Skandali, punëtorët humanitarë në Siri, seks në këmbim të ndihmave

Punëtorë humanitarë të Kombeve të Bashkuara kanë kushtëzuar shumë gra siriane për marrjen e ndihmave në këmbim të favoreve seksuale. Të përfshirë në këso raste të shfrytëzimit të grave siriane janë edhe pjesëtarë të tjerë të organizatave bamirëse.
Një raport i UNFPA-së që bëri një vlerësim të dhunës gjinore arriti në përfundimin se ndihma humanitare po shkëmbehej për seks në rajone të ndryshme të Sirisë. Raporti i titulluar “Zërat nga Siria 2018”, ka evidentuar shembuj të grave dhe vajzave që u martuan me zyrtarë për një periudhë të shkurtër kohore për “shërbime seksuale” me qëllim të marrjes së ushqimeve. Po ashtu, në raport thuhet se shpërndarësit e ndihmave kanë kërkuar numrat e telefonit të grave dhe vajzave, duke i obliguar ato që t’i shoqërojnë në shtëpi për të kaluar natën me to. “Gratë dhe vajzat, pa mbrojtës meshkuj, vejushat, të divorcuarat si dhe personat e zhvendosur, ishin targeti kryesor i shfrytëzuesve seksualë”, thuhet në raport. Shfrytëzimin e grave siriane e kanë konfirmuar për “BBC”-në punëtorë humanitarë që kanë qenë në Siri. Ata i thënë këtij mediumi se shfrytëzimi është aq i përhapur saqë disa gra siriane po refuzojnë të shkojnë në qendrat e shpërndarjes së ndihmave sepse njerëzit do të mendonin se kishin ofruar trupat e tyre për ndihmat që ato i sillnin në shtëpi. Për shfrytëzimin e grave siriane u raportua fillimisht tre vjet më parë. Danielle Spencer, një këshilltare humanitare që punonte për një organizatë bamirëse, dëgjoi për akuzat e një grupi të grave siriane në një kamp refugjatësh në Jordani në mars të vitit 2015. Spencer kishte treguar si disa nga këto gra i kishin rrëfyer asaj se si burrat në rajone të tilla si Daraa dhe Quneitra u kishin ofruar atyre ndihma të ndryshme për seks.

Artikulli paraprakLewandowski nuk mund të zëvendësohet
Artikulli tjetërStudiuesi: Lotët mund të diagnostikojnë sëmundjen e Parkinsonit