Sipas protokollit europian, Ogerta!

Nga Elona CASLLI

Ogerta, para se të fotografoje veten dhe mjekët në aeroport, duhet të kishe shqyrtuar fillimisht dosjet e tyre.

Në ligjëratë të drejtë Ogerta, duhet të kishe ditur paraprakisht që;

Kur një institucion lidh një marrëveshje bashkëpunimi me një institucion tjetër, në kohë pandemie ose jo, brenda marrëveshjes përcaktohen edhe disa kritere, që duhen përmbushur si; Fusha e studimit, cikli i programit të studimit, niveli i gjuhës së huaj.

Sipas protokollit europian, Ogerta, kandidatët dorëzojnë një dosje që përmban, të gjitha të dhënat e duhura për çdo kandidat. Dosja dhe materiali në të, duhet të dorëzohen në gjuhën e vendit pritës (në rastin konkret në gjuhën italiane).

Dosjet e kandidatëve, Ogerta, shqyrtohen fillimisht nga një komision vlerësues ngritur në Shqipëri dhe përzgjidhen ata kandidatë, që plotësojnë kriteret e përcaktuara në marrëveshje nga vendi pritës (në këtë rast Italia).

Pasi përzgjidhen kandidatët fitues Ogerta, gjithmonë sipas protokollit europian, vendit pritës i dërgohet dokumentacioni që përmban dosjet e fituesve me të gjitha të dhënat, ( të cilat janë dorëzuar në gjuhën e vendit pritës që në fazën e aplikimit).

Dosjet e fituesve shoqërohen me një shkresë përcjellëse e cila mban të dhënat e mëposhtme;

– Përbërjen e komisionit vlerësues në Shqipëri
– Kohën që iu desh komisionit për të përzgjedhur kandidatët fitues.
– Sistemin e pikëve që u përdor për vlerësimin e çdo kandidati
– Renditjen e kandidatëve sipas pikëve.

Kjo shkresë firmoset nga titullari i institucionit, Ogerta dhe shoqërohet me vulën institucionale.

Nëse do ta kishe bërë këtë Ogerta, vendi pritës, Italia në këtë rast, do të kishte një informacion paraprak për mjekët dhe infermierët që ke dërguar dhe nuk do të detyrohej që në kohë pandemie, të kryente intervista me ta, për t’i gjetur vendin se ku duhet të shërbejnë.

Ka shumë punë para fotos në Rinas Ogerta dhe kjo punë duhet bërë siç duhet, që Shqipëria të identifikohet denjësisht në kontekst europian.

Post Scriptum- Megjithatë Ogerta, mos u shqetëso! Në foto ke dalë bukur.

Artikulli paraprakReagon spitali italian për aftësinë e mjekëve shqiptarë: “Për fat të keq mbetet një problem themelor”…
Artikulli tjetërTjetër e vdekur nga koronavirusi, shkon në 12 numri i viktimave