Skandali i pagave, reagon PD/Alibeaj: Është faqja tjetër e medaljes të skandalit të pandëshkuar të patronazhistëve. Shteti një han pa porta.

 

Nënkryetari i PD Enkelejd Alibeaj e ka quajtur skandalin e publikimit të pagave, faqen tjetër të medaljes së skandalit të pandëshkuar të patronazhistëve. PD kërkon përgjigje të fortë të drejtësisë për këtë kërcënim për jetën e shqiptarëve.

‘’Prej ditësh, të dhënat më të ndjeshme të qytetarëve shqiptarë janë hedhur në Pazar dhe po kalojnë dorë më dorë, brenda dhe jashtë vendit, në atë që është faqja tjetër medaljes së skandalit të pandëshkuar të patronazhistëve. Përballë kësaj rrokopuje të shtetit shqiptar, përballë pasigurisë dhe mosbesimit që nxit te qytetarët shndërrimi i shtetit në një han pa porta, për shkak të interesave politike të partisë shtet, Prokuroria ka për detyrë të bëjë transparencë mbi hetimet për publikimin e të dhënave personale të qytetarëve shqiptarë.

Kjo është një ngjarje e rëndë dhe përtej sekretit hetimor, shqiptarët kane të drejtë të dinë se ç’po ndodh ndërkohë me këtë cënim të rëndë të të drejtave të tyre themelore, me pasoja të rënda për jetën private dhe profesionale të secilit prej të dëmtuarve.’’

Duke e etiketuar shtetin një han pa porta, Alibeaj vuri përgjegjësinë dhe mbi SPAK.

‘’Qeveria nuk mund t’i fshihet pergjegjësisë për këtë skandal të madh. Daljet butaforike dhe batutat e Edi Rames nuk mund të lënë në harresë faktin që të dhënat sensitive të mbi 630 mijë shqiptarëve janë sot në duart e bandave dhe kriminelëve.Përgjegjësia bie dhe mbi SPAK, institucioni që duhet te kishte hetuar me seriozitet dhe deri me fund skandalin me të dhënat personale të qytetarëve që Partia Socialiste përdori nëpërmjet patronazhistëve për zgjedhjet e 25 prillit.Vënia para përgjegjësisë e autorëve të vërtetë të skandalit të patronazhistëve, do të ishte shenjë e seriozitetit të hetimeve për një nga aktet që shënoi një nga kulmet e masakrës zgjedhore të 25 prillit.

Por kur SPAK hesht, është e qartë se manipulatorët e politikës nuk frikësohen të zgjasin duart dhe të ndërhyjnë atje ku çdo shqiptar i ka besuar shtetit të dhënat e tij personale.’’

Nënkryetari i PD, Alibeaj deklaroi se qytetarët shqiptarë, të shantazhuar, të dhunuar në privatësinë e tyre dhe të ekspozuar ndaj çdo keqbërësi, presin një përgjigje të forë dhe të qartë nga drejtësia, sespe mungesa e ndëshkimit të autorëve të skandalit të patronazhistëve, sot po kthehet në kërcënim të drejtëpërdrejtë për jetët e mbi 600 mijë shqiptarëve.

Artikulli paraprakTë dhënat personale u vodhën për të vjedhur zgjedhjet. Hasa: 160 milionë euro të harxhuara në 8 vjet për sigurinë e sistemeve të të dhënave
Artikulli tjetër“I THIRRUR”! NË KURAN QUHET I “ARDHUR”