Hetime për blerjen e votave, por vetëm dënim me gjobë!

Krimi elektoral në Dibër do të mbetet pa ndëshkim. Prokuroria ka bërë hapin e parë për të hetuar blerjen e votave, por dënimi për këtë masakër elektorale parashikohet të jetë më shumë se qesharak, pasi në rastin ekstrem do të ketë vetëm një gjobë ndaj blerësve të votës.
Prokuroria e Dibrës ka nisur hetimet për blerjen e votave gjatë zgjedhjeve vendore të së dielës, pas publikimit të disa materialeve filmike në edicionin e lajmeve në televizionin “Klan”, në emisionin “STOP” dhe në disa media të tjera.
Burime të Prokurorisë thanë se hetimet po kryhen për veprën penale të “dhënies së shpërblimeve dhe premtimeve” për blerjen e votave.
Një video e shfaqur dy ditë më parë në emisionin “STOP” në televizionin “Klan”, tregonte individë të ndryshëm që pranonin se janë paguar për dhënien e votës kandidatit të majtë.
Regjistrimi i procedimit penal është pa emra të personave konkretë, por me vepër penale, e cila parashikon një dënim vetëm me gjobë. Burimet thonë se me nisjen e hetimeve, Prokuroria do të kërkojë nga mediat sekuestrimin e pamjeve filmike.
Personat që shfaqen në video pritet të identifikohen dhe të merren në pyetje për llogari të kësaj dosje hetimore.
Pjesë e hetimeve do të jenë edhe deklaratat dhe provat e ndryshme të publikuara nga Partia Demokratike. Opozita ka bërë një kallëzim para ditës së votimit për persona konkretë, përfaqësues të mazhorancës dhe drejtues institucionesh e të Policisë së Dibrës dhe pritet të bëjë edhe një kallëzim tjetër, që përfshin materiale filmike.

Dialogu për blerjen e votave në Dibër

Qytetari i pyet përse është paguar kaq pak, ndërsa sekseri i drejtohet duke i thënë se kaq kanë shpërndarë.
Bisedat:
Sekseri: A i more lekët? Do na e japësh votën?
Qytetari: Po, po, po pse aq pak?
Sekseri: Jam i sharë me rob shpie, për kokë të fëmijëve, aq na kanë dhënë. Edhe Rufës aq i kanë dhënë, edhe atij tjetrit aq i kanë dhënë, të gjithëve aq.
Qytetari: Po pse kshu, pse aq pak, nga 20 mijë lekë?
Sekseri: Ehh pra pyeti! Unë sa më kanë dhënë… jam i sharë…aq u kam dhënë.
Qytetari: Po shumë pak…
Sekseri: Për kokë të fëmijëve, unë po të bëj be për kokë të fëmijëve. I kanë rënë lapsit… Pse a jam në zor unë të marr lekët?
Ta q… nënën, i thanë “ta bëj gungën kur të dua”. Xhevit nuk ia dhanë lekët të shkretit, e turpëruan Xhevin. Unë i mora që të mos turpërohem me shokët, të mos i pres në besë shokët.
Qytetari: Po qenkan legena mo…
Sekseri: Thuj Lules… thuaji, edhe nja 40 mijë lekë thuaji Lules, e duhet të iki… Edhe t’i jap unë pastaj. Edhe t’i them atij unë. Po m’i dha mirë, po ashtu… Merre Dulen në telefon dhe thuaji kështu, kështu…
Qytetari: Po me këta të mitë?
Sekseri: Po mirë, hajde në makinë merri aty edhe….

Dhënia e lekëve
Qytetari: Sa ashtu janë si… Sa vota janë, sa parti janë?
Sekseri: Po ti shënoje te 1-shi.
Qytetari: Te njëshi?
Sekseri: A mirë, si shkuat? A mirë?
Qytetari: Ç’a të bëj tani?
Sekseri: Shko jepja Dules.
Qytetari: heee…
Sekseri: Jo, jam vëzhgues. Jam këtu jashtë.
Qytetari: Të shkoj t’i them edhe për ata të dy.
Sekseri: Urdhëro..?
Qytetari: Të shkoj t’í them edhe për Sinanin, për ata të dy… edhe për ata… dy vota.
Sekseri: E ke numrin e Denis Miftarit?
Qytetari: Jo.
Sekseri: Futi more lekët në çantë tani….
(Afrohet një person tjetër….)
Sekseri: O Ashim, o Ashim…
Ashimi: Po…
Sekseri: A e ke numrin e Denis Miftarit? T’ía çoj me mesazh Maksit, se i ka letrat e hapura, t’í thotë Maksi si të duash, luaje b****.
Qytetari: Në rregull. Po shife, se mos del ndonjë kafe tjetër, se t’i thyej hundët.
Sekseri: Ku të shoh more?
Qytetari: Po ti shif more…
Sekseri: Ku të shoh? Po ti në qoftë se i mban, merr more, q… nënën, ore budall. Vetëm mos bjer në sy, se thonë njerëzit e Gencit, ku shkojnë.
Qytetari: Po ç’ke more ti. Unë po e mora kafen, do bëj sikur shoqërohem me ata, por ti e di që…
Sekseri: Jo, jo, jo… se më prish punë mua, se e di që je njeri i imi ai… i kam thënë unë, kështu, kështu ka bërë shkollën, i kam thënë për punë. Beni e di, se ti duhet të bësh gjasme për punë, mos bjer në sy. Ti merr lekë, por mos bjer në sy, se dalin më thonë pastaj: O Genc, po ti a bën fushatë kundër? A dëgjon? Ti merri, por vetëm mos të të shohë Shemsiu, se të gjithë e dinë për ty.

Artikulli paraprakMedia e BE: Shqipëria vendi ku Kryeministri paguan 80 mijë dollarë për një foto me Obamën
Artikulli tjetërOSHEE importoi 4.8 milionë euro energji këtë muaj