Schalke 04, me trajnerin 31-vjeçar Domenico Tedesco në stol mposhti 2-0, nënkampionët e Leipzigut.
Në Francë ishte fundjava e Neymar Jr, blerjes më të shtrenjtë të historisë së futbollit. Braziliani shënoi 2 gola dha një asist dhe fitoi një penallti në suksesin 6-2 të parizienëve ndaj Toulouse, me golin e fundit të ndeshjes që ishte një vepër arti. Parisi kryeson me pikë të plota së bashku me Monacon që triumfoi 0-1 në transfertën e Metz falë një goli të Falcaos. Lyonit në krahun tjetër nuk i mjaftoi perla e Fekir me sulmuesin që realizoi nga mesi i fushës, pasi OL, bëri harakiri ndaj Bordeaux, duke pësuar dy gola në minutat e fundit për një barazim të çmendur me shifrat 3-3.
Në Holandë fituan të mëdhatë. Kampionët e Feynoord triumfuan 0-1 në derbin e Roterdamit ndaj Excelsiorit, PSV Eindhoven e pati të thjeshtë ndaj Nac Bredas, ndërsa Ajaxi regjistroi fitoren e parë pasi mundi 3-1 në shtëpi Groningen-in.

Artikulli paraprakRrahmani shënon gol
Artikulli tjetërSkënderbeu beson